Zoti Kryeministër
Qëllimi i dëmshpërblimit nuk mund të barazohet me qëllimin politik për të përfituar pushtet prej viteve të vuajtjeve e torturave të kësaj shtrese, duke thënë tjetër gjë e bërë një gjë krejt tjetër për të.
Plot 45 vjet burgosje, internime e pushkatime nën regjimin kriminal të Enver Hoxhës dhe 22 vite të tjera braktisje e nëpërkëmbje nën qeveri që me ne janë sjellë si të ishin regjime shurdhërie, përbëjnë bilancin dëshpërues të shtresës sonë sot. Ky bilanc e mbulon me turp çdo forcë qeverisëse që gjatë kësaj kohe – e cila për nga gjatësia është e barabartë me gjysmën e dekadave të komunizmit, nuk ka arritur as ta shohë problemin tonë si një çështje drejtësie sociale dhe as të ketë për të përndjekurit një politikë dinjitoze përtej interesave të veta politike.
Letra e 25 ish të dënuarve, drejtuar Kryeministrit më 25 mars 2012
Kritikat
Flasin ish të dënuarit politikë: Tallje edhe në demokraci. Berisha na përdor politikisht
ARD KOLA
“Alo, po urdhëro. Është gjallë apo i vdekur? Ah, ka vdekur, nuk i merr tani lekët. Po ndahen vetëm për të gjallët mbi 65 vjeç. Jo jo, nuk ka lidhje, edhe po qe 85 vjeç…”. Juristi, i ri në moshë, u përgjigjej pa përtesë telefonatave të shumta në zyrën e Ministrisë së Financave, departament i posaçëm për sqarimet ndaj ish të dënuarve politikë. Sqarimet janë të shpejta për t’i dhënë radhë telefonuesit tjetër. “Janë të shumtë, thotë, dhe shumë procedura nuk i kuptojnë, ose ngatërrohen”. Kaq ka në dorë, aq bën.
Qeveria shqiptare, me në krye Sali Berishën, i cili erdhi dy herë në pushtet, 1992-n dhe 2005-n, me premtimin se ish të dënuarit politikë do të dëmshpërbleheshin një më një dhe pa vonesa, duke u kthyer nderin në vend, ka nisur fushatën e radhës. Me ligjin e miratuar në vitin 2007, ish të përndjekurit politikë do të merrnin paratë brenda 8 vjetëve, të ndarë në 8 këste, që i bie të mbyllet në 2016-n.
Faktet tregojnë se qeveria nuk është treguar korrekte. Në këta katër vjet, nga 2008-a kur nisi ndarja e dëmshpërblimeve, qeveria ka dhënë vetëm një këst, ndërsa procedurat kanë ndryshuar disa herë. Aktualisht është në këstin e dytë, por edhe këtu ka vendosur kushte në bazë të moshës.
“Kam bërë 8 vjet e gjysmë burg në kohën e monizmit. Sipas ligjit kam për të marrë rreth 58 milionë lekë të vjetra. Deri tani, kam marrë 5 milionë lekë të vjetra në këto katër vjet kur nisën dëmshpërblimet, pra këstin e parë. Për të dytin nuk di të them se kur mund të ma japin. Kështu si e kanë nisur, një herë në 4 vjet, i bie pas 30 vjetësh”, tregon Bujar Sala, i dënuar nga sistemi komunist, pasi u kap duke ndarë trakte kundër regjimit. Ai është 58 vjeç dhe ka punuar me detyrim në miniera. Sot endet për këstin e dytë, por duhet të jetë 65 vjeç për ta përfituar, ose 85 vjeç për ta marrë të plotë.
Si Bujari ka plot dhe i gjen përreth institutit. Shprehen me zhgënjim ndaj qeverisë aktuale, aq më tepër kur në krye është personi, i cili pretendon, siç thonë ata, që rrëzoi sistemin komunist.
Po nga se vijnë vonesat? “Nuk mund të them me ekzaktësi, por ndryshimi i shpeshtë i ligjeve, i VKM-ve, procedurave, na duket si lojë për ta shtyrë në kohë procesin. Dhe ne rrimë, vdesim duke pritur paratë e burgut të padrejtë”, thotë Sala. Një shok i tij, ndërhyn. Këtë e bëjnë shpesh edhe të tjerët, ndoshta kanë shumë për të thënë, ose për të shfryrë. Fatmir Lamaj ka bërë plot vite burg, por ai thotë se “dënimi vijon”. Nuk resht së kritikuari sistemin aktual. “Kur dëgjoj Berishën me premtimet se do të na kthejë dëmshpërblimin më duket si ai plaku i çalë që të ngjisë malin Everest, gjë që është e pamundur”, thotë Fatmir Lamaj. Ai tregon se shumë vetë kanë vdekur duke pritur paratë, dhe shumë të tjerë, pasi i morën nuk i gëzuan.
