“Aleanca e vetme e kësaj force do të jetë me qytetarët”
Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi dje se po niste procesin e përfshirjes në Frymën e Re Demokratike dhe se ky ishte hapi i parë i rikthimit të tij në politikë. Këtë deklaratë ish-numri dy i PD-së e bëri dje në krah të kryetarit aktual të FRD-së, Gazmend Oketa, pas 40 minutash të kaluara me të dhe stafin themelues të FRD-së në një nga baret e njohura të kryeqytetit. Dy ditë më parë u lajmërua se Topi do të zhvillonte këtë takim gjysmëformal me FRD-në në kuadër të nisjes së përfshirjes së tij zyrtare në këtë parti. Dje në ambientet e hotel “Tiranës”, stafi themelues i FRD-së kishte mbërritur 15 minuta më para për të pritur atë që cilësohet si “miku i çmuar i FRD-së”. Në orën 10.00 në sallën kryesore të hotelit u fut ish-presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga ish-këshilltari i tij politik, Afrim Krasniqi. Pas përshëndetjeve të rastit, themeluesit e FRD-së së bashku me Topin preferuan ta konsumonin kafen e tyre larg vëmendjes së medias, për të dalë më pas me një deklaratë të përbashkët për shtyp në lidhje me planet e të ardhshmes. Bamir Topi përpara mediave deklaroi se tashmë nuk kishte asnjë dilemë se e ardhmja e tij politike do të ishte në FRD. “Unë e konsideroj këtë takim si hapin e parë publik të procesit të zyrtarizmit të rikthimit në politikë. Më vjen mirë që sot kam qenë me njerëz të nderuar në përgjigje të ftesës së tyre. Natyrisht, do jetë fundi i këtij muaji që do të realizojë hapin përfundimtar dhe unë jam i bindur se takimi tjetër do realizohet në selinë e re të FRD”, deklaroi Topi. Po kështu ai foli dhe për aleancat e mundshme të kësaj force të re politike, duke theksuar se për mendimin e tij personal një forcë e re politike me aspirata europiane si FRD nuk mund të bëhej palë me partitë e konsideruara të “vjetra”, por aleanca e saj e vetme duhej të ishte me qytetarët. “Nëse do mbaj një pozicion personal, them se aleanca do jetë vetëm me qytetarin dhe jo me ato që konsiderohen parti të vjetra në Shqipëri. Nuk do kishte sens një forcë e re politike që kërkon të realizojë një model totalisht ndryshe në përputhje me standardet europiane ku do drejtohemi”, deklaroi Bamir Topi për mediat. Nga ana tjetër, Topi deklaroi se ai ishte pak i interesuar për sa i përket postit që do të mbante në këtë parti të re, duke shtuar dhe faktin se ishte shpejt të flitej për një temë të tillë. “Nuk jemi futur në termat e bisedimit për kryesimin e FRD. Unë e kam thënë se do rikthehem si misionar politik dhe nuk e lidh këtë me një pozicion të caktuar”, bëri të qartë Topi. Nga ana tjetër, Oketa u shpreh entuziast për përfshirjen e Topit në partinë që ai drejton në mënyrë të përkohshme, duke theksuar se FRD e vlerësonte Topin dhe për rolin e tij si ish-president i vendit. “Eksperienca e ish-presidentit Topi, si një nga politikanët më të sofistikuar, do të jetë një vlerë e shtuar dhe e mirëpritur në FRD”, deklaroi deputeti Gazmend Oketa.
F.Mejdini
Stafi themelues i FRD-së kishte mbërritur 15 minuta më para për të pritur atë që cilësohet si “miku i çmuar” i kësaj partie
Si pjesë e stafit të FRD-së në takim mori pjesë dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Sali Shehu, i cili u propozua nga Topi për drejtimin e KLSH-së
Të gjithë emrat e njohur të partisë së re
Ish-drejtuesit lokalë të PD-së, koordinatorë në bazë për FRD-në
Fryma e Re Demokratike ka arritur të përfshijë një pjesë të madhe të ish-funksionarëve demokratë nëpër qytetet e ndryshme të Shqipërisë. Në një kohë kur kjo forcë e re politike e themeluar në fundin e muajit prill po zhvillon organizimin e brendshëm dhe është në procesin e hapjes së degëve në të gjitha qytetet e vendit, një pjesë e mirë e drejtuesve dhe koordinatorëve nëpër qytete kanë qenë të zgjedhur vendorë nën siglën e Partisë Demokratike. Një shembull për këtë konstatim janë dy qytetet e mëdha të Shkodrës dhe të Korçës, ku si koordinator të kësaj partie janë shfaqur ish-kryetarë apo nënkryetarë të bashkive. Nga ana tjetër, korrespodentët e gazetës “Shqip” nga qytetet kryesore në vend theksojnë se anëtarësimet për drejtuesit lokalë të FRD-së kanë ecur në kuota të kënaqshme, ku spikasin të rinjtë dhe gratë, nisur nga fryma e re që janë munduar të përçojnë në bazë, grupi themeltar i FRD-së.
