Sllovenia shndërrohet në shqetësimin e fundit të Bashkimit Europian

Agjencia “Moody’s” e shpall “me probleme”

Me bankat në një situatë të rëndë dhe me ekonominë që ndodhet në një gjendje po të rëndë dhe pa shënuar rritje prej kohësh, Sllovenia kërcënon të shndërrohet në problemin e radhës së krizës europiane të borxheve. Sipas agjencisë së vlerësimeve “Moody’s”, vendi nuk e ka më fuqinë shlyerëse dhe tashmë është tri pikë më pak se statusi i mëparshëm. Ekspertët madje janë duke parashikuar se ky vend ka nevojë për një paketë shpëtimi shumë shpejt.

Deri më tani 5 vende të BE-së kanë kërkuar ndihmë financiare për të përballuar krizën e borxheve. A mund të jetë vallë Sllovenia vendi i gjashtë? Të premten në darkë, agjencia e vlerësimeve “Moody’s” e zhvleftësoi këtë vend nga situata e mëparshme, duke i hequr shumë nga siguria dhe aftësia e pagimit të parave dhe duke ngritur njëherazi shumë pikëpyetje në lidhje me të ardhmen e saj. Sipas kësaj agjencie, parashikimi ekonomik për këtë vend ishte “negativ”.

Vendi i vogël i Europës lindore tashmë qartazi ndodhet në një moment shumë të vështirë, kryesisht shkaktuar nga borxhi i brendshëm dhe një situatë e rëndë e të gjithë sistemit të saj bankar. Fajtore janë kreditë e këqija prej miliona dollarësh që janë dhënë e që nuk po shlyhen dhe kjo situatë që zgjat prej vitesh duket se ka arritur më në fund pikën e vlimit. Aktualisht tre bankat më të mëdha të Sllovenisë janë duke kërkuar injektim kapitalesh nga shteti. Në fillim të korrikut, i pari nga vendet ish-komuniste që iu bashkua Eurozonës u sugjerua si vendi i gjashtë që mund të përfitonte ndihmë financiare nga jashtë, sikundër kanë përfituar tashmë Irlanda, Greqia e më gjerë. Ndërkohë qeveria deklaroi se këto ishin vetëm spekulime dhe se vendi do t’ia dilte mbanë që të ecte përpara edhe pa një paketë ndihmëse dhe se situata deri në atë moment ishte e përballueshme. Por raporti i “Moody’s” tregon se qeveria sllovene ndodhet aktualisht në një moment të vështirë, edhe pse nuk e ka deklaruar një gjë të tillë. Situata e vështirë sllovene do të intensifikohet edhe më tej, për shkak të rritjes së varfër ekonomike dhe se Lubjana e ka thuajse të pa mundur që të ndreqë deficitin buxhetor që po shtohet përditë e më shumë. Edhe vetë shumë ekonomistë në Slloveni nuk kanë më besim se vendi do t’ia dalë mbanë vetë të shpëtojë nga situata në të cilën ndodhet. Sipas tyre, janë shumë të pakta opsionet për të dalë nga situata dhe sigurisht më i miri, sipas tyre, është që të pranojnë ndihmën e paketës së ndihmës financiare si shumë shtete të tjera në vështirësi brenda Eurozonës. Si edhe Qiproja që ka aplikuar për paketë shpëtimi në korrik, edhe Sllovenia është një vend i vogël në krizë dhe ndoshta mund të mos jetë aq shumë e rëndësishme për krizën e madhe në të cilën ndodhet Europa, por, nga ana tjetër, nëse do të kërkonte ndihmë financiare, do të ishte vendi i gjashtë që do ta bënte një gjë të tillë dhe kjo nuk është aspak një shenjë e mirë.

 

Historia

Sllovenia nga model në dështim

Deri në shpërthimin e krizës financiare dhe asaj të borxheve në fund të vitit 2010, Sllovenia ishte një nxënëse shembullore e Eurozonës. Vendi me rreth dy milionë banorë, ishte që në ish-Jugosllavi republika ekonomikisht më e zhvilluar e federatës. Që atëherë qytetarët e trevave jugore të Jugosllavisë shkonin për të kërkuar punë në Slloveni. Para anëtarësimit në BE, Sllovenia konsiderohej si “vendi i parë ndër anëtarët e rinj që paguan në arkën e përbashkët më tepër sesa merr prej saj.” Pas anëtarësimit në vitin 2004, Sllovenia e pati më të lehtë për të marrë kredi me kushte të mira në tregjet ndërkombëtare. Industria e ndërtimit përjetoi një bum, por borxhet filluan të rriteshin si në sektorin shtetëror edhe në atë privat. Me fillimin e krizës dolën në pah problemet strukturore të ekonomisë sllovene. Një ndër problemet është kapitali i dobët i bankave sllovene, sidomos e bankës “Nova ljubljanska banka”, e cila është kryesisht në pronësi të shtetit.Poashtu në vend nuk u lejuan që investitorët e huaj të investonin në shkallë të gjerë, as në sektorin bankar as në ekonomi. Problem tjetër përbën sektori i eksportit, i cili ofron vetëm pak prodhime high-tech dhe të tilla që kërkojnë shumë punë. Rënia e eksporteve reflektohet edhe në tregun e punës. Aktualisht kuota e papunësisë është rreth 8%. Tani qeveria po përpiqet për t’iu kundërvënë këtyre zhvillimeve. Ajo ka vendosur një program të ashpër kursimi, i cili synon kryesisht një reduktim të shpenzimeve në sektorin publik. 500 milionë euro këtë vit dhe 750 milionë vitin e ardhshëm. Me ligjin për kursimet, Sllovenia shpreson se do të shmangë të paktën përkohësisht rrezikun për të kërkuar ndihmë financiare.

Autor te 4 Gusht 2012. Botë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry