Monti për “Spigel”: Nëse euro do të bëhet një faktor ndarjeje, do të shkatërroheshin themelet e Europës
Kriza aktuale e euros rrezikon të çojë në shpërbërjen e Europës. Kjo është deklarata e Mario Monti-t në një intervistë të dhënë për revistën gjermane “Spiegel”. “Tensionet që po shoqërojnë prej vitesh Eurozonën kanë ngjyrimet e një shpërbërjeje psikologjike”, tha ai. Kryeministri italian, që mori drejtimin e vendit në një moment shumë të vështirë të krizës ekonomike, shtoi se, nëse euro do të bëhet një faktor ndarjeje për Europën, atëherë do të shkatërroheshin vetë themelet e Europës. Në intervistë, Mario Monti vlerëson shumë lajmërimin e Mario Draghi-t për ndërhyrjet e mundshme të Bankës Qendrore Europiane, sepse tregu i eurobondeve, prej vitesh, sipas tij, është shumë i turbullt. Për këtë arsye Kryeministri italian i fton partnerët europianë të zgjidhin sa më shpejt këto probleme dhe qeveritë europaine për të ruajtur lirinë e veprimeve, për sa i përket parlamenteve përkatëse. “Nëse qeveritë do të dhunonin të gjitha vendimet e parlamentit, pa mbajtur një hapësirë të nevojshme për të manovruar, atëherë një disintegrim i Europës do të ishte më i mundur se sa integrimi i saj”. Kryeministri italian foli edhe për tonet “antigjermane” që kanë shpërthyer kohët e fundit në Itali, me akuzën e një Gjermanie të ashpër dhe arrogante. Nëpër disa të përditshme italiane Angela Mergel është cilësuar si krijuese e Rajhut të katërt gjerman. Aty dënohen politikat e Mergel-it se kanë kufizuar autoritetin e Bankës Qendrore Europiane për të vepruar në mënyrë efektive në zgjedhjen e krizës së borxhit në Eurozonë. Po ashtu, aty cilësohet autoriteti i tepruar dhe shtrirja e kontrollit që Kancelarja gjermane ka krijuar në Eurozonë dhe në të gjithë institucionet më të rëndësishme europiane. “I kam thënë Kancelares për rritjen e ndjenjës kundër Bashkimit Europian, kundër Euros, kundër gjermanëve dhe madje edhe kundër Kancelares. Por ky është një raport që shkon përtej raportit mes Gjermaninë dhe Italisë. Tensionet që prej vitesh shoqërojnë eurozonën kanë ngjyrimet e një shpërbërjeje psikologjike të Europës. Duhet të punojmë shumë për t’i kundërshtuar”. Gjithashtu, ai foli për mundësinë për të shpëtuar Italinë nga shkatërrimi financiar. “Nëse gjithçka shkon sipas planeve, do të qëndroj në detyrë deri në prill të 2013-s dhe shpresoj se deri atëherë do ta kem shpëtuar Italinë nga shkatërrimi financiar”. Spiegel saktëson se veprimi i tij mbështet “mbështetjen morale të disa miqve të BE-së, me Gjermaninë në krye: mbështetje morale dhe jo financiare”, saktëson Kryeministri italian. Në fund ai thekson se shqetësimet gjermane dhe të vendeve veriore të Europës për faktin se ndihmat e BQE për vendet më të dobëta të eurozonës mund të ngadalësojnë procesin e reformave “janë të pabaza”. Ndërkaq, sipas “S&P” një recesion më i thellë dhe i gjatë parashikohet për Italinë, me efekte edhe tek bankat e këtij vendi. Ky është parashikimi i bërë së fundmi nga agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard & Poor’s”. Sipas agjencisë, prodhimi i brendshëm bruto i Italisë do të pësojë rënie me 2,1% në vitin 2012 dhe 0,4% në 2013. “Krahasuar me vendet e tjera të Zonës Euro, si Franca apo Gjermania, ekonomia italiane nuk e ka marrë veten pas recesionit të viteve 2008-2009 dhe pasojat e kësaj situate të ekonomisë reflektohen tek institucionet financiare”, thekson agjencia.
Intervista
Në intervistë Mario Monti vlerëson shumë lajmërimin e Mario Draghi-t për ndërhyrjet e mundshme të Bankës Qendrore Europiane, sepse tregu i eurobondeve prej vitesh, sipas tij, është shumë i turbullt
Disintegrimi
Nëse qeveritë do të dhunonin të gjitha vendimet e parlamentit, pa mbajtur një hapësirë të nevojshme për të manovruar, atëherë një disintegrim i Europës do të ishte më i mundur se sa integrimi i saj
Shpëtimi
Ai foli për mundësinë për të shpëtuar Italinë nga shkatërrimi financiar. “Nëse gjithçka shkon sipas planeve, do të qëndroj në detyrë deri në prill të 2013-s dhe shpresoj se deri atëherë do ta kem shpëtuar Italinë nga shkatërrimi financiar”