Hyrje “spektakolare”, krybashkiaku i Londrës ngec i varur në teleferik

Kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, i varur në teleferik

Kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson, mesa duket kishte marrë spunto nga hyrja spektakolare e Mbretëreshës Elizabetë duke u ‘hedhur’ nga një parashutë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike, Londër 2012 dhe kishte vendosur të bënte edhe vetë një ekzibicion të ngjashëm olimpik.

Ai kishte vendosur të shfaqej në ‘Victoria Park’, ku gjatë gjithë kohës që po zhvillohet olimpiada mbahen koncerte dhe manifestime të tjera, duke ‘fluturuar’ i varur në një nga gjërat më tërheqëse të kësaj pjese të Londrës, një teleferik me gjatësi 320 metër që e përshkon të gjithë hapësirën e gjelbëruar. Por për fat të keq teleferiku u bllokua, duke e lënë të varur kryebashkiakun për më shumë se 5 minuta mbi kokat e njerëzve, të cilët shihnin të habitur.

Ndërsa spikeri i fliste më zë të lartë turmës në mënyrë që t’i përgatiste për ardhjen spektakolare të qytetarit të parë të Londrës, duke thirrur: Është një zog? Është një aeroplan? Si në filmat e vjetër me Supermen, kryebashkiaku i Londrës, i veshur me kostum dhe ndërsa në duar shtrëngonte dy flamuj të Britanisë së Madhe u hodh me teleferik, por ku ishte në mes të rrugës diçka nuk shkoi sipas parashikimeve dhe teleferiku u bllokua, duke e lënë të varur në ajër kryebashkiakun, i cili dukej si një dordolec, ndërkohë që njerëzit poshtë tij ishin duke e ‘bombarduar’ me fleshe fotografish që shumë shpejt do të bënin xhiron e botës.

Johnson në fillim u duk se donte të shfaqej si mospërfillës ndaj incidentit dhe ta merrte me sportivitet, por më pas nisi të thërriste: “Mund të më jepni një litar ose një shkallë për të zbritur ju lutem”? Pasi priti më tepër se 5 minuta i varur, me ndihmën e policëve kryebashkiaku arriti të tërhiqej deri në fund të teleferikut, ku më në fund mundi të zbriste shëndoshë e mirë.

2 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)

Autor te 2 Gusht 2012. Kuriozitete. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry