Fatjona Mejdini
Familja e Kryeministrit Sali Berisha ka përfituar disa ndryshime në regjimin e saj pasuror përgjatë vitit 2011. Ndryshimi më i rëndësishëm duket se është ai i të birit të Kryeministrit, Shkëlzen Berishës, i cili, përgjatë vitit të shkuar, ka hequr dorë nga aktiviteti i tij privat në fushën e pasurive të paluajtshme, i cili i siguronte të ardhura prej qindra mijëra eurosh për çdo vit. Kjo “dorëheqje” nga ky biznes duket se ka pas një motiv të pastër politik dhe që lidhet me sulmet e vazhdueshme të opozitës shqiptare nga shumat që Shkëlzen Berisha përfitonte si rezultat i të ardhurave të tij të larta vjetore mbi bazën e ndërmjetësuesit në fushën e pasurive të paluajtshme. Kështu, për vitin 2011 Shkëlzen Berisha ka deklaruar se ka përfituar si të ardhura rreth 1.8 milionë lekësh, të cilat kanë ardhur nga ushtrimi i konsulencave juridike si person fizik. Këtë vit, në deklaratën e djalit të Kryeministrit mungojnë shifrat si 200 apo 150 mijë euro, të cilat Shkëlzen Berisha i kishte përfituar si rezultat i aktivitetit në fushën e pasurive të paluajtshme. Po kështu, shihet dhe një reduktim i të ardhurave të tij, si pasojë e pakësimit të llogarive bankare me rreth 30 mijë euro në total. Nga ana tjetër, e bija e Kryeministrit Argita Berisha, deklaron të ardhura pak a shumë të njëjta me ato të vitit të kaluar. E bija e Kryeministrit ka arritur të rrisë të ardhurat personale si pasojë e konsulencave juridike, duke e çuar shifrën në 35 mijë euro. Nga ana tjetër, ajo ka shtuar dhe të ardhurat me qira që vijnë nga një apartament i tretë në Tiranë, duke rritur në total shumën e përfituar në vitin 2012. Për sa i përket Kryeministrit Berisha, ndryshimi i vetëm në pasurinë e tij është shtimi i parave në cash, ku Kryeministri i vendit deklaron se ka 1 milion lekë të akumuluara, përveç llogarive bankare të tij dhe të bashkëshortes. Familja Berisha ka qenë shpesh në qendër të akuzave të opozitës dhe atyre mediatike për shkak të të ardhurave të konsiderueshme që kanë deklaruar fëmijët e kreut të qeverisë. Po kështu, opozita i ka akuzuar dhe për abuzim me pushtetin dhe si përfituesit real të pushtetit në vend. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij deklarojnë të ardhura modeste dhe qëndron larg shitblerjeve personale të pronave të paluajtshme.
Shkëlzen Berisha
-Të ardhurat e përfituara në vitin 2009
Të ardhurat neto nga aktiviteti privat në fushën e pasurive të paluajtshme- 200.000 euro.
Të ardhurat nga aktiviteti juridik-796.713 lekë
-Të ardhurat e vitit 2010
Të ardhurat nga aktiviteti privat në fushën e pasurive të paluajtshme -150.000 euro
Të ardhurat nga aktiviteti privat si person fizik (konsulencë juridike) -3.632.528 lekë
-Të ardhurat e vitit 2011
Të ardhurat neto nga aktiviteti si person fizik (konsulencë juridike)- 1.824.680 Lekë
-Kryeministri Sali Berisha për vitin 2011
Të ardhurat nga paga, shpërblime dhe dieta- 2.277.388 Lekë
Të ardhurat nga pensioni i Liri Berishës- 296.862 Lekë
Dieta për udhëtimet jashtë vendit- 720 Euro+ 800 USD
Para cash- 1.000.000 Lekë
– Argita Berisha Malltezi për vitin 2011
Paga neto vjetore në Fakultetin e Drejtësisë dhe shpërblime: 1.066.498 Lekë
Mësimdhënia në fakultete private dhe ekspertiza: 8. 434.664 dhe 35.015 Euro
Pagesa nga mësimdhënia në shkollën e magjistraturës – 47. 520 Lekë
Nga dhënia me qira e një apartamenti, godina ETC- 900 euro/muaj x 12 muaj
Nga dhënia me qira e një apartamenti, Rr. “Lidhja e Prizrenit” – 1170 euro/muaj x 12 muaj
Nga dhënia me qira e apartamentit tek Rr. “M. Matohiti”- 1450 euro ne muaj x 10 muaj
Pagesa të prapambetura gjatë ushtrimit të aktivitetit tregtar -8000 euro
Përfitimet nga qiratë
Ristani rrit pasurinë me 30 mijë USD
Kryetari aktual i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani deklaron se ai ka arritur ta shtojë me rreth 30 mijë USD pasurinë e tij për vitin 2011. Në deklaratën e kreut të KQZ-së shihet qartë dhe fakti se të ardhurat e tij vjetore janë të konsiderueshme. Ristani deklaron se përfiton 1.8 milionë lekë nga paga në krye të institucionit, por dhe 420 mijë lekë si pasojë e dietave që ky institucion i atribuon titullarit. Të ardhura të kënaqshme Ristani deklaron se përfiton dhe nga qiratë e objekteve që ka në pronësi. Kështu ai thekson se ka arritur të përfitojë një shumë prej 28 mijë eurosh nga qiradhënia dhe po kështu më shumë se 1 mijë dollarë nga interesat bankare. Ai nuk deklaron të ketë bërë blerje dhe shitje gjatë vitit të shkuar, por thekson se vijon të shlyejë kredinë e marrë për blerjen e një trualli me afat të gjatë. Arben Ristani është vendosur në qendër të akuzave të opozitës dhe medias për shkak të procesit zgjedhor të 8 majit të vitit të shkuar, ku procesi për zgjedhjen e Lulzim Bashës si Kryetar i Bashkisë së Tiranës u shoqërua me probleme dhe me tensione të shumta, të cilat trazuan jetën politike në vend.