Ylli amerikan i notit, Michael Phelbs dikur pretendonte se konsumonte vetëm 12 mijë kalori në ditë. Ndërkohë i madhi i sprintit botëror, Iusain Bolt që është edhe rivali i Yohan Blake thotë se dieta e tij përbëhet nga 16 banane të pjekura, të cilat i konsumon në 24 orë. Një atlete japoneze, tepër e imët dhe trupvogël ha çdo ditë 50 copë sushi, pas trajnimit, ndërsa në maratonat olimpike një kineze thotë se ha minj të gjallë. Ç’mund të themi për peshëngritësit, që pinë vetëm qumështin e parë që milet nga një lopë, që sapo ka sjellë në jetë një viç. Ushqimet në fshatin olimpik, për sportistë të ndryshëm janë nga më të ndryshmet dhe më ekstremet në disa raste. E megjithatë, edhe pse stërvitja duket se është parametri kryesor për të arritur suksesin, ushqimi luan shpesh një rol po kaq parësor, si për suksesin, ashtu edhe për humbjen. Në fshatin olimpik, edhe ata që janë kuruar me vite të tëra me ushqime dhe dieta nga më të ndryshmet, duhet të heqin dorë dhe t’i nënshtrohen mensës olimpike.


Kjo mensë ka një kapacitet prej 5000 vendesh dhe është e hapur 24 orë. Në të konsumohen në hapësirën kohore të lojërave, pra, deri në 12 gusht, 25 mijë feta buke, 232 tonë patate, 75 mijë litra qumësht dhe mbi 330 tonë fruta dhe zarzavate. Për sa i përket vakteve, ato në total do të shkojnë në 1.2 milionë. “Për atletët e rinj kjo është një përvojë e jashtëzakonshme”, thotë një shkencëtar sportiv që punon në skuadrën olimpike australiane. “Është gjithçka falas dhe mund të gjesh lloje të ndryshme gatimesh. Sigurisht që ka McDonald, por edhe kuzhina të rafinuara, sipas preferencës. E gjithë kjo vazhdon gjatë gjithë kohës, derisa në fund të gjithë i kthehen rutinës së tyre normale. Por çfarë mund të quhet “rutinë normale”?


Phelbs, pasi fitoi në Olimpiadën e Pekinit në 2008, 8 medalje ari deklaroi para mediave se ai e kishte mbajtur veten kryesisht me karbohidrate, si pasta dhe pica gjatë gjithë periudhës së trajnimit të tij ekstrem. Ndërsa xhajamkani i 100 metrave, Blake thotë se ai për shumë kohë kishte ndjekur një dietë vetëm me banane, për të mbajtur lart nivelin e potasit. Peshëngritësi britanik Jacke Oliver thotë se çdo mëngjes pi një përzierje që përmban kolostrum, një qumësht që është shumë i pasur me proteina, që prodhohet vetëm gjatë fazës së fundit të shtatzënisë së lopës. Ai thotë se është përpjekur që t’ua japë edhe të tjerëve që ta provojnë këtë qumësht, por njerëzit nuk duan, nuk e pëlqejnë. Ish-kampioni olimpik japonez Naoko Takahashi, një vrapues i shkëlqyer, deklaroi, para mediave se konsumonte deri në 2 kg peshk, pas një sesioni stërvitjeje. “Unë ha vetëm dy herë në ditë, por ha shumë”, ka thënë fituesi i disa medaljeve të arta në Olimpiadën e Sindeit, në vitin 2000. Megjithatë, është e rrallë për atletët që të hanë shumë, pra, në sasi të mëdha. Phelbs, për shembull, që ka një oreks jashtëzakonisht të madh, është një përjashtim dhe se shumica e atletëve janë shumë më të përkorë në të ushqyer. Në rastin e Phelbs-it ai ndihmohet shumë nga një sistem metabolizmi i jashtëzakonshëm, që arrin të konsumojë dhe të tresë një sasi shumë të madhe ushqimore dhe ushqimesh me yndyrë. Por atletë të tillë janë të rrallë. Zakonisht një atlet, kur kalon edhe një moshë të caktuar, duhet të tregojë shumë kujdes me dietën e tij. Për sa i përket sportit, suksesit sportiv dhe sigurisht lidhjes së tij me ushqimin, një fakt është i sigurt se ushqimi i mirë që nga fëmijëria është shumë i rëndësishëm për arritjet e mëtejshme. Një dietolog sporti britanik ka bërë një studim, në të cilin del në pah edhe rëndësia e vitaminës D në forcimin e trupit dhe në ruajtjen e tij nga plagosjet. Kështu, sipas tij, atletet kineze, të cilat kanë një dietë shumë të pasur me vitaminë, D kanë një masë muskulore shumë më të mirë se ajo e atletëve të tjerë. I tillë është rasti i notares kineze Ye Shiëen, që pati një performancë shumë të mirë në këtë olimpiadë. Ndërkaq, studime të tjera tregojnë se atletët e rinj në vendet e Europës Veriore, si: Britania e Madhe, Finlanda, Gjermania, etj., kanë shpesh një mungesë të dukshme të vitaminës D,për shkak të mungesës së diellit. Mirëpo kjo vitaminë është shumë e mirë edhe për reduktimin e nivelit të stresit, të frakturave, si dhe të infeksioneve kryesisht edhe në rrugët e frymëmarrjes.


