Protesta “Ligji nuk i lejon pallatet 100 metra larg detit, qeveria i fut ndërtimet në det”


Aleanca Kuq e zi zhvilloi dje një protestë në qytetin e Vlorës në bregun e “Ujit të Ftohtë”. AK-ja dhe simpatizantët e saj protestuan për betonizimin e bregdetit të Vlorës. Aleanca Kuq e Zi, sipas njoftimit për shtyp, “e konsideron bregdetin shqiptar pasuri kombëtare dhe jo private e qeveritare, as të Sali Berishës dhe as të sekserëve të tij, që sot janë mbuluar me petkun e pushtetit të korruptuar”. Përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi deklaruan se ndërtimi i pallateve shumëkatëshe, në afërsi të bregdetit, është një akt barbar dhe i pamëshirshëm i pushtetarëve që Shqipërinë e konsiderojnë jo tokën amë, por tokën e pasurimit të dhjetë brezave të tyre në kurriz të shqiptarëve, të zhytur në krizën ekonomike. Aleanca Kuq e Zi denoncon mbështetjet që Sali Berisha u ka dhënë dhe u jep ministrave të tij, të cilët kanë ndërtuar pallatet përtej limiteve teknike dhe natyrore në bregdetin Jonian, më pak se njëqind metra larg detit. Për AK-në, ky fakt nuk është asgjë më shumë se sa prova e mungesës së mëshirës që Sali Berisha ka për pasuritë kombëtare dhe prova jetike se ai lëshon lëvdatat për Jugun, sepse ka në planin e tij vetëm pastrimin e parave në kurriz të shqiptarëve. Aleanca Kuq e Zi denoncon “orgjinën” e klasës politike shqiptare, e cila në qytetin e Vlorës është e prekshme dhe e pranishme me prova konkrete, ku janë ndërtuar pallate me paratë dhe pushtetin e demokratëve, por pa harruar lejen e socialistëve. Aleanca Kuq e Zi deklaron me vendosmëri se drejtësia do të vihet në vend dhe çdo pallat i ndërtuar, që cenon kushtet dhe sigurinë urbane, do t’i nënshtrohet hetimit dhe do të shkatërrohet nëse do të jetë në mospërputhje me kushtet dhe rregullat urbane. Aleanca Kuq e Zi u premton qytetarëve të Vlorës se, duke nisur nga viti 2013, do t’i ktheje publikut bregdetin e Vlorës, të marrë peng nga ministrat dhe pinjollët e Sali Berishës. Në deklaratën e tyre, përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi nuk lanë pa akuzuar qeverinë, bashkë me pushtetin lokal për këtë fenomen. Mes të tjerave, AK-ja tha se Berisha po përdor bregdetin për të pastruar para. “Bregu nuk është pasuri qeveritare, por pasuri kombëtare. Ligji nuk i lejon pallatet 100 metra larg detit, qeveria i fut ndërtimet në det. Berisha përdor bregdetin për të pastruar para, ndërsa ne do të shkatërrojmë çdo pallat. Ndërkohë që demokratët ndërtojnë pallate, kryebashkiakët i nënshkruajnë vendimet. Premtojmë se, në sezonin e ardhshëm turistik, ne do t’i kthejmë bregun Vlorës”, thuhet në deklaratën e përfaqësuesve të Aleancës Kuq e Zi.