Elton John e ka përshkruar këngëtaren e madhe amerikane, Madonna, si një striptiste të rëndomtë. Gjatë një interviste për një TV australian në programin “SundayNight”, britaniku nuk i ka kursyer kritikat e ashpra për mbretëreshën e popit, duke u ndalur veçanërisht tek turi i saj më i fundit, të cilin e ka konsideruar një katastrofë të vërtetë.


“Karriera e Madonna-s tashmë ka prekur fundin. Ajo e kishte mundësinë që të mbetej dhe të mbahej mend si një këngëtare e madhe, por deshi ta ekzagjeronte. Turi i saj është një dështim i madh, një katastrofë”, – u shpreh Elton John.


Në fakt turi i fundit i Madonna-s nuk ka kaluar pa rënë në sy si rezultat i skandaleve të njëpasnjëshme. Fillimisht zhgënjimi i madh i fansave gjatë koncertit të mbajtur në Paris, i cili zgjati vetëm 45 minuta, ndërkohë që fansat kishin paguar qindra euro për ta parë të performonte; më pas gjatë koncertit në Kiev ngatërron flamurin rus me atë ukrainas; dhe për ta mbyllur me koncertin në Turqi, ku Madonna, gjatë performancës së saj kaloi në ekstrem duke nxjerrë njërin gjoks, çka u shoqërua me kritika të ashpra në drejtim të saj.

6 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)