Gjergj Ndreca, sekretar i shoqatës “Ligj, drejtësi me dinjitet” përmend disa nga ish të dënuarit, të cilët vdiqën tani në demokraci, por të harruar nga qeveria demokrate. “Spiro Nasho nga Saranda, bëri 32 vjet burg, vdiq dhe nuk mori asgjë. Xhafer Xhani, 27 vjet burg, vdiq si emigrant në Athinë, mbeti në morg me ditë. Ka plot”, thotë Ndreca.
Është dhe Xhemil Lundraku, 62 vjeç. “Kam bërë 16 vjet burg, sikurse kam punuar me detyrim në miniera dhe në fronte të tjera. Sot marr nga shteti vetëm pension prej 12 mijë lekësh dhe mbaj familjen me katër vetë”. Si Fatmiri, Bujari, Gjergji apo Xhemili janë rreth 20 mijë në të gjithë vendin, sipas dosjeve të Ministrisë së Drejtësisë, ku në këta 20 vjet demokraci kanë marrë vetëm 10 për qind të fondit, ose këstin e parë. Të tjerat janë rrugës…
“Po luhet me procesin. Dhe ne rrimë, vdesim duke pritur paratë e burgut të padrejtë”, thotë Sala
Procedurat
Peripecitë për t’u bërë i “përndjekur”
Një i përndjekur politik në kohën e regjimit komunist, krahas vuajtjeve të diktaturës, po përballet sërish me indiferencën e shtetit shqiptar. Për të faktuar që ke qenë i përndjekur, apo je i biri apo e bija e një shtetasi që është dënuar politikisht, duhet të kalosh në një sërë procedurash. Fillimisht, të interesuarit duhet të disponojnë vendimin e gjykatës, dënimin e tyre për akuzat që parashikoheshin si “të dënuar politikë”, ose vendimet me pushkatim. Këto vendime kryesisht gjenden pranë Gjykatës së Lartë dhe Ministrisë së Brendshme. Këto vendime më pas depozitohen pranë një sektori në Ministrinë e Drejtësisë që verifikon të gjitha dosjet e të përndjekurve. Por edhe këtu ka procedura, ashtu edhe për gjetjen e vendimeve, ku shumë të përndjekur nuk kanë vendimin origjinal. Në Ministrinë e Drejtësisë duhet të plotësosh një formular. Nëse ke qenë personalisht i dënuar, është e thjeshtë, por nëse je trashëgimtar i një të dënuari politik që ka ndërruar jetë bëhet e vështirë.
Ministria e Drejtësisë do të gjithë dokumentacionin e plotë, si emrat e të gjithë trashëgimtarëve, certifikatat e tyre personale dhe familjare. Dokumentet plotësohen me postë dhe duhet një kohë që të shkojnë në ministri. Pas kësaj procedure, të interesuarit presin ditë, javë, muaj e madje vite që emri i tyre të kalojë në qeveri për miratimin e dëmshpërblimit. Pasi ka dalë emri dhe është publikuar, të interesuarit shkojnë pranë institutit të të përndjekurve, që varet nga Ministria e Financave. Në këtë institut, nëse je trashëgimtar i një të dënuari politik që ka ndërruar jetë, të duhet një akt trashëgimie, testament dhe në mungesë të këtij akti një vendim gjykate. Duhet të bëhen bashkë të gjithë trashëgimtarët për të zhvilluar procesin në gjykatë. Duhen certifikata personale e familjare, madje të viteve të mëparshme, si të viteve 1939, 1945, 1965 etj. Pasi merren këto certifikata me shumë mundim dhe peripeci futen në dosje dhe dorëzohen në gjykatë ku merret vendimi i trashëgimisë. Më pas, ky vendim gjyqësor, dorëzohet në institut sërish së bashku me të gjitha certifikatat e nevojshme. Në institut dorëzohen edhe një numër llogarie dhe të gjitha të dhënat e tjera të trashëgimtarit apo të të dënuarit politik. Instituti kryen ndarjen e dëmshpërblimit, ku të gjithë trashëgimtarët marrin një shumë të barabartë. Shumat derdhen në numrin e llogarisë të secilit trashëgimtar. Pas këtyre procedurave të interesuarit presin që paratë t’u hidhen në numër llogarie. Shuma që duhet të marrin është e ndarë në tetë këste të barabarta nga shuma. Nga një llogaritje e thjeshtë, rezulton se përfituesit e këtij dëmshpërblimi mund të kenë harxhuar më shumë të holla nga sa kanë përfituar.
S.Ç