Antonio Banderas dhe Melanie Griffith, çifti i këndshëm hollivudian kanë pasur uljet dhe ngritjet e tyre gjatë martesës 16-vjeçare, por ata gjithsesi duket se i kanë rezistuar të gjitha thashethemeve që flisnin për një krisje të marrëdhënies së tyre, kur janë bërë shembulli i një familjeje të bashkuar dhe të lumtur gjatë një mbrëmjeje gala ditëve të fundit, bashkë me vajzën e tyre të mrekullueshme, Stella del Carmen.



16-vjeçarja, fryt i dashurisë së prindërve të saj të famshëm, me sharmin dhe bukurinë e saj natyrale duket se ua ‘vodhi’ të gjithë vëmendjen dy aktorëve të Hollivudit, duke qenë se të gjithë sytë u përqendruan tek ajo. Duke qenë se nuk është ekspozuar shumë në media, ajo dukej e rritur, një grua e vërtetë që nga pamja e jashtme ka marrë gjithë bukurinë dhe thjeshtësinë e nënës së saj, Melanie Griffith.



Adoleshentja dukej e mahnitshme dhe shumë natyrale me një make up të thjeshtë, me flokët biondë të kapur njësoj si nëna e saj dhe me një fustan të gjatë me ngjyrë të zezë, po ngjashëm me të. Fëmija i vetëm i Melanie Griffith, 54 vjeç dhe Antonio Banderas, 51 vjeç, Estela dukej në fakt një kopje e Griffith në epokën e saj më të lavdishme kur shkëlqente në karrierën e saj kinematografike, ndërsa Banderas ndihej shumë i lumtur teksa pozonte me dy gratë e jetës së tij.



Çifti i të famshmëve pak kohë më parë u përfshinë nga një valë thashethemesh që flisnin për një krisje të martesës së tyre teksa Griffith u shfaq pa unazën e martesës disa herë rresht në daljet e saj publike dhe mendohej se zërat për një lidhje jashtëmartesore të Banderas ishin shkaku i prishjes së marrëdhënies. Por me daljen e tyre të fundit publike, së bashku me Estelën, çifti i aktorëve, që zakonisht u kanë ndenjur larg mediave dhe paparacëve, krijuan imazhin e një familjeje më se unike.


5 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)