Një dhelpër dinake ka habitur pasagjerët e një metroje në Londër, pasi qetësisht hipi në një tren, duke ‘u ulur’ madje edhe në një prej ndenjëseve të tij.

Pasagjerja jo e zakonshme u pa e ulur në një vagon në një linjë pak të frekuentuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në një stacion metroje në Londër. Fotot e pazakonta që tregonin praninë e një kafshe të egër në mes të trenit u postuan më pas në Twieter nga dy të rinj, studentë, të cilët mesa duket kanë qenë në të njëjtën kohë bashkudhëtarë me dhelprën.


Njëri prej tyre, 27-vjeçari i quajtur Stephen Ebert, u shpreh për ‘MailOnline’: “Dyert e trenit u hapën dhe ndjeva se diçka më kaloi midis këmbëve. Shumë i habitur kuptova se bëhej fjalë për një dhelpër. Dukej si një këlysh dhelpre në fakt, dhe dallohej në sy që ishte shumë i frikësuar. U befasova shumë, nuk ndodh çdo ditë që të udhëtosh në të njëjtën metro me një dhelpër”, – u shpreh ai.



Sipas dëshmisë së dhënë prej të riut, dhelpra, e cila me siguri që kishte ngatërruar rrugën ose ishte tërhequr nga drita, ndenji vetëm një çast në tren, kohë mjaftueshme sa për të ‘shijuar’ njërën prej ndenjëseve të tij, dhe më pas u zhduk me shpejtësi nga e njëjta derë prej nga hyri.

7 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)