Qeveria i hapi rrugë legalizimit të 400 mijë m2 dhe dëmshpërblen pronarët vetëm me 34 mijë 


Fatjona Mejdini


Këshilli i Ministrave ka vendosur dje të rihapë procesin e legalizimeve në vend. Qeveria mori vendimin për të legalizuar rreth 2000 parcela të reja ndërtimore, të cilat shtrihen në të 12 qarqet e vendit me një sipërfaqe rreth 400 mijë metra katrorë. Nisur nga sipërfaqja e madhe e tokës që kalon në pronësinë e poseduesve të ndërtimeve pa leje, duket se ky vendim i fundit do të lerë të kënaqura shumë familje, të cilat kanë pritur të marrin pronësinë në truallin ku kanë ndërtuar pa leje. Por teksa procesi i legalizimit ecën me shpejtësi, procesi i kompensimit të pronarëve realë të tokës ka një hap tepër të ngadaltë. Dje qeveria vendosi që përkrah legalizimeve të radhës, të shpallë një vendim i cili i hap rrugë kompensimit financiar të pronarëve të cilët kanë në pronësi reale këto parcela, në qarqet e Tiranës, Durrësit, Dibrës, Vlorës dhe Elbasanit. Por këta pronarë do të dëmshpërblehen vetëm për një sipërfaqe të zënë prej 34 mijë metra katrore me një vlerë rreth 300 milionë lekë. Nga përllogaritja e të dhënave vetëm për vendimet e marra dje në fushën e pronave, duket se qeveria ka prioritet rritjen e numrit të familjeve që legalizohen dhe jo kompensimin financiar të ish-pronarëve të cilët i posedojnë realisht këto sipërfaqe toke.


Legalizimi


Ndonëse procesi i legalizimeve ishte parashikuar fillimisht nga qeveria “Berisha” se do të zgjaste deri në vitin 2012, procesi po vijon duke përfshirë legalizimin e objekteve të cilat janë ndërtuar në mënyrë të paligjshme gjatë tre viteve të fundit. Kështu, në vazhdën e këtij procesi, Këshilli i Ministrave vendosi të miratojë kalimin e rreth 2000 parcelave të reja te familjet, të cilat kanë ndërtuar shtëpi dhe objekte të tjera në mënyrë informale. Vendimi i qeverisë përfshinë 12 qarqet e vendit dhe pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës që kalon në pronësi të individëve që legalizohen i përkasin Qarkut të Tiranës. Po kështu dhe në Tiranë, Këshilli i Ministrave mori vendimin të legalizoj 191 parcela me sipërfaqe rreth 40 mijë m2. Vendimi i qeverisë ngarkon Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale, nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje.


Pronarët


Qeveria mori dje dhe një vendim në favor të pronarëve të trojeve mbi të cilat është kryer procesi i legalizimit. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale do të shpërblehen në vlerë të plotë, për sipërfaqen 34 mijë m² tokë truall, me vlerë të përgjithshme 307 milionë lekë. Por në mënyrë të herëpashershme pronarët janë shprehur se kompensimi financiar për pronarët e tyre është tepër i pakët, krahasuar me numrin e lartë të personave që përfitojnë legalizim e trojeve në të cilat kanë ndërtuar në mënyrë informale.


 


Sipërfaqet e legalizimeve të radhës:  



  • Tiranë -38.925.41 m²;

  • Durrës – 81 588,00;

  • Shkodër- 98 339,80  m²;

  • Lezhë- 12 569,80  m²;

  • Berat, – 12 543,64 m²;

  • Fier, – 43 312,92  m²;

  • Korçë, -6 621,38  m²;

  • Dibër, -3 412,30 m²;

  • Elbasan, -47 797,20 m²;

  • Gjirokastër, -15 610,70  m²;

  • Vlorë, -43 988,50  m²;

  • Korçë -9 513,25  m²;


Të dhëna:


17 mijë hektarë tokë kanë kaluar te ndërtuesit informalë


7 hektarë tokë kanë përfituar në vlerë monetare ish-pronarët


 


 


