Opozita
Partia Socialiste është shprehur pro referendumit, por ka vendosur katër kushtet kryesore për t’u ballafaquar me popullin. Sekretari për Koordinimin në Partinë Socialiste, deputeti Fatmir Xhafaj, në një konferencë për shtyp, i cilësoi propozimet e Kryeministrit Sali Berisha si një përpjekje për të prishur ekuilibrat e shtyllave të demokracisë. “Pardje dhe dje, në mbledhje qeverie, përsëri ai nuk demonstroi as sinqeritet dhe as vullnet për kompromis. Kryeministri Berisha foli dje në seancë, edhe sot në qeveri, për imunitetet dhe i quan ato si muri i Edi Ramës. Në të vërtetë ai, Sali Berisha, është tulla e fundit e murit që na mban në të shkuarën dhe na ndan nga e ardhmja. Gjithsesi, seanca e djeshme një arritje e pati. Në përfundim fitoi argumenti kushtetues, nuk u mohua zgjidhja kushtetuese për çështjen e imunitetit. Mosvotimi i djeshëm e la të hapur shansin që në përfundim të debatit për të gjitha amendamentet kushtetuese të hedhura për diskