Skema e PS-së për votën në seancën e sotme. Në orën 09.00 mblidhet grupit i opozitës. PD-ja, thirrje Ramës për të votuar ndryshimet


BLEDAR HOTI


Partia Socialiste do të mbledhë sot në orën 09.00 grupin parlamentar për të mbajtur qëndrimin final në lidhje me votimin për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit. Sipas burimeve, mësohet se grupimi më i madh i opozitës pritet të mbajë qëndrimin final për votimin për ndryshimin e Kushtetutës. Edhe pse nuk ka qëndrim final, pritet që PS-ja të mos e japë votën për ndryshimin e Kushtetutës, pasi ajo ka kërkuar shqyrtimin e plotë të paketës së saj për ligjin themeltar të shtetit shqiptar. Gjithsesi, vendimi final pritet të merret ditën e sotme. Sot është dita e fundit për arritjen e një kompromisi politike mes mazhorancës dhe opozitës për çështjen e imunitetit dhe ndryshimin e Kushtetutës. Heqja e imunitetit shihet si një nga kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat, vlerësim që për Shqipërinë pritet të bëhet në muajin shtator. Një nga skemat që përflitet është se PS-ja do të jetë e pranishme në seancën e votimit. Deputetët e PS-së do të kërkojnë të flasin për ndryshimet kushtetuese dhe nuk do të jenë të paktë në numër. Më pas në momentin e votimit opozita pritet të mos e japë votën e saj. Kjo është skema e opozitës për ndryshimet Kushtetuese. Nga ana tjetër, nuk është vendosur ende skema që mund të përdorë mazhoranca. Demokratët prej ditësh kanë bërë thirrje ndaj socialistëve që të japin votën e tyre pro ndryshimeve kushtetuese. Apeli më i fundit u lëshua nga zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi, e cila në deklaratën për median theksoi se “Partia Demokratike fton z. Rama ta shndërrojmë datën 6 gusht në një ditë të bardhë për çdo shqiptar, duke hequr imunitetin dhe shembur me votën tonë murin e zi të korrupsionit që nuk lejon Shqipërinë të marrë statusin e vendit kandidat. Partia Demokratike fton kryetarin e Partisë Socialiste të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit për zyrtarët e vendit, duke bllokuar kështu statusin e vendit kandidat, por të lejojë deputetët e Partisë Socialiste që me votën e tyre të shndërrojnë 6 gushtin në një fitore të vërtetë për të gjithë shqiptarët, përfaqësuesit dhe forcat e tyre politike”. Më tej PD-ja thekson se “duke kërkuar në shkëmbim të votës së tij për heqjen e imunitetit përmbysjen e Kushtetutës demokratike me kushtetutën e sundimit të pakicës, z. Rama dëshmon se atë që ai nuk merr dot me vota kërkon ta marrë me pazare për interesa të ngushta të këshillit të miliarderëve të Partisë Socialiste. Duke ftuar edhe njëherë z. Rama të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit, Partia Demokratike garanton shqiptarët se asgjë nuk do ta pengojë verdiktin e tyre për rrëzimin e murit të korrupsionit me votën e tyre të lirë”. Pikërisht kjo pritet të jetë edhe karta e PD-së kundër liderit të opozitës, nëse nuk jepet vota e sotme në seancë. Por ende është i paqartë fakti nëse kryeparlamentarja Jozefina Topalli do t’i hedhë për votim ndryshimet kushtetuese. Nëse ato hidhen dhe nuk votohen, atëherë i bie që vetëm pas një viti mund të paraqiten sërish për votim. Kjo, për faktin se e pengon sanksioni i vendosur në nenin 177 të Kushtetutës. “1. Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit. 2. Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme. 3. Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. 4. Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projekt-amendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Projektligji për rishikimin e Kushtetutës hyn në fuqi pas ratifikimit me referendum, i cili bëhet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend. 5. Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. 6. Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës. 7. Ligji i miratuar në referendum shpallet nga Presidenti i Republikës dhe hyn në fuqi në datën e parashikuar në këtë ligj. 8. Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum”, thuhet në nenin 177 të Kushtetutës. Opozita në paketën për ndryshimin e Kushtetutës, veç heqjes së imunitetit ka propozuar edhe një skemë të re të zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe të anëtarëve të gjykatave. Ajo kërkon që në të ardhmen këta drejtues të zgjidhen me një shumicë të cilësuar votash. Por një gjë e tillë ende nuk pranohet nga ana e Kryeministrit Sali Berisha, i cili e cilëson si një kërkesë për bllokim dhe krijimin e një qeverie pakice.