Nisma


Qeveria, akt normativ për lirimin e banesave të ish-pronarëve


Qeveria miratoi dje një akt normativ i cili siguron lirimin e banesave të ish-pronarëve nga ana e qytetarëve që jetojnë në to. Dy javë më parë Berisha premtoi se ishte e patolerueshme që ende ish-pronarët nuk kishin të drejtën të jetonin në këto banesa dhe vetëm dje Këshilli i Ministrave i hapi rrugë miratimit të aktit. Në këtë kuadër në mbledhjen e djeshme të qeverisë Kryeministri kërkoi zbatimin me rigorozitet dhe përgatitjen e të gjitha agjencive përgjegjëse për zbatimin e aktit, pasi sipas tij, për këtë çështje është tejkaluar çdo limit. Nga ana tjetër, Kryeministri bëri të ditur se qytetarët që janë strehuar në banesa të shpronësuara do të kenë të drejtën e përfitimit të kredisë me zero interes dhe qeveria do të marrë përsipër pagesën e interesave bankare. Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që në një akt moral, t’i lirojnë këto banesa. “Të nderuar qytetarë që banoni në banesa të shpronësuara, konfiskuara apo shtetëzuara nga regjimi diktatorial, nuk mund të vazhdohet më tutje. Duhet me çdo kusht t’u lirohen shtëpitë dhe ky akt normativ imponon lirimin në afatin e caktuar, me të gjitha mjetet e ligjit, të banesës. Sikundër jepet kredi me zero interes për ju, për strehim. Qeveria ka vendosur të marrë përsipër të paguajë interesat bankare për ju. Do të ishte shumë e preferuar që ky të ishte një akt, në të cilin të mos kishte nevojë të ndërhyjë forca e ligjit për zbatimin e tij, por të ishte forca e moralit që do të bënte që ai të zbatohej me shpejtësi. Përndryshe ligji do të zbatohet”, theksoi Berisha në mbledhjen e qeverisë.


 


Vendimi i Këshillit të Ministrave shoqërohet nga një faturë financiare prej dy miliardë lekësh


Qeveria dëmshpërblen familjet e 470 ish të përndjekurve politikë


Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin që i hap rrugë dëmshpërblimit financiar për 470 ish të dënuar politikë të regjimit komunist. Sipas vendimit të djeshëm, përfitues nga procesi i dëmshpërblimit financiar janë dy kategori, ajo e të dënuarve politikë me burg dhe kategoria e atyre ish të përndjekurve, të cilët janë ekzekutuar nga regjimi komunist i kohës. “Vendimi përcakton masat e dëmshpërblimit për të tjerë të dënuar politikë, të cilët kanë vuajtur dënimin e kryer në burg, si dhe për familjarët e viktimave, të dënuar me dënim kapital, kërkesat e të cilëve kanë përmbushur kriteret ligjore të përcaktuara në ligjin 9831 të vitit 2007”, theksohet në këtë vendim. Kostoja financiare e dëmshpërblimit për të dyja kategoritë është në masën e rreth dy miliardë lekëve dhe pritet të tërhiqet nga familjarët në javët dhe muajt e ardhshëm. “Shuma e llogaritur transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë, të përzgjedhura sipas nenit 33, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2017, të ndryshuar. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi”, theksohet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Shtresa e ish të përndjekurve politikë në një pjesë të madhe është shprehur se ndihet e lënë pas dore nga ana e qeverisë, për shkak të vonesave në procesin e dëmshpërblimit financiar të tyre.


 


 


Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i këtij viti për pagat


Berisha rrit pagat e punonjësve të institucioneve të sigurisë


Qeveria mori dje vendimin për të rritur pagat e grupit kryesor të punonjësve, të cilët kujdesen për sigurinë në vend. Kështu dje Këshilli i Ministrave vendosi të bëjë një rritje të lehtë të pagave, të punonjësve të cilët janë pjesë e Policisë së Shtetit, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve, Policinë e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe po kështu për punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit. Një tjetër kategori e përfshirë në rritjen e pagave ishte dhe ajo e nëpunësve të autoritetit të Aviacionit Civil. Ky vendim i marrë dje pritet të hyjë në fuqi në muajin shtator dhe pason vendimin e qeverisë për rritjen e pagave dhe të pensioneve në të gjithë vendin. Pavarësisht se rritjet e pagave dhe pensioneve në shumë raste janë simbolike, shpesh këto vendimeve të qeverisë kanë shqetësuar autoritetet financiare ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, nisur nga efektet e krizës ekonomike që po kalon Shqipëria. Gjithsesi, kreu i qeverisë Berisha ka theksuar se ai do të vazhdojë rritjen e përvitshme të pagave dhe të pensioneve për aq kohë sa të jetë në pushtet. Në vendimet e djeshme theksohet fakti se efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, do të përballohen nga fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit për rritjen  e pagave, për vitin 2012.


 


 


Kategoritë që përfitojnë:


Policia e Shtetit


Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm,


Garda e Republikës,


Policia e Burgjeve,


Policia e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi


Shërbimi Informativ i Shtetit