Banka e Shqipërisë raporton më pak të ardhura për të punësuarit, si pasojë e krizës


Gjergj Erebara


Kriza e konsumit, që u shfaq si një krizë psikologjike nga fillimi i vitit 2011, duket se po kthehet në një krizë reale në Shqipëri, me rënie të të ardhurave për të punësuarit në sektorin privat, gjë që pritet të sjellë edhe rënie të mëtejshme të konsumit.


Banka e Shqipërisë raporton se, ndërsa pagat kanë vijuar në rriten në sektorin shtetëror, ato në sektorin privat kanë shënuar rënie.


“Të dhënat më të fundit, lidhur me ecurinë e pagave në ekonomi, për tremujorin e parë të vitit 2012, janë të pjesshme,” thotë Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit mbi Politikën Monetare. Gjatë këtij tremujori, paga mesatare mujore në sektorin shtetëror përshpejtoi ritmin e rritjes vjetore në 7.3% në terma nominalë dhe në 6.2% në terma realë. Rënia e pagës reale në ekonomi, gjatë tre tremujorëve të fundit të vitit 2011, ndërkohë që numri i të punësuarve në ekonomi është zgjeruar, tregon se përshtatja e tregut të punës, me kushtet në të cilat operon ekonomia vendase, mund të ketë ndodhur kryesisht nëpërmjet reduktimit të pagës reale,” thotë BSH-ja.


“Ndër të tjera, rritja e lehtë e papunësisë mund të ketë ushtruar presion për rënie të pagave. Duhet theksuar se rritja e mëtejshme e të papunëve afatgjatë mund të shtojë presionet për rënie të tyre,” vijon më tej raporti.


Sipas INSTAT-it, treguesi i pagës mesatare në ekonomi u rrit me 3.6% në terma vjetorë gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2011, krahasuar me rritjen prej 8.7% të shënuar gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Normat e larta të inflacionit, që karakterizuan pjesën e parë të vitit, sollën një ngadalësim të ndjeshëm të pagës në terma realë. Ky tregues ra me 0.18% në terma vjetorë në nëntëmujorin e parë. Për sa i përket analizës sektoriale, treguesi i pagës reale shënoi rënie kryesisht në sektorët prodhues të ekonomisë. Paga reale në industri dhe në ndërtim, në nëntëmujorin e parë ra me 1.11% dhe 0.88% në krahasim me vitin e kaluar.


 


Pagat kanë ngecur


Pagat në Shqipëri kanë pësuar rritje të vazhdueshme që nga viti 2000 deri në vitin 2009, duke nisur nga një nivel minimal. Në vitin 2000, shqiptarët paguheshin mesatarisht vetëm 13,355 lekë në muaj, ndërsa në vitin 2009, paga mesatare arriti në 36 mijë lekë në muaj. Të dhënat e INSTAT-it flasin për sektorin publik dhe atë privat në tërësi. Në vitin 2010, paga mesatare ra në afro 35 mijë lekë, ndërsa gjatë vitit 2011 mësohet se rritja ka qenë pothuajse zero. Edhe këtë vit, ecuria e pagave duket e keqe.


 


 


EUROGEDDON


Kriza është një fjalë greke


Kriza e Greqisë u vu fillimisht në vëmendjen e opinionit publik në tetor 2009, kur Jorgos Papandreu dhe qeveria e tij njoftoi se qeveria paraardhëse ka qenë duke manipuluar bilancet. Një muaj më pas, u zbulua se deficiti buxhetor i vitit 2009 qe 12.7 për qind e PBB-së dhe jo 6 për qind siç pati premtuar qeveria në një plan antikrizë, që synonte mbajtjen e situatës nën kontroll.


Popullata nuk qe e lumtur: një grevë masive vijoi në shkurt, ndërsa më mars pati protesta popullore të dhunshme, ku u përdorën bombat molotov.


Edhe tregjet nuk qenë shumë të lumtura. Bondet dhjetëvjeçare të Greqisë filluan të shiten përkundrejt interesit prej 5 për qind në vit në nëntor 2009 dhe me 8 për qind në prill 2010. Investitorët nuk qenë të shqetësuar thjesht për borxhet e stërmëdha të Athinës. Ata qenë gjithashtu të shqetësuar mbi faktin se sa pak konkurruese qe bërë ekonomia e këtij vendi gjatë viteve të konsumit të tepërt, që nga dita e anëtarësimit në euro.


Pagat qenë rritur shumë më shpejt se sa produktiviteti. Rezultati qe që Greqia po përjetonte deficit të stërmadh në deficitin e llogarisë korrente, krahas deficitit të buxhetit të shtetit. Ekonomistët filluan të diskutojnë mbi dilemën nëse është më mirë që Greqia të dalë nga monedha e përbashkët.


Fillimisht Papandreu refuzoi të pranojë se Greqia kishte nevojë për ndihmë. Por në maj kërkoi 110 miliardë euro ndihma (në formën e kredisë së butë), nga të cilat, 30 miliardë u dhanë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.


Marrëveshja në thelb nënkuptonte që Greqia të merrte kredi në këmbim të reformimit dhe shkurtimit të shpenzimeve. Ajo ra dakord që të lejonte monitorim të vazhdueshëm nga trojka e kredidhënësve: Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe FMN-ja.


Por kreditorët e huaj nuk dëshironin që Greqia të ristrukturonte borxhin e vet. Ata qenë frikësuar nga ideja se një gjë e tillë do të infektonte edhe vendet e tjera të dobëta, veçanërisht Irlandën dhe Portugalinë. Për të parandaluar këtë gjë, u krijua Fondi i Stabilitetit Financiar i Europës, një fond me 440 miliardë euro në dispozicion për të shpëtuar nga falimenti vendet e dobëta. Ata shpresuan se vetëm fakti, që kishin një top të tillë antikrizë, do t’i frikësonte tregtarët që po vinin baste se disa vende do të rrëzoheshin dhe që në praktikë, fondet e stabilitetit nuk do të përdoreshin.


Edhe Banka Qendrore Europiane hyri në lojë duke blerë bonde të Greqisë, të Irlandës dhe të Portugalisë në treg të hapur.


Megjithëse kjo nuk e shkeli rregullin e imponuar nga Traktati i Mahstrihtit, ku ndalohet financimi i qeverisë nga Banka Qendrore, një ndërhyrje e tillë qe shumë pranë shkeljes së këtij parimi dhe shkaktoi debate të shumta.


Marrë nga Reuters. Eurogeddon vijon nesër me kapitullin “Monedhë e fortë, vende të dobëta”.