Ndryshe Historia Disa shkodranë me fustanellë

Disa shkodranë me fustanellë

751
SHPËRNDAJE

FATOS BAXHAKU

Ata ishin të fundmit e një “race” në zhdukje, të një kohe kur njerëzit visheshin ndryshe, mendonin ndryshe, luftonin ndryshe, të shkodranëve me fustanella. Mbase pak kujt prej tyre i kishte shkuar asokohe ndërmend se Shqipëria një ditë do të bëhej e pavarur. Për ta vatani, më së pari, ishte Shkodra, qyteti ku lindën, ku jetuan dhe për të cilin ishin gati të jepnin edhe jetën, porse bëmat që lanë pas, për trimëritë apo për fjalët ndër kuvende, frymëzuan më pas breza të tërë shkodranësh. Këngët e tyre të trimërisë nuk këndohen më nëpër dasmat shkodrane, porse emrat, bëmat, gjestet, janë të ngulitura fort në ndërgjegjen e qytetit.

 

Selim Reçi

Ky ishte pinjoll i një familjeje të njohur, e ardhur në Shkodër me kohë, nga Reçi i Malësisë së Madhe. Selim Reçi kishte rënë në gjak dhe kjo e detyroi që të largohej nga Shkodra për në Greqi, asokohe ende nën sundimin osman. Në vitin 1831 e shohim si komandant të një çete osmane, që luftonte me kryengritësit grekë. Në këto luftime, edhe u plagos rëndë për herë të parë. Pas disa kohësh bashkohet më çetën e Zylyftar Podës dhe lufton kundër osmanëve. Gjatë një beteje mbetet i rrethuar në një kullë dhe internohet “për jetë”, diku në një cep të Anadollit. Në këtë kohë në Anadoll zhvilloheshin luftime të ashpra mes trupave të shqiptarit Mehmet Ali Pasha të Egjiptit dhe osmanëve. Pikërisht në këtë luftë, Selim Reçi përfiton nga një amnisti e shpejtë e sulltanit dhe, pas qindra peripecive, mbërrin në qytetin e tij, në Shkodër. Gjatë kohës së sundimit të vezirit Osman Mashar Pasha, i quajtur ndryshe edhe “Boshnjaku”, ishte komandant i trupave që mbronin kufijtë me malazezët, Drejtoi luftimet në Zhabljak, në ishujt e liqenit, në Shpuzë. Në 1860 mori detyrën e fundit: krahinar në Zadrimë, porse këtu nuk qëndroi gjatë. U tërhoq shpejt në jetën private dhe vdiq në vitin 1863. Thonë se në trupin e tij numëroheshin 24 plagë.

 

Hamz Kazazi

Ky rridhte nga një familje fshatare. Kishte lindur diku nga fundi i shekullit të XVIII. Familja e tij fshatare, e rënë në gjak, u detyrua të shpërndahej. Hamza fëmijë përfundoi në Ulqin. Piratët ulqinakë e dërguan në Egjipt, ku kaloi 20 vjet të jetës së tij. Kthehet në Shkodër, ku banon në lagjen “Perash”, te një nga hallat e tij. Këtu mëson zejen e mëndafshpununuesit (prej nga mbiemri Kazazi).

Deri vonë Hamz Kazazi nuk bënte pjesë në listën e gjatë të emrave të burrave të njohur për atë kohë. Kur u njoh me Vezirin Mustafa Pashë Bushatlliun, vetëm atëherë fjala e tij nisi të dëgjohej edhe në skenën politike. Mustafa Pasha e emëroi kullukçibash (komandant xhandarmërie). Hamz Kazazi ishte ndër udhëheqësit kryesorë të kryengritjeve popullore kundër vezirëve osmanë në periudhën që pasoi rënien e Pashallëkut të Bushatllinjve. Vdiq në vitin 1850 në Shkodër, pas kthimit nga një internim i gjatë. Varri i tij ishte në krah të Xhamisë Koplikaj. Ai u prish së bashku me xhaminë në 1967.

 

Dasho Shkreli

Dasho Shkreli rridhte nga një familje e zbritur në Shkodër nga krahina malore e Shkrelit. Emrin e vërtetë e kishte Mustafa. U bë i njohur që në 1835-n, në kohën e kryengritjes së drejtuar nga Hamz Kazazi. Në 1840-n mori pjesë në luftimet për mbrojtjen e Shpuzës nga sulmet malazeze, ku mbeti i vrarë, bashkë me 9 bashkëluftëtarë të tjerë. Është një figurë shumë e njohur në folklorin shkodran.

