Aktualitet Gjykata vendos sekuestro të pasurive të Rezart Taçit

Gjykata vendos sekuestro të pasurive të Rezart Taçit

405
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestro ndaj kompanive të biznesmenit Rezart Taçi, për shkak të një borxhi të pakthyer prej 75 milionë euro, marrë për blerjen e kompanisë ARMO nga Azerbajxhani.

Kërkesa për vendosjen e sekuestros është bërë nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, (International Bank of Azerbajixhan, I.B.A), e cila ka provuar me fakte para gjykatës se për të realizuar investime në Shqipëri, në nëntor të vitit 2008 ka depozituar në një bankë private 75 milionë euro.

Mësohet se shuma e përmendur më sipër është depozituar në tre këste. Kësti i parë është depozituar më datë 18 nëntor 2008, në shumën 30 milionë euro, kësti i dytë është depozituar më datë 19 nëntor 2008 në masën 40 milionë euro dhe kësti i fundit më datë 21 nëntor i të njëjtit vit në shumën 5 milionë euro.

Gjatë kohës në të cilën është kryer transferta bankare, “AMRA Oil” kishte fituar tenderin për shitjen e 85% të aksioneve të shoqërisë ARMO sh.a. dhe ishte në proces të përmbylljes së kontratës dhe kryerjes së pagesës. Në këtë periudhë këto fonde ishin të domosdoshme për të realizuar blerjen e 85% të aksioneve të shoqërisë. Në kushtet kur I.B.A nuk arriti të kryente investime, aktivitet në Shqipëri, ose të kishte pjesëmarrje në shoqëri të tjera, kërkoi nga Banka dhe shoqëria “Amra Oil” sh.a, rikthimin e shumës prej 75 milion Euro të depozituar. Kjo e fundit në datë 15.07.2010, i kthen bankës I.B.A. një shumë prej 1.5 milion euro, e cila është dhe shuma e vetme e kthyer deri tani palës kërkuese. Në këto kushte IBA ka kërkuar kthimin e menjëhershëm të të gjithë vlerës së detyrimit së bashku me interesat dhe fitimin e munguar në vlerën totale prej 115 milion euro. Në mungesë të një përgjigje zyrtare nga debitorët, I.B.A i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën për “Marrjen e Masës së sigurimit të padisë”.

 

Konkretisht vendimi i gjykatës parashikon:

–  Vendosjen e sekuestros konservative mbi 85% të aksioneve të shoqërisë “ARMO” sh.a. të zotëruara nga shoqëria AMRA Oil sh.a. (vlera e tyre nominale është 5.126.461.000 lekë)

–  Vendosjen e sekuestros konservative mbi llogaritë bankare të shoqërisë “AMRA OIL” sh.a.

–  Vendosjen e sekuestros konservative mbi llogaritë bankare të shoqërisë “Armo” Sh.a.

–  Vendosjen e sekuestros konservative mbi pasuritë e paluajtshme të shoqërisë “ARMO” sh.a. dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi gjendjen e stokut të kësaj shoqërie deri në përfundim të gjykimit.

–   Sekuestroja të vendoset për një shumë jo më të madhe se 75,000,000  euro.

–    Urdhërimin e kërkuesit të depozitojë padinë e themelit sipas objektit të pretenduar, brenda 15 ditëve, përndryshe kjo masë sigurimi e humbet fuqinë e saj pa qenë nevoja që gjykata të shprehet me vendim tjetër.

–  Kundër këtij vendimi lejohet ankimi në Gjykatën e Apelit Tiranë.