Shkodra
Qyteti verior i vendit, i njohur për mbështetjen e vazhdueshme ndaj forcave të djathta në vend ka për koordinator të FRD-së, tri figura të njohura për demokratët e Shkodrës. I pari është këshilltari i ish-presidentit Bamir Topi, Fatlum Nurja, i cili ka mbajtur dhe pozicionin e nënkryetarit të Bashkisë së Shkodrës. Si një ish-demokrat i spikatur, Nurja, është dekoruar nga ish- presidenti Berisha me medaljen “Pishtar i Demokracisë”. Ish-deputeti i PD-së, Gilman Bushati, është gjithashtu një aktivist i FRD-së në qytetin e Shkodrës. Një tjetër koordinatore në këtë qytet është dhe biznesmenia Belma Muka, e cila është pjesë e stafit themeltar të FRD-së. Një tjetër figurë e spikatur e Shkodrës që po mbështet këtë parti është dhe ish-futbollisti i Vllaznisë, Hysen Dedja, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e strukturave të PD-së në këtë qytet.
Korça
Dy ish-kryebashkiakë të qytetit juglindor të vendit janë koordinatorët kryesorë të FRD-së. Kështu, Robert Kotmilo dhe Robert Damo janë dy ish-kryebashkiakët, të cilët kanë marrë në dorë organizimin në këtë qytet të rëndësishëm të vendit. Po kështu, dega e Korçës ka ftuar për të marrë pjesë në këtë parti dhe shumë përfaqësues të tjerë lokalë, të cilët kanë qenë mbështetës dhe aktivist të PD-së. Nga ana tjetër, degës së Korçës i janë bashkangjitur dhe shumë të rinj dhe intelektualë të njohur të qytetit.
Elbasani
Menjëherë pas çeljes së degës së saj në Elbasan, partia Fryma e Re Demokratike ka nisur punën për rritjen e anëtarësimeve të qytetarëve pranë kësaj lëvizje politike. Sipas kreut të grupit Nismëtar të FRD-së në degën e Elbasanit, Artin Kovaçi, deri më tani janë anëtarësuar 1000 qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme. “Interesi për t’u bërë pjesë e kësaj partie është mjaft i madh. Në mënyrë individuale, pranë zyrave tona janë afruar mjaft qytetarë të cilët kërkojnë të jenë pjesë e kësaj lëvizjeje politike. Dua të theksoj faktin se femrat janë në dominancë, në krahasim me meshkujt, të cilat kërkojnë të jenë pjesë e një ndryshmi, pjesë e këtij morali politik. Gjithsesi, ne po merremi me ngritjen e celulave në lagjet e qytetit të Elbasanit dhe më pas pritet të bëhen zgjedhjet për formësimin e strukturave”, ka cituar Kovaçi për gazetën “Shqip”.
Vlora
Koordinatori kryesor i FRD-së në qytetin bregdetar të Vlorës është vendosur Nuredin Aliaj. Ai njihet si një nga ish-mbështetësit e Partisë Demokratike në këtë qytet dhe ka qenë pjesë e stafit diplomatik të ambasadës shqiptare në Londër. Nga ana tjetër për gazetën bëhet e ditur se një pjesë e madhe e elektoratit mbështetës të FRD-së në këtë qytet janë ish-pronarët dhe po kështu një vend të veçantë zënë edhe të rinjtë.
Fier
Dega e Fierit e partisë më të re të spektrit të djathtë, FRD-së ka thithur në radhët e saj qytetarë nga të gjitha kahet politike. Koordinatori i degës së Fierit të kësaj partie, Redian Bitri është shprehur për gazetën se deri tanimë ka pasur anëtarësime të konsiderueshme, ku numri i atyre që kanë preferuar të aderojnë në FRD e kanë kaluar pritshmërinë. Ndërkaq, Bitri ka shtuar se ka pasur anëtarësime si të elektoratit të djathtë, ashtu edhe atij të majtë. Ndërsa ka shtuar se pjesën më të madhe të anëtarëve e përbëjnë qytetarë, të cilët kërkojnë një ndryshim në politikën dhe qeverisjen shqiptare. Ndërkaq, edhe në rrethin e Lushnjës dhe të Mallakastrës janë krijuar degët e kësaj partie që pritet të zgjedhë drejtuesit në muajin shtator, duke u bazuar në votën e çdo anëtari.
I pyetur dje për tërheqjen e deputetëve të PD-së drejt FRD-së, Gazmend Oketa theksoi se ky mbetet një vendim i vetë atyre, pasi partia është e hapur për t’i mirëpritur
FRD pritet të zhvillojë në muajin shtator dhe procesin e zgjedhjes së kryetarëve të saj dhe strukturave, në qendër dhe në qytetet kryesore. Sipas statutit të kësaj partie, për zgjedhjen e kryetarëve dhe të strukturave të tjera do të përdoret parimi, një anëtarë – një votë.
Ish-presidenti i vendit, Bamir Topi, pritet të jetë dhe drejtuesi i ri i FRD-së. Topi ka mbajtur për një kohë të gjatë pozicionin e nënkryetarit të Partisë Demokratike dhe ka qenë një deputet tepër i votuar në kryeqytet, duke arritur të fitojë zona të konsideruara të vështira për demokratët.
Durrësi – Ndonëse kryetari aktual i FRD-së, Gamzend Oketa, është një deputet i zgjedhur në Durrës, kjo parti ende nuk e ka çelur degën e saj në këtë qytet. Kjo degë pritet të ngrihet në javët në vazhdim
Pronarët – Ish-pronarët janë një shtesë e cila është konsideruar e rëndësishme për FRD-në. Pronarët e Dukatit, të njohur për protestat e tyre, janë mbështetësit kryesorë të kësaj partie në Vlorë.
Zgjedhjet – Zgjedhjet parlamentare të 2013-s do të tregojnë dhe peshën reale të FRD-së në elektoratin shqiptar. Kjo parti ka deklaruar se i përket spektrit të djathtë dhe se ish-pronarët dhe ish të përndjekurit politikë i ka në fokus