Vitaminën D ndërkohë mund ta gjesh edhe tek ushqime të tilla, si vezët, peshku, por rrezet e diellit janë më të rëndësishme në këtë rast. Në sportin e tenisit ata atletë që kanë mungesë të vitaminës D, pësojnë më shumë fraktura dhe shembje, krahasuar me të tjerët. Gjithsesi, është e nevojshme të bëhen studime të mëtejshme, në lidhje me të gjitha anët pozitive të kësaj vitamine, që është vitale për njerëzit dhe veçanërisht edhe për paraqitjen e sportistëve. Shumë atletë e marrin këtë vitaminë në rrugë artificiale. Gjithashtu, marrin edhe vitamina dhe elemente të tjera, si: magnesium, hekur, proteina, kreatina, karnitina dhe aminoacide, të cilat përmirësojnë shëndetin. Por me përmirësimin e standardeve të testit të drogave nga viti në vit po shtohet gjithnjë e më shumë lista e substancave të ndaluara, çka përbën një pakësim të mundësive për atletët, që shpesh varen nga vitamina apo përforcues të ndryshëm. Kjo sepse atletët jetojnë një jetë shumë ekstreme fizikisht dhe bëjnë ushtrime që kanë një lodhje përtej asaj të një personi normal, si pasojë edhe ushqimin apo vitaminat i duan në një përmasë dhe formë të ndryshme, që t’i mbështesë në të gjithë këtë ngarkesë. Për mjekët që merren me atletët dhe sidomos për dietologët, pika më e vështirë është ndërprerja e zakoneve ushqimore të fëmijërisë së atletëve dhe mësimi me një dietë, që është shumë specifike dhe mund të mos ngjajë fare me dietën e zakonshme që kanë ndjekur deri në këtë moment. Me kalimin e kohës, pjesa më e madhe e atletëve me përvojë e kupton se sa i rëndësishëm është një ushqim apo një dietë për paraqitjen e tyre dhe duke u vetëdisiplinuar ndryshojnë.


Të hash në fshatin olimpik


Në zemër të fshatit Olimpik në Londër ka një mensë që qëndron e hapur 24 orë, ku atletët shuajnë urinë dhe etjen çdo ditë. Ajo ka një kapacitet 5000 vendesh, prodhon 60 000 vakte në ditë


250000 feta buke konsumohen


75 0000 litra qumësht


16 numri i bananeve që konsumon në një ditë sprintieri xhamajkan Blake, për të mbajtur lart nivelin e potasit


1.2 milionë vakte do të shërbehen në olimpiadë


330 tonë fruta dhe perime


50 numri i copave të sushit që konsumon maratonomistja japoneze Takahashi