Sekretari për Çështjet Ligjore dhe njëkohësisht nënkryetari i komisionit parlamentar të Ligjore në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj në një takime gazetarët deklaroi se Kryeministri kërkon t’i imponojë opozitës vullnetin e vet, axhendën e vet në funksion të interesave politike të ditës.
“Në rast se do të veprohet në këtë mënyrë siç kërkohet të veprohet, atëherë shqiptarëve do t’i jepet një mesazh shumë i keq, duke i treguar se Kushtetuta nuk ka vlerë”, – tha Xhafaj.
Xhafaj hodhi poshtë deklaratat e kryeministrit Berisha se opozita ka rënë dakord që më datën 6 gusht të votohej për heqjen e imunitetit dhe u shpreh se kjo datë është zgjedhur në mënyrë arbitrare, pa miratimin e opoztës. Ai ka theksuar më tej se, kryeministri kërkon që ndryshimet t’i bëjë me forcë e ultimatum, gjë që sipas tij është e papranueshme.
“Data 6 gusht është caktuar në mënyrë arbitrare, të njëanshme, e parapërcaktuar dhe është jashtë çdo logjike të frymës kushtetuese dhe rregullat parlamentare. Kryeministri spekulon, do të kapet fort pas datës, do t’i imponojë opozitës vullnetin e vetë, axhendën dhe forcën e vet”, – tha Xhafaj.
2 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)