Një konflikt është hapur mes Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës së Vlorës për lirimin e disa personave të dyshuar për plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të punonjësve të policisë. Burime zyrtare nga policia vlonjate pohojnë për gazetën “Shqip” se gjykata ka dhënë urdhër për lirimin e disa biznesmenëve, megjithëse nuk kanë ardhur ende provat balistike për të vërtetuar se kush ka qëlluar në drejtim të katër personave, që morën plagë në këmbë. “Gjykata ka liruar nga qelia e paraburgimit shtetasin Alban Xhillari dhe Panajot Zoto. Kemi dyshime për këtë vendim të paprecedentë, pasi ende nuk kanë ardhur provat balistike se kush ka qëlluar me pistoletë në drejtim të katër të plagosurve”, thanë burimet nga policia, duke shtuar se një vendim të tillë ka kërkuar edhe prokuroria lokale, e cila ka nxituar të marrë një vendim paraprak.
“Të gjashtë personat që u ndaluan janë të dyshuar për veprën penale të plagosjes, armëmbajtjes pa leje dhe të kundërshtimit të punonjësve të policisë. Këta persona, pasi kanë kryer plagosjen, tentuan t’i shpëtojnë policisë dhe në ndjekje kanë përplasur disa automjete të policisë. Ata ishin me dy automjete, dhe njëri prej tyre është neutralizuar në autostradën Vlorë-Levan dhe automjeti tjetër është kapur në afërsi të qytetit të Tepelenës, ku autorët kanë çarë disa kordonë të policisë. Në këtë operacion është rrezikuar jeta e disa punonjësve të policisë që kanë qenë gjithë kohës në ndjekje të tyre”, pohojnë burime zyrtare nga Policia e Vlorës, që saktëson se vendimi i gjykatës dhe prokurorisë për të liruar këta persona sjell të tjera dyshime. Policia e Vlorës ka marrë informacione se disa prej të arrestuarve kanë tentuar të korruptonin disa efektivëve të policisë që kanë qenë në ndjekje të tyre, megjithëse ky informacion ende është në konfirmim e sipër. Dy të liruarit e djeshëm janë biznesmenë, Xhillari, pronar i një firmë ndërtime dhe Zoto, pronar i një bar restoranti në Radhimë.
Policia thotë se po dëmtohen nga gjykata e prokuroria. Nga 40 të arrestuar për armëmbajtje pa leje, të gjithë janë liruar, duke sjellë që në këtë qytet bregdetar të lëvizin shumë persona të armatosur. “Të gjithë personat e arrestuar për armëmbajtje pa leje janë liruar. Në qytet lëvizin shumë persona me armë në brez dhe pasi ndalohen ata lirohen në gjykatë, duke sjellë një situatë aspak normale”, thotë policia, që ndihet e shqetësuar për këto vendime, pasi ndër të tjera rrezikohet jeta e punonjësve të policisë, që kanë kryer edhe arrestimin e këtyre elementeve. m.m
Skandali
Policia e quan skandaloze vendimin për lirimin e këtyre personave, që rrezikuan jetën e punonjësve të policisë
Megjithëse nuk kanë ardhur provat balistike se kush qëllon katër të plagosurit, disa të arrestuar lënë qelinë
Ekspertimi, të arrestuarve iu kapën dy pistoleta
Policia e Vlorës pohon se ka sekuestruar dy pistoleta për plagosjen e katër shtetasve tri net më parë. Armët janë dërguar për ekspertim në Tiranë dhe pritet që të vijnë provat balistike për të provuar se kush ka shkrepur armën. Paraprakisht, informacionet policore kanë dyshime se të gjithë të ndaluarit kanë qëlluar me armë zjarri, pasi në vendngjarje janë gjetur edhe gëzhoja. “Janë sekuestruar dy pistoleta dhe janë gjetur shumë gëzhoja në vendngjarje. Nga verifikimet e para kemi dyshime se janë përdorur katër pistoleta, të cilat mund të jenë hedhur nga autorët gjatë ndjekjes policore. Kemi kryer krehjen e zonës, por ende nuk kemi gjetur pistoletat”, thanë burimet nga policia, që shtojnë se materialet për këtë procedim ia kanë kaluar prokurorisë.