Berisha: Referendum, pavarësisht vështirësive

Kryeministri akuzon sërish liderin e opozitës për bllokim të procesit të integrimit

Kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e qeverisë, ka shprehur qëndrimin e mazhorancës për kryerjen e referendumit, pavarësisht vështirësive. “Pavarësisht nga disa vështirësi të padiskutueshme, referendumi do të bëhet në respekt të plotë të Kushtetutës, në germë e frymë të saj. Asgjë nuk mund ta ndalojë e ta pengojë që të dëgjohet zëri i qytetarëve shqiptarë. Ndaj do t’i kërkojmë Këshillit Legjislativ të Parlamentit të elaborojë platformën për hapat e mëtejshëm të këtij akti madhor, me të cilin qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të shprehen. Zëri i tyre duhet të dëgjohet. Verdikti i tyre duhet të respektohet. Përse ne i lejojmë vetes kaq të drejta që na i delegojnë ata, për të marrë me dhjetëra e qindra vendime, ndërsa ata të mos kenë të drejtë të marrin një vendim për ne, përveçse kur hedhin votën e na zgjedhin? Edhe ata do të kenë të drejtën e plotë të flasin për ne. Kush ka frikë, të dalë mënjanë, të ikë nga politika. Në këto rrethana, nuk na mbetet gjë tjetër veçse, midis një akti votimi të dështuar, që kërkonte 96 vota dhe shumica ishte larg këtyre votave, midis një akti për të larë duart dhe shtytjes përpara të procesit për një nivel të ri transparence, t’u drejtohemi shqiptarëve në një referendum popullor. Ndaj do të ecet drejt referendumit popullor, duke respektuar plotësisht të gjitha përcaktimet ligjore e kushtetuese për referendumin. Koha e zhvillimit të referendumit do të përcaktohet nga institucionet përkatëse, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese dhe institucionet e tjera”, tha Berisha. Kryeministri nuk ngurroi të sulmonte liderin e opozitës për bllokimin që, sipas tij, i bëri procesit të integrimit. “Zoti Rama harron se për çdo qytetar shqiptar është e qartë si drita e diellit se bllokimin dje, të shembjes së murit të korrupsionit dhe bllokimin e statusit të vendit kandidat nuk e bënë qytetarët shqiptarë, socialistët e thjeshtë, demokratët apo qytetarët pa parti, por e bënë kryekëput interesat e lidhura me pasuri të paligjshme, me taksa të fshehura të mamasë, babait apo dajkos, duke përdorur imunitetin me trafiqe të paligjshme, përfshirë edhe “pluhurin” e trafiqe të tjera kriminale, e bënë përfitimet e paligjshme mbi trojet publike e toka të tjera të grabitura. Por a e keni dëgjuar ndonjëherë Fidelin të shqiptojë fjalën biznes apo klimë biznesi në Parlament, apo që t’i thotë kryetarit të tij të mos sulmojë çdo ditë bizneset e huaja? As edhe në një rast të vetëm! E keni dëgjuar ndonjëherë kupolën e PS-së, miliarderët e saj të flasin për interesat e biznesmenëve, qoftë edhe të thonë se qeveria po tregohet klienteliste? Kurrë ndonjëherë! Për ta, përveç pasurimit të tyre të paligjshëm, nuk ekziston kush e asgjë tjetër. Unë i them zotit Rama se ai është aty, për të mbrojtur interesat e socialistëve dhe të qytetarëve, për të dëgjuar zërin e tyre dhe jo zërin e Koços (Kokëdhima) që e ka shndërruar de facto nënkryetar të Partisë Socialiste dhe i cili ka një ksenofobi ndaj investitorëve të huaj dhe investimeve në tërësi. Faktikisht, vendimmarrës de facto është ai, madje më kanë thënë se gjysmën e “Kurbanit”, zoti Rama ua kushton këshillave që ai i jep çdo ditë. Të paktën t’i japë këshillë pozitive”, tha Berisha. B.HOTI

Somario

Deklarata

Zëri i tyre duhet të dëgjohet. Kush ka frikë, të dalë mënjanë, të ikë nga politika

Autor te 8 Gusht 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry