Dhjetëra njerëz me biçikleta, të zbukuruara me tullumbace dhe flamuj ylberi, kanë marshuar në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, në paradën e parë homoseksuale të vendit komunist. Ndërkohë, së shpejti vendimi i qeverisë së Hanoi për të legalizuar martesën e homoseksualëve do ta bënte Vietnamin vendin e parë në Azi që bën një gjë të tillë


Ngjarja, e organizuar nga komuniteti lesbik, homoseksual dhe biseksual i vendit, është zhvilluar me pjesëmarrjen e rreth 150 aktivistëve, të cilët kanë hedhur parulla në mbrojtje të komunitetit gay dhe të drejtës së tyre për t’u martuar dhe për të krijuar familje.


Në Vietnam, vend i cili karakterizohet nga morali konfucian, gay-t janë akoma objekt i karikaturave tallëse dhe homoseksualiteti konsiderohet ende një sëmundje nga e cila mund të shërohesh, por në një deklaratë të papritur, muajin e kaluar, ministri i Drejtësisë, Ha Hung Kong, ka thënë se është koha që të merret në konsideratë njohja e martesave ndërmjet gjinive të njëjta.


Vendimi për të lejuar martesa brenda të njëjtit seks pritet të merret majin e vitit të ardhshëm dhe mendohet t’u japë çifteve gay të drejta të tilla si mundësinë për të ndarë pasuri të përbashkët apo adoptuar fëmijë.


Ky do të ishte në fakt, një lloj revolucioni për vendin i cili deri pak vite më parë e shihte homoseksualitetin si një mallkim shoqëror të ngjashëm me varësinë nga droga apo prostitucioni dhe shumë vetë madje kishin frikë të flisnin për këtë temë në ambiente publike.

5 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)