 


6 gusht – Seanca e 6 gushtit parashikon votimin e ndryshimeve kushtetuese, që kanë të bëjnë me kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë


Socialistët – Grupi parlamentar socialist do të mblidhet sot në orën 09.00 për të mbajtur qëndrimin final mbi votimin e seancës së 6 gushtit për imunitetet


Demokratët – PD-ja i bën thirrje opozitës dhe liderit të PS-së, Edi Rama, që të japë votën pro ndryshimeve të Kushtetutës dhe të mos e bllokojë integrimin


Kushti – Nëse hidhet për votim dhe nuk miratohet, atëherë këto ndryshime kushtetuese mund të hidhen sërish vetëm pas një viti. Këtë e parashikon Kushtetuta


 


Opozita


Nënkryetari i grupit të PS-së fajëson elitat për gjendjen e korrupsionit


Braçe: Kjo, republika e korrupsionit, prek qeverinë deri tek elitat


“Ne kemi një Kryeministër të korruptuar! Ne kemi një qeveri të korruptuar! Ne kemi një Kuvend të korruptuar! Ne kemi një shtet të kapur dhe kapja e shtetit ka bërë që ne të kemi: elitë politike, elitë ushtarake, elitë ekonomike të korruptuar! Kjo është ‘republika e korrupsionit’!”. Kështu shkruan deputeti i PS-së, Erjon Braçe në rrjetin social “Facebook”. Në qëndrim e tij, nënkryetari i grupit të PS-së, thekson se “pa diskutim që në thelb të një korrupsioni ‘absolut’ qëndron vendimmarrja politike e administrative. S’ka asnjë dyshim që PS-ja ka qenë haptazi kundër kësaj vendimmarrjeje, të paligjshme e të korruptuar që po shet, po e privatizon Atdheun, burimet natyrore kombëtare, shërbimin publik, kontratat publike, çdo të mirë të përbashkët!”. “Por të ishte vetëm vendimmarrja e korruptuar, politike apo administrative, zgjidhja do të ishte e thjeshtë: votë e fortë kundër kësaj elite politike të korruptuar! Gjithë-gjithë 150 burra e gra bëhen dhe beteja me ta është jetike, por fitohet me moral të fortë dhe angazhim të qartë e të ndershëm. Parimor dhe radikal mbështetur në ligj e Kushtetutë. Rreziku më i madh që i kanoset këtij vendi, të ardhmes sonë është qëndrueshmëria e elitave ekonomike të korruptuara (pra ‘familja’, ‘oborri’, ‘klientela’), pavarësisht rotacionit të pushtetit politik apo administrativ, qeverisja përmes logjikës së njëjtë të ‘shitjes së gjithçkaje’ apo ‘Atdheut privat’, kushtëzuar fort nga e njëjta elitë ekonomike e korruptuar! Në krah të politikës apo edhe brenda saj”. Sipas tij, asnjë privatizim apo koncesion i dhënë nuk është realizuar në mënyrë të drejtë, kjo edhe te licenca e lotarisë kombëtare.


Privatizimet


Nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, ka denoncuar disa herë privatizimet e kryera nga qeveria në sektorët gjeostrategjikë


 


Demokrati


Beja: Votimi në shtator i imunitetit djeg statusin e vendit kandidat


Vlerësimi nga Brukseli për notën që do t’i vërë këtë vit Shqipërisë për punën e bërë në përmbushje të detyrimeve për marrjen e statusit kandidat, nis pikërisht në muajin shtator. Për këtë arsye, sipas Fatos Bejës, nëse dhe ndryshimi kushtetues për imunitetin nuk votohet në këtë muaj, siç kërkon opozita, ai nuk do të ketë asnjë efekt te statusi, duke e rrezikuar seriozisht dhe për të tretin vit. “Është mirë që në datën 6 të mbyllet kjo histori. Ka nevojë Shqipëria që ky vendim i Parlamentit shqiptar t’i përcillet Brukselit në të gjitha kancelaritë. Të jetë e qartë që kur të fillojë shtatori, ata fillojnë përsëri nga analiza e arritjeve. Do të ishte mirë që ta kishim në 10-11 korrik kur bëmë takimin në Bruksel. Për fat të mirë, patëm reformën elektorale”, deklaroi për “AS TV”, kryetari i Komisionit të Jashtëm, Fatos Beja. Ndërsa për sa i përket të drejtës së përgjimeve që realizohen me këto ndryshime të Kushtetutës për kufizimin e imunitetit, Beja shprehet i hapur për një gjë të tillë. “Unë nuk kam asnjë rezervë që të përgjohem në të gjitha bisedat e mia telefonike. Për sa kohë që je brenda kuadrit ligjor, asnjë merak, asnjë frikë, asnjë qytetar dhe aq më tepër një deputet i zgjedhur. Hiqet dhe justifikimi i prokurorisë se pengon imuniteti për të ecur më tej në hetimin e çdo lloj krimi”, deklaroi Beja. Kundrejt deklaratave të opozitës, se nuk do ta votojë në këtë datë, ajo që mbetet për t’u parë është qëndrimi i mazhorancës. Nëse do ta hedhë në votë duke rrezikuar djegien për 1 vit të kësaj nisme, apo do ta shtyjë për në shtator, duke i dhënë një shans të dytë.


 


Vlerësimi


Për deputetin e PD-së, Fatos Beja, mosndryshimi në gusht i Kushtetutës mund të ketë pasoja për marrjen e statusit të vendit kandidat