Kreshnik Spahiu flet për një koalicion zgjedhor pa dy partitë e mëdha
Drejtuesi i Aleancës Kuqezi deklaron se lëvizja që ai drejton po përgatitet të drejtojë një koalicion të sajin për zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Në një intervistë për “Top Channel”, Spahiu deklaron se prej kohësh AK ka nisur negociatat me aleanca me parti të vogla dhe aktualisht janë 15 të tilla që pritet të zyrtarizohen në krah të kësaj lëvizjeje për zgjedhjet e ardhshme. Në mënyrë të qartë, Spahiu deklaron se AK do të marrë votat e të pakënaqurve nga të dy partitë e mëdha, qofshin këto të Partisë Demokratike apo të Partisë Socialiste, pa harruar këtu edhe elektoratin indiferent, i cili prej vitesh nuk voton. “Ne kemi zgjedhur mënyrën e koalicionit me të zhgënjyerit, të papunët, me lëvizjet patriotike, kemi afro 15 parti të vogla, të cilat nuk i publikojmë, për të mos u bërë subjekte të presionit nga regjimi mafioz i Sali Berishës dhe ne natyrisht kërkojmë një pjesë të elektoratit pa hyrë në terrenin e dy partive të mëdha. Mendojmë se ka një shtresë, e cila është kundër PD-së dhe PS-së”, deklaroi Spahiu, duke kërkuar të qëndrojë njësoj i distancuar nga dy partitë e mëdha në vend. Po kështu, Spahiu deklaroi se AK do të synonte t’u jepte shqiptarëve një alternativë më efikase për të arritur zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij. Kreu i AK-së deklaroi se në Shqipëri votojnë vetëm 38 për qind e votuesve, duke pasur një potencial prej 62 për qind votuesish të paaktivizuar në ditën e votimeve. “Shqiptarët kanë përfunduar në 38% që votojnë PD-në dhe PS-në se i shikojnë si dy trena relike të vjetër. Njëri tren rus dhe tjetri tren kinez dhe fatkeqësisht kanë mbetur në udhëkryq. Është koha natyrisht, që shqiptarët të gjejnë një tren alternativ më të shpejtë”, deklaroi Spahiu, duke shtuar se ky tren duhet të drejtohej nga AK-ja.