Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës i kanë bërë thirrje presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga të japë dorëheqje nga posti i saj në mënyrë që t’u hapë rrugën reformave kushtetuese e zgjedhore në vend. Presidentja Jahjaga ishte zgjedhur në këtë post më 7 prill të vitit 2011 nga Kuvendi i Kosovës mbi bazën e një marrëveshjeje politike ndërmjet liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së të lehtësuar nga ambasadori amerikan në largim, Cristofer Dell.
Ajo marrëveshje i përcaktonte Jahjagës një mandat të shkurtuar të postit të presidentes, përkatësisht deri në përfundimin e reformës kushtetuese, sipas të cilës, presidenti në të ardhmen zgjidhej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vota e popullit.
Megjithatë, gjatë muajit korrik, Gjykata Kushtetuese e konsideroi antikushtetuese marrëveshjen e liderëve politikë në pikën ku përcaktohej shkurtimi i mandatit të presidentes, duke i njohur kështu Jahjagës mandatin e plotë pesëvjeçar.
Tani, rrugëdalja nga kjo gjendje, sipas deputetes së LDK-së, Vjosa Osmani, anëtare e Komisionit për reformën kushtetuese, është që Jahjaga të japë dorëheqje, raporton Radio Evropa e Lirë.
Nga ana tjetër, deputetët e LDK janë shprehur se, nëse Jahjaga nuk ofron dorëheqjen dhe partitë e koalicionit qeverisës nuk e zbatojnë marrëveshjen, atëherë LDK-ja, si kundërpërgjigje, nuk do t’i votojë ndryshimet kushtetuese dhe as reformën zgjedhore.
6 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)