Seanca shoqërohet me akuza mes kryeministrit dhe deputetëve socialist
Seanca e sotme e Kuvendit është shoqëruar me debate të ashpra dhe akuza të ndërsjella mes mazhorancës dhe opozitës. Kryeministri Berisha ka akuzuar opozitën se dëshiron të bllokojë statusin për të tretën herë dhe se për këtë do të marrë përgjigjen nga qytetarët në zgjedhjet e 2013-tës. “Ju kërkoni që ky votim të bëhet në shtator, bllokoni sot dhe vetëm me një qëllim për të bllokuar statusin për të tretën herë, ju bllokoni për të bllokuar statusin për të tretën herë dhe përcaktoni si kusht atë pushtet që shqiptarët s’ua japin, të caktoni si kusht që ne të pranojmë që ju të bllokoni shtetin ose të kapni krerët e institucioneve kushtetuese, dhe këtë e bëni me qëllime më të papranueshme për shqiptarët. Ju kërkoni kushtetutën e sundimit të pakicës. E keni këtë nga mendësia e etërve tuaj, apo nga pesimizmi absolut pasi jeni në një tunel pa dritë dhe fitore nuk shihni kurrë, kjo është puna e juaj. Po të kërkosh që kreu i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm, Kontrolli i Lartë i Shtetit të votohet me 3/5. Cili është modeli që ofroni ju? Latë dy vjet me radhë shtetin pa ombudsman”, akuzoi Berisha, duke mos i kursyer akuzat për deputetët e PS-së dhe kreut të saj. Kryeministri Berisha i ka thënë deputetit Saimir Tahiri: “Ke punë shumë ti me ilaçet, ndaj të duhet imuniteti ty, thuaji këtyre të tjerëve fakirëve që s’kanë punë me doganat. Se ti je nga çekistët që kundërshton heqjen e imunitetit. Se kërkon traun e doganës për ilaçet”. Ndërkohë që Tahiri ka akuzuar Berishën në lidhje me pasurinë që ka vendosur shoferi i tij personal.
“Kush është Met Shkreli zoti kryeministër? Është një oficer në Garde, prej më shumë se 10 vjetësh është shofer i Berishës. Ai ka blerë 49% të aksioneve të shoqërisë “Miti 03″ dhe ka një galeri kromi në Bulqizë. Mendoni se ku është katandisur pasuria kombëtare. Çfarë lloj imuniteti ka shoferi yt, përveç të pasurit imunitet personal prej teje. Nuk ka shofer kryeministri në botë që të ketë galeri kromi. Kemi më shumë se 5 muaj që kërkojmë interpelancë për masakrën që po ndodh në Bulqizë”, akuzoi Tahiri.
Në fillim të seancës, deputeti socialist Fatmir Xhafa e quajti debatin e sotëm si një debat të njëanshëm, dhe të imponuar. Ai tha se opozita është pro votimit të nismës, por nuk do e votojë në tërësi.
6 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)