 

Oso Kuka

Ky rridhte nga një familje oborrtarësh nga kështjella e Shkodrës. Duhet të ketë lindur diku nga viti 1812, kohë në të cilin i ati ishte në shërbim të Mustafa Pashë Bushatlliut. Rininë e tij e kaloi sa në Rumeli, Anadoll, Siri, Libi. Në moshën 27-vjeçare kthehet sërish në Shkodër. Në 1859 ishte kapiten i rojeve kufitare me detyrë për mbrojtjen e kufijve veriorë të Pashallëkut. Në vitin 1862, pas disa konfliktesh, jo vetëm territoriale me malazezët, mbeti i rrethuar në ishullin e Vraninës në Liqenin e Shkodrës. Malazezët i komandonte vetë princ Nikolla. Pas shumë orë luftimesh, i mbetur pa municion dhe pa ndihmën e premtuar nga Shkodra, Oso Kuka hodhi kullën në erë, duke u vrarë së bashku me shokët dhe armiqtë që kishin guxuar të vinin fare afër. Gjergj Fishta pat shkruar në “Lahutën e Malcisë”: Ah! Nikollë të vrfat Zoti! Pse ktij i thonë Oso Baroti. Se s’ke pa shqiptar me sy. Se djeg vedin edhe ty…”

Edhe sot në Shkodër kur duan të përkufizojnë ndonjë person që nuk del nga shtëpia thonë: “Asht ndry si Oso Kuka”.

 

Ahmet Kalaja

Ky ishte një hoxhë, familja e të cilit kishte zbritur me kohë në Shkodër nga kalaja e Drishtit. Në vitin 1854 në një nga xhamitë afër Pazarit të Vjetër, u mblodhën përfaqësuesit e popullit të Shkodrës, myslimanë e të krishterë, për të diskutuar mbi abuzimet e vezirit të asaj kohe, Osman Mashar Pashës. Populli kërkoi zëvendësimin e pashait të përfolur dhe Stambolli e pranoi kërkesën. Pikërisht në këtë kohë nisi të bëhej i njohur Ahmet Kalaja. Dy vjet më vonë, Kalaja dhe një grup tjetër aktivistësh popullorë shkodranë, arrestohen dhe dërgohen në Stamboll. Do të kthehet në Shkodër tre vjet më vonë. Në vitet ’60 të shekullit të XIX ishte komandant i vullnetarëve shkodranë në luftimet që u bënë në Katundin Ridhe në Shpuzë. Duke qenë hoxhë, luftëtarët e tjerë e shihnin si të mveshur me veti magjike. Thonë se rrinte mbi grumbullin e arkave me municion duke fërkuar duart i qetë, ndërsa gjylet osmane i kalonin fare pranë pa e goditur. Në 1869-n internohet për herë të dytë, meqë iu kundërvu disa reformave administrative që kishte ndërmarrë një vali i ri. Vdiq në Shkodër një ditë të martë të vitit 1878.

 

Hodo Pashë Sokoli

Kishte lindur në 1834. Në të ritë e tij ishte ushtarak në mbrojtje të kufijve veriorë. Pas një periudhe qëndrimi në Stamboll u kthye në Shkodër. Në 1876-n ishte kolonel i xhandarmërisë së Shkodrës. Hodo Sokoli u bë i njohur si një nga veprimtarët më të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881). Ai ishte në krye të komitetit “Lidhja Mbrojtëse”, i cili do të bashkërendonte veprimet për të mos dorëzuar Hotin, Grudën, Plavën e Gucinë. Nën komandën e Hodo Sokolit u mblodh në Tuz një ushtri prej 8000 shqiptarësh. Së bashku me Preng Bibë Dodën e Mirditës, nënkryetar i “Lidhjes Mbrojtëse” Hodo Sokoli filloi të thurte plane për autonominë e Shqipërisë. Pas dorëzimit të Ulqinit, Porta e Lartë, në fillim e emëroi gjeneral, por më pas e internoi së bashku me Preng Bibë Dodën në Stamboll. Vdiq në mënyrë misterioze, ndërsa ishte në internim.

 

Jusuf Sokoli

Ky ishte segjerde (kryetar i xhibalit, Komisionit shtetëror që rregullonte marrëdhëniet e shtetit me malësorët). Ishte përfaqësues i Shkodrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Në tetor të 1878-s emërohet kajmekam (nënprefekt i Mirditës), por nuk qëndron shumë këtu dhe i kushtohet luftës për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Udhëhoqi trupat shqiptare në luftën për mbrojtjen e Ulqinit nga gushti deri në nëntor të 1880-s. Gjatë këtyre luftimeve plagoset rëndë. Vdiq në Shkodër nga plagët e marra.

(Për këtë shkrim u shfrytëzuan të dhëna nga: Hamdi Bushati, Shkodra dhe Motet; Vëllimi I, Shkodër 2005).