Katër të rinj nga Lazaratit kanë qëlluar me armë në drejtim të një postblloku policie në Gjirokastër.  Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur pas mesnatës së djeshme, orës 01:00, në vendin e quajtur Kordhocë, ku 4 persona shtinë me automatikë me plumba gjurmëlënës në drejtim të efektivëve të policisë.


Pas këtij veprimi të rinjtë janë larguar pa mundur të kapen nga policia, por ndërkohë janë identifikuar  dhe po punohet për kapjen e tyre. 4 djemtë dyshohet se janë pjesë e kultivuesve të lëndës narkotike, kanabis sativa në Lazarat.


Nga informacionet që vijnë nga policia e Gjirokastrës është mësuar gjithashtu se nga plumbat gjurmëlënës mori flakë një zonë me shkurre, duke djegur disa hektarë me kullota. Ndërkohë, zjarri vijon ende, pasi zjarrfikëse nuk kanë mundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit të vështirë malor.


8 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)