Aroma e “gjalpit” është e lidhur me alzhemierin

Diacetili, një aromatizues që përdoret në produktet e ndryshme ushqimore, rrit prodhimin e një proteine të dëmshme, e lidhur me sëmundjen e rrezikshme

Diacetili, një aromatizues që përdoret rëndom në produkte të ndryshme ushqimore, sidomos tek ëmbëlsirat, sipas disa studimeve rrit prodhimin e një proteine me efekte të dëmshme e lidhur me sëmundjen e alzhemierit.

Në fakt, diacetili është një përbërës organik, produkt i fermentimit të pijeve alkoolike dhe futet në familjen e majasë (që përdoret për të zënë bukën), por kjo substancë përdoret shpesh edhe si një lloj aromatizuesi në përbërës të ndryshëm ushqimorë, si disa lloj kokoshkash dhe veçanërisht tek biskotat, duke i dhënë përafërsisht aromën e gjalpit.

Ajo që është tipike për diacetilin lidhet me faktin se ai arrin shumë kollaj në organizëm me anë të nuhatjes, pra përmes rrugëve të frymëmarrjes. Kjo ka bërë që disa njerëz të cilët punojnë në fabrika ku përdoret kjo substancë, të pësojnë dëmtim të shëndetit të tyre.

Nga ana tjetër, një studimi i publikuar në ‘Chemical Research in Toxicology’ sugjeron se diacetili ka një ndërtim të ngjashëm me beta-amiloidin, substanca përgjegjëse për formimin e pllakëzave në tru, tipike të sëmundjes së alzhemierit. Ngjashmëria mes tyre i bëri studiuesit të kërkonin rreth mundësisë që kishte në këtë rast diacetili për të rritur prodhimin e beta-amiloidit.

Studiuesit e universitetit të Minesotës, pas kërkimeve në laborator, arritën në përfundimin se realisht, prania e diacetilit e rrit prodhimin e proteinës së dëmshme të lidhur me pasojat e alzhemierit.
Gjithashtu, kjo substancë kishte aftësinë të interferonte në veprimtarinë e një proteine të quajtur glyoxalase, që pengon kalimin e substancave të dëmshme në tru.

Të gjitha këto rezultate, sipas studiuesve, flasin për shkallën e rrezikshmërisë që ka kjo substancë mbi shëndetin neurologjik të njerëzve, sidomos të atyre që punojnë në ambiente ku gjendet me shumicë diacetili.

3 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)

 

 

Autor te 3 Gusht 2012. Kuriozitete. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry