Florenc Hoxha, Avokatit të Popullit: Nga sot do u raportoj për çështjet e romëve
Shpresa Mezini
Pas shtatë refuzimesh të njëpasnjëshme, Florenc Hoxha, kreu i policisë bashkiake të Tiranës pranon të takojë Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Edhe pse kërkesat për takim nga ana e Totozanit, në kuadër të dhunës së ushtruar ndaj romëve që mbledhin kanoçe, kanë qenë të shpeshta, Hoxha ka refuzuar të zhvillojë takim “kokë më kokë” me të. Kjo, sipas tij, për shkak se nuk ka asnjë detyrim ligjor për t’u paraqitur tek avokati i popullit, edhe në rast se ai vetë ia kërkon këtë. Kështu, në seancën me pyetje përgjigje që zgjati plot 60 minuta, kreu i policisë bashkiake mohoi të ketë ushtruar dhunë ndaj komunitetit rom, ndërsa theksoi se policët bashkiakë kanë kryer detyrën në përputhje me ligjin.
“Kryeinspektori i policisë bashkiake, Florenc Hoxha, në zbatim të kërkesës të Avokatit të Popullit u paraqit dje më datë 01.08.2012 në orën 14:00 në institucionin e Avokatit të Popullit.
Hoxha iu përgjigj pyetjeve të ekspertëve të Avokatit të Popullit, seancë e cila zgjati rreth 60 minuta, në funksion të hetimit administrativ që ka ndërmarrë institucioni lidhur me disa ankesa të qytetarëve romë për dhunë fizikë dhe psikologjike të ushtruar nga ana e policisë bashkiake”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Avokatit të Popullit. Në të shtohet se kreu i policisë bashkiake ka garantuar se do të bashkëpunojë me institucionin e Avokatit të Popullit duke e vënë në dijeni për informacionet, aktet dhe praktikat që lidhen me çështjen e shumëpërfolur të romëve, të cilët prej më shumë se një muaji janë ndaluar nga policia bashkiake të mbledhin mbetje të riciklueshme në kazanët e mbeturinave në kryeqytet.
Bashkia
Zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës sqaron se vendimi për të ndaluar romët të mbledhin kanoçe apo mbeturina të tjera është i formës së prerë. Përfaqësuesit e kësaj zyre bëjnë me dije se vendimi për pezullimin e ushtrimit të “aktivitetit” të tyre të përditshëm erdhi si rrjedhojë e numrit të ankesave të qytetarëve, të cilët shprehin shqetësimin për aromën e tmerrshme dhe mbeturinat që gjenden në trotuare, kudo. Kjo për shkak se romët diferencimin e plehrave e bëjnë jashtë koshave, në rrugë. Për pasojë, mbeturinat enden rrugëve duke krijuar jo vetëm një pamje të shëmtuar për qytetin, por edhe aromë të pakëndshme në banesat e tyre. “Qytetarët kanë disa kohë që ankohen vazhdimisht për mbeturinat e hapura nëpër rrugë, për shkak se në mbrëmje koshat janë zbrazur nga romët, të cilët për ta pasur më të lehtë të gjejnë kanoçet apo materialet plastike i hapin ato në rrugë. Banorët janë të shqetësuar për aromën, që i detyron të mbyllin dritaret, por edhe për pamjen e lagjes së tyre që shpesh transformohet si një fushë mbeturinash”, sqaron zyra e shtypit në Bashkinë e Tiranës. Ata theksojnë se ankesat janë dërguar në postën e kryetarit, Lulzim Basha në internet, në kutinë postare të këtij institucioni dhe në takimet e drejtpërdrejta me qytetarët, të cilët e kanë listuar këtë problem të dytin pas shqetësimit të tyre personal.
Romët
Në kundërshtim me vendimin e Bashës, romët “mbërthyen” rreth një muaj më parë Bashkinë e Tiranës, duke këmbëngulur se nuk do të ndalen së ushtruari këtë “profesion” që u siguron atyre bukën e përditshme, atë që sipas tyre shteti ua mohon duke i lënë të papunë. Fill pas protestës së romëve përpara dyerve të bashkisë, gazeta “Shqip” ka publikuar për çdo javë personazhe rome, të cilët kanë ndarë eksperiencat fatkeqe që kanë përjetuar në përballje me policët bashkiakë që ndërsa u kanë konfiskuar mbetjet e mbledhura, kanë ushtruar edhe dhunë fizike ndaj tyre.
“S’mund të na ndalojnë të mbledhim kanoçe dhe plastiket, sepse ne prej atyre hamë bukë, mbajmë frymën gjallë. Na kanë marrë të gjitha karrocat dhe biçikletat. S’na lënë të marrim asnjë kanoçe. Na shtyjnë me forcë. Nuk na lejojnë as t’u afrohemi koshave. Kjo është e padrejtë. Kam dëgjuar që ne po pengohemi, sepse Basha do që mbeturinat t’ia japë me koncesion një firme private që e ka kunati i tij. Jo vetëm që po na heqin bukën e gojës, por po përdorin dhunë ndaj nesh. Disa ditë më parë policët bashkiakë ushtruan dhunë të rëndë fizike ndaj një fëmije”, rrëfen një zonjë rome.