Federata norvegjeze denoncoi në UEFA: U luajtën baste të dyshimta në Azi


Altin Manallari


Nga Norvegjia akuza për Tiranën për përfshirje në trukim të ndeshjes, asaj të kthimit ndaj Alesundit 5-0 në Europa League, e cila, me shumë gjasa, do të përfundojë në skanerin e UEFA-s, që tashmë është vënë në dijeni nga drejtuesit e federatës norvegjeze.


Federata Norvegjeze ka bërë të ditur se do t’i drejtohet UEFA-s për dyshime të forta, në lidhje me ndeshjen e kupës Europa League mes Alesundit dhe Tiranës. Në ndeshjen e kthimit, të zhvilluar në Norvegji, Tirana dyshohet se e ka humbur me qëllim ndeshjen me rezultatin 0-5, ndërkohë që kompania kombëtare e lotarive “Norsk Tiping” ka sinjalizuar Federatën për baste të dyshimta për këtë takim, në mënyrë të veçantë në Azi, sidomos gjatë zhvillimit të ndeshjesh. Zëdhënësi i “Norsk Tiping”, Einar Busterudi ka bërë të ditur për “AFP”-në se, me kalimin e minutave, u rritën shumë bastet që kjo ndeshje do të mbyllej me rezultatin 5-0. Sipas Federatës Norvegjeze, por edhe kompanisë së lotarisë kombëtare “Norsk Tiping”, që organizon vetë baste të tilla, Alesundi nuk është i dyshuar për ndikim në këtë rezultat. Por gishti i nordikëve drejtohet vetëm ndaj Tiranës dhe futbollistëve të saj. Ndërkohë që drejtuesit e Tiranës kanë hedhur poshtë dyshimet për një trukim të mundshëm. Sipas agjencisë së njohur franceze të lajmeve, AFP, administratori i bardhebluve Salih Tagani, në lidhje me atë humbje të turpshme, ka bërë të ditur se faktorë kanë qenë fusha artificiale, mungesa e ushqimit apo minibaret e zbrazura në hotel, ku skuadra qëndroi gjatë akomodimit para sfidës në Norvegji. Tashëm është vënë në dijeni edhe UEFA, e cila me shumë mundësi do të hapë një hetim për këtë çështje. Por ndërsa Federata Norvegjeze dhe kompania kombëtare e basteve “Norsk Tiping” mendojnë të hedhin dyshime të tilla, nuk janë dakord me këtë fakt drejtuesit e klubit norvegjez, Alesund. Trajneri Rekdal ka theksuar se është shumë e lehtë të hedhësh dyshime për shumë ndeshje. Por mendoj se duhet të ketë fakte për të pretenduar se kjo ndeshje ishte e trukuar. Të dhënat e deritanishme tregojnë se mund të jetë një çështje spekulative. Rekdal është shfaqur i shokuar në momentin që ka dëgjuar për mundësinë e trukimit të Alesund-Tirana 5-0. “Unë nuk e di se çfarë duhet të kishte ndodhur, por di vetëm që fitorja e Alesundit në shtëpi ndaj Tiranës nuk duhet të jetë e papritur për askënd. Nuk duhet të tregohemi histerikë dhe të dyshojmë sa herë që ka një fitore të thellë”, tha ai. “Por të shikoni mënyrën se si u shënuan golat tanë, nuk do të vëreni se erdhën si rezultat i lojës sonë, dhe për mua nuk është rastësi fitorja 5-0”, thotë trajneri i Alesundit. Rekdal thekson se nuk ka parë asgjë të pazakontë, që të mund ta bëjë të besojë se Tirana të jetë e përfshirë në trukim: “Ata kishin shanset e tyre. Luajtën me kundërsulm në kërkim të shënimit të golit, një taktikë e zakonshme kur luan larg shtëpisë” përfundoi ai. Po aq i habitur u shfaq edhe drejtori teknik Henrik Hoff, i cili mohoi edhe përfshirjen e mundshme të Tiranës. Rreth një muaj më parë, disa klube të kategorisë së dytë dhe të tretë në Norvegji janë dyshuar për fiksime rezultatesh, ndërkohë që ka pasur edhe të arrestuar. Gjithsesi, ky është një dyshim i parë për atë çka ndodhi me ndeshjen Alesund-Tirana 5-0, ku në vendin tonë u konsiderua një humbje e turpshme e asnjë organ nuk shkoi më tej, ndërkohë që Federata Norvegjeze ka vendosur t’i drejtohet UEFA-s, me faktet që kanë sinjalizuar këto dyshime.


