Part-time
Vendimi: 400 të drejta studimi për shqiptarët e trojeve, 200 vende për transferimet e studimeve
Qeveria miraton kuotat për studimet me kohë të pjesshme, për ciklin e parë të studimeve. Janë mbi 10 mijë të drejta studimi për sistemin part-time dhe në distancë. Tarifat e shkollimit do të miratohen pas propozimeve që do të bëjnë universitetet dhe draftit që do të çojë në qeveri Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, e fitojnë këtë të drejtë, sipas kritereve të përcaktuara nga vetë institucionet publike të arsimit të lartë. “Kuotat për transferim studimesh shpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve publike të arsimit të lartë”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Plot 400 kuota janë përcaktuar për kandidatët shqiptarë nga Republika e Kosovës, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja.
Rishpërndarja e kuotave të paplotësuara kryhet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke marrë parasysh edhe kërkesat e institucioneve publike të arsimit të lartë.
Kuotat e pranimeve për personat që nuk shikojnë ndahen për kandidatët me statusin për personat që nuk shikojnë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e të Verbërve.
Po ashtu, edhe kuotat për romët dhe ballkano-egjiptianët ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Shoqata Kombëtare e Romëve dhe Shoqata Kombëtare e Ballkano-Egjiptianëve, të vërtetuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Kuotat e pranimeve për të përndjekurit politikë ndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të listës së hartuar nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe plotësimit të kritereve të vendosura nga institucionet publike të arsimit të lartë.
Kuotat e pranimeve për shtetasit e huaj, që do të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë, shpërndahen në bazë të marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe, si dhe në bazë të kërkesave individuale, të paraqitura në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës nga personat e interesuar.
Çdo shtetas shqiptar, i cili ka përfunduar shkollën e mesme dhe zotëron diplomë të Maturës Shtetërore, dëftesë pjekurie apo çdo diplomë tjetër studimi, të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, ka të drejtë të aplikojë për të studiuar në sistemin e korrespondencës.
Kandidatët që zotërojnë dëftesë pjekurie apo diplomë të fituar brenda ose jashtë vendit, të barasvlershme me të, duhet të kenë fituar provimet me zgjedhje dhe të paraqesin në aplikim certifikatën përkatëse të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve.
Studimet me kohë të pjesshme
10 045 kuota gjithsej
a) Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit
të ciklit të parë, me kohë të pjesshme 9165
b) Kuotat e pranimeve të reja, në programet e studimit
të ciklit të parë, të edukimit në distancë 40
c) Kuotat për transferim studimesh 200
ç) Kuota për shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit 400
d) Kuota për personat që nuk shikojnë 20
e) Kuota për romët/ ballkano-egjiptianë 20
ë) Kuota për të përndjekurit politikë 150
f) Kuota për shtetasit e huaj 50
