Masakra
Roja i uzinës mekanike ka vrarë shefin e sigurisë teknike dhe më pas veten, pasi dyshonte se tre muaj më parë, ai i kishte shkarkuar bashkëshorten nga puna
Vëllai i Vladimir Gurit i ka prerë kokën të vetëflijuarit në sy të policisë dhe të ushtarakëve
Mimoza Haxhialiu
Horror në Poliçan. Këtë emër i vënë shumë banorë të tmerruar ngjarjes së djeshme, kur një ushtarak u vra, ndërsa autori u vetëvra, ndërkohë që kufoma e njërit prej tyre, është përdhosur nga vëllai i viktimës tjetër. Krimi i rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në qytezën e Poliçanit, pikërisht rreth orës 09:00 të mëngjesit, në ambientet e brendshme të Uzinës Mekanike. Një prej rojeve ushtarake të kësaj uzine, Shpëtim Dervishi, 45 vjeç, qëlloi me armën e tij të punës mbi shefin e sigurisë teknike, Vladimir Gurin, 53 vjeç, dhe më pas mbi veten. Gjithçka mendohet se ka ndodhur, pasi Guri, tre muaj më parë, dyshohet se ka shkarkuar nga puna gruan e Dervishit.
Vrasja dhe vetëvrasja
Gjithçka ka ndodhur në një kohë shumë të shkurtër dhe nuk është parë nga askush. Por, sipas rindërtimit të vendngjarjes, mendohet se Shpëtim Dervishi kishte lënë vendrojën e tij dhe ishte afruar pranë zyrës së shefit të sigurisë teknike, Vladimir Guri. Në ato momente, Guri ka dalë nga zyra dhe ka debatuar për pak sekonda me Dervishin, që mendohet se e kishte paramenduar vrasjen dhe ka qëlluar ndaj tij. Pasi është siguruar për vdekjen e Gurit, Dervishi ka qëlluar mbi veten, duke u vetëvrarë pranë të njëjtit vend. Punonjësit e Uzinës Mekanike në Poliçan, të cilët ndodheshin në zyra të ndryshme, kanë dëgjuar krismat dhe menjëherë dolën jashtë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Por, në atë kohë, kanë vënë re dy kufomat, pranë njëra-tjetrës.
Dëshmia e ushtarakut
Një nga ushtarakët, i cili ka parë pjesërisht ngjarjen, ka rrëfyer se gjithçka ka ndodhur shumë shpejt. “Kur po dilja jashtë, pasi dëgjova krismat e para, vura re se Shpëtimi, të cilin të gjithë e kanë konsideruar si burrë të mirë, i kishte drejtuar armën vetes dhe qëlloi. Më pas dallova të shtrirë edhe shefin e sigurisë teknike. Të gjithë u grumbulluam shpejt dhe tentuam t’u japim ndihmën e parë, por ata kishin ndërruar jetë në vend. Shpeshherë, të dy viktimat kishin konflikte mes njëri-tjetrit. Shpëtimi i thoshte shpesh Ladit se do më shohësh sherrin, pasi më ke lënë pa bukë në shtëpi. Por, asnjëherë nuk e kishim menduar se ngjarja do të shkonte deri në këtë tragjedi, që më pas, u bë edhe më e rëndë”, tregon ushtaraku, punonjës i Uzinës Mekanike. Sipas të njohurve të tjerë të Shpëtim Dervishit, familja e tij ishte shumë e varfër.
Hetimet dhe motivi
Menjëherë, pas krimit të rëndë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Policisë së Poliçanit, por më pas dhe ato ushtarake. Sipas të dhënave të mbledhura nga dëshmitë e para, rezulton se e gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak të shkarkimit nga puna të bashkëshortes së Dervishit. Kjo e fundit kishte punuar për vite të tëra në Uzinën Mekanike, ndërkohë që tre muaj më parë, e kishin shkarkuar për shkak të shkurtimit të vendit të punës. Megjithatë, i shoqi dyshonte se Vladimiri e kishte ngacmuar dhe pikërisht kjo arsye ka ndikuar në largimin e saj nga puna. Këtë mendohet se ka sjellë reagimin e rojës së uzinës, i cili ka vendosur që dje t’i japë fund, duke vrarë shefin e sigurisë, por edhe veten. Megjithatë, hetimet e mëtejshme do të nxjerrin konkluzionet përfundimtare të kësaj ngjarje të rëndë. Fakti që uzina Mekanike e Poliçanit është nën varësi të plotë të Ministrisë së Mbrojtjes bën që hetimet rreth ngjarjes të kryhen vetëm nga Prokuroria Ushtarake. Ekspertët ushtarakë ndodhen ende në vendin e ngjarjes, duke kryer hetimet, ndërkohë që gjithë uzina Mekanike e Poliçanit është mbajtur e rrethuar nga uniformat blu dhe askush nuk është lejuar të kalojë postbllokun që ndan uzinën nga pjesa tjetër periferike e qytetit të Poliçanit. Veç marrjes në pyetje të punonjësve, pritet të pyeten edhe familjarët e dy viktimave.
Dyshimet
Bashkëshortja e Dervishit kishte punuar për vite të tëra në Uzinën Mekanike, ndërkohë që, i shoqi dyshonte se Vladimiri e kishte ngacmuar dhe pikërisht kjo arsye ka ndikuar në largimin e saj nga puna