 


Dyshimet – Sipas Federatës Norvegjeze të Futbollit, ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Norvegji në muajin korrik, Tirana dyshohet se e ka humbur me qëllim ndeshjen me rezultatin 0-5


Indiciet – Kompania kombëtare e lotarive “Norsk Tiping” sinjalizoi Federatën për baste të dyshimta, në mënyrë të veçantë në Azi, sidomos gjatë zhvillimit të ndeshjesh


Alesund-i – Gishti i nordikëve drejtohet ndaj Tiranës dhe futbollistëve të saj. Ndërkohë që drejtuesit e Tiranës kanë hedhur poshtë dyshimet për një trukim të mundshëm


Mohimi – Administratori i bardhebluve Salih Tagani, në lidhje me atë humbje të turpshme, ka bërë të ditur se faktorë kanë qenë fusha artificiale, mungesa e ushqimit apo minibaret e zbrazura në hotel


Trajneri Rekdal – “Është shumë e lehtë të hedhësh dyshime për një ndeshje. Por mendoj se duhet të ketë fakte për të pretenduar se ajo ishte e trukuar”


 


 


Shfajësimi


Rekdal thekson se nuk ka parë asgjë të pazakontë, që të mund ta bëjë të besojë se Tirana të jetë e përfshirë në trukim: “Ata kishin shanset e tyre. Luajtën me kundërsulm në kërkim të shënimit të golit”


 


Raporti i UEFA-s në dhjetor 2011 për trukimin e 13 ndeshjeve tronditi Kampionatin Shqiptar


Precedenti, Tirana e dyshuar edhe humbje 4-0 ndaj Stabaekut


Dy skuadrat më të vjetra shqiptare, Vllaznia dhe Tirana, u shpallën zyrtarisht nën hetim nga UEFA në nëntor të vitit 2009 për trukim të ndeshjeve në Champions League dhe në Europa League. Lajmi u konfirmua nga sajti zyrtar i UEFA-s që, përveç dy skuadrave shqiptare, kishte nën hetim edhe disa ekipe të Letonisë, Sllovenisë dhe Hungarisë. “Pesë klube në Shqipëri, Letoni, Slloveni dhe Hungari hetohen për fiksimin të ndeshjeve”, deklaronte UEFA. Institucioni më i lartë i futbollit europian ka identifikuar Tiranën, Dinaburgun, Vllazninë, IB Ljubjanën dhe Honvedin, se kanë trukuar ndeshjet në Kupat e Europës, në raundet kualifikuese, mes datave 16 korrik dhe 6 gusht. UEFA atëherë bashkëpunoi ngushtë me Prokurorinë e Bokumit në Gjermani, që ka marrë përsipër të hetojë mbi 200 ndeshje të kampionateve të ndryshme kombëtare, që dyshohen për trukim. Sindikata të kompanive të basteve në Gjermani kishte dyshime gjithashtu për blerjen e lojtarëve, trajnerëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë, me qëllim fiksimin e ndeshjeve. Drejtuesit në fjalë besonin se kishin përfituar të paktën 10 milionë euro nga trukimet e këtyre ndeshjeve. Policia arrestoi 15 persona në Gjermani, ku përfshihet edhe Ante Sapina, me kombësi kroate, i cili ka qenë i përfshirë në skandalin e madh të fiksimit të ndeshjeve në Gjermani në vitin 2005. Në këtë skandal ka qenë i përfshirë edhe gjyqtari Robert Hoizer. Ndërkohë që dyshimet mbi Tiranën binin pikërisht për ndeshjen ndaj Stabaekut, të luajtur në transfertë, të cilën e humbi me rezultatin 4-0. Ndërkohë që skandali, që tronditi Kampionatin Shqiptar të futbollit ishte ai i muajit dhjetor 2011. UEFA zbardhi një dosje me fakte dhe analiza, të cilat hidhnin dyshime të forta për trukime masive të ndeshjeve në Shqipëri. UEFA dha alarmin për trukime të rezultateve në Superiore, përmes një analize të hollësishme dhe zyrtare të çdo ndeshjeje. Sistemi i sofistikuar i UEFA-s, i quajtur Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve, BFTS, është një nga sitet kryesore të të gjithë kampionateve europiane. Ky sistem monitoron paratë e luajtura për ndeshje të caktuara dhe lëvizjet e koeficienteve, që, sipas specialistëve, sjell përcaktimin përfundimtar nëse një ndeshje është e fiksuar apo jo. Jo vetëm kaq, por edhe çdo lëvizje në fushë, karton i verdhë, karton i kuq dhe aksion, monitorohet për t’i dhënë një pasqyrë më të plotë panoramës së takimeve të trukuara. 5 ndeshje të javës së 29-të të Kategorisë Superiore kanë rezultuar të trukuara dhe vetëm ndeshja Vllaznia-Tirana i ka shpëtuar trukimit në atë javë të Superiores. Në raportet e UEFA-s janë edhe 7 ndeshje të tjera të sezonit të kaluar: 12 mars 2011, Dinamo-Elbasani 3-1; 1 prill 2011, Laçi-Elbasani 3-1; 15 prill 2011, Dinamo-Skënderbeu 2-3 dhe Tirana-Elbasani 6-1; 19 mars 2011, Elbasani-Bylisi 0-2; 24 prill 2011, Shkumbini-Besa 2-2 dhe 25 prill, Kastrioti-Teuta, 3-1. Raporti i përcakton këto ndeshje të trukuara me rezultate të sakta, ndërsa për sezonin që lamë pas bëhet fjalë për Kastrioti-Vllaznia e 2 tetorit, e fituar nga krutanët.


 


 


 


 


 


Ndeshjet e dyshuara


të shqiptarëve në


Kupat e Europës


 


2002-2003


Dinamo-Brondbi  0-4


 


2003-2004


Dinamo-Lokeren  0-4


Vllaznia-Dandi  0-2


Partizani-Birkikara  4-2


 


2004-2005


Partizani-H.B.Sakhnin 0-3


H.B.Sakhnin-Partizani 1-3


Dinamo-Otelul Galati 0-4


 


2005-2006


Ekranas-Elbasani 3-0


 


2007-2008


Bezhanija-Besa 2-2


Besa-Liteks Loveç 0-3


Slaven Belupo-Teuta 6-2


 


2009-2010


Stabaek-Tirana  4-0


Rapid Vjena-Vllaznia 5-0


Vllaznia-Rapid Vjena 0-3


 


 


Dosja UEFA


për trukimet në


Kategorinë Superiore


 


12 mars 2011


Dinamo-Elbasani 3-1


 


1 prill 2011


Laçi-Elbasani   3-1


 


15 prill 2011


Dinamo-Skënderbeu    2-3


Tirana-Elbasani 6-1


 


19 mars 2011


Elbasani-Bylisi 0-2


 


20 prill 2011


Skënderbeu-Laçi 2-0


Flamurtari-Dinamo    6-2


Besa-Kastrioti  3-2


Elbasani-Teuta  2-4


Bylis Shkumbini 2-0


 


24 prill 2011


Shkumbini-Besa  2-2


 


25 prill 2011


Kastrioti-Teuta, 3-1


 


2 tetor 2011


Kastrioti-Vllaznia   2-1