Vërtet ‘duhet me lëviz’ drejt Europës

RUDINA HOXHA

A e shikoni këtë këpucë atletike? Është produkti më në modë këtë verë në Shqipëri, sepse ne shqiptarët kemi filluar të rendim. Si asnjë vit tjetër, nuk kemi kohë të pushojmë këtë verë, sepse ajo është vera e vendimeve të mëdha. Krahasuar me një vit më parë, më shumë shqiptarë vrapojnë në 2012-n. Kanë shpresë se do t’ia dalin mbanë!

Shikojmë shumë të rinj e të reja tek ecin me atlete; po ashtu edhe shumë intelektualë. Disa prej tyre janë gati të ‘fluturojnë’. Por dëshira që na gufon në zemër është që edhe Sali Berisha dhe Edi Rama të veshin nga një palë të tilla e të na tregojnë rrugën drejt Europës! Ata nuk duhet të presin më nga ndërkombëtarët, sepse ata kanë bërë mjaft. Përkundrazi është koha që ata të tregojnë tolerancë dhe respekt reciprok ndaj njëri-tjetrit për të vazhduar punën për plotësimin e të gjitha kritereve të BE-së.

U frymëzova një moment nga të gjitha ngjarjet e fundit në Tiranën tonë – kjo dëshmitare e palodhur e kryeneçësisë sonë. U frymëzova nga Brukseli që po na ndjek me shumë vëmendje, si asnjëherë tjetër; u frymëzova nga rëndësia vendimtare që ka Presidenti i ri në finalizimin e procesit të meritimit të statusit kandidat; u frymëzova nga miratimi i reformës elektorale që gati-gati na vërtetoi thënien e famshme se një udhëtim prej mijëra miljesh fillon me një hap të vetëm; e mbi të gjitha u frymëzova nga jeta dhe ndjenjat e vrullshme në zemrën e secilit prej nesh. Jeta shqiptare ka ndryshuar kryekëput; ajo ofron një ritëm të ri më të shpejtë, të cilën njerëzit duhet ta kapin. Ky frymëzim ma çoi mendjen te koncepti i një këpuce të shpejtë, për të cilën ne shqiptarët kemi nevojë tani për t’i kryer punët e mbetura deri më 12 tetor.

Një palë të tilla disa i kanë veshur me kohë, të tjerët i kanë nxjerrë nga dollapi i këpucëve dhe kanë bërë plan t’i veshin së shpejti. E disa të tjerë i shohin me indiferencë, sepse mendjen e kanë gjetkë. Por s’na mbetet gjë tjetër veç t’i mbathim e të vrapojmë për integrimin. Janë tiktaket e fundit të orës.

Në rastin tonë, mrekullia qëndron në faktin se ne patëm kurajën ta fillojmë këtë vrapim. Zakonisht njerëzit vrapojnë se kjo gjë i jep kënaqësi dhe mbi të gjitha jetë. Nëse deri vonë kemi vrapuar me hope, prej zorit e duke na u marrë fryma, tani kemi filluar të ndiejmë kënaqësinë e të vrapuarit. Në zemër ka filluar të na ravijëzohet një ëndërr.

Kemi filluar të vrapojmë garrumbull. Ku ka më bukur? Tek shikon tjetrin që i jep vetes dhe nuk ndalet, edhe ti merr fuqi!

Fati ynë si shqiptarë është që ky frymëzim na rrjedh tashmë në damarët tanë, thjesht duhet edhe një sprint që t’i japim një ritëm kësaj maratone të vështirë, por vërtet të paharrueshme.

Autor te 2 Gusht 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Helidoni

    E dashuroj ket gazetaren, vallaj po