Ngjarja e dyfishtë brenda territorit të uzinës mekanike në Poliçan. Policia ndalon dhunuesin e kufomës
Xhelozia e shtyn drejt krimit të vrasjes, e më pas drejt vetëvrasjes një 45-vjeçar nga Poliçani. Ngjarja e dyfishtë ka ndodhur mëngjesin e sotëm, brenda uzinës mekanike në Poliçan, ku roja Gëzim Dervishi ka qëlluar për vdekjen me armën e shërbimit Vladimir Gurin, 49 vjeç, i cili mbante detyrën e shefit të sigurisë në repartin e demontimit të armëve. Ky i fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme nga plagët e marra dhe çdo përpjekje për ti dhënë ndihmën e parë ka rezultuar e kot. Ndërkohë autori i krimit, në kushtet e një depresioni të fortë, është vetëvrarë me të njëjtën armë. Pas marrjes së lajmit, vëllai i Gurit ka mundur të hyjë në ambientet e brendshme të uzinës dhe ka prerë me sëpatë kokën e vrasësit. Më pas ka arritur të largohet, për tu arrestuar pas 5 orësh nga policia. Ndërkohë koka e 45-vjeçarit është gjetur e dëmtuar nëpër disa ferra. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, por hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë marrë përsipër nga prokuroria ushtarake, për shkak se uzina është nën juridiksionin e Ministrisë së Mbrojtjes. Paraprakisht dyshohet se shkak i ngjarjes është bërë xhelozia e Dervishit, i cili kishte dyshime të forta se Guri i kishte ngacmuar bashkëshorten. Megjithatë grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të motiveve e rrethanave, dhe vetëm pas disa orësh do të mund të dali në një konkluzion zyrtar për ngjarjen e dyfishtë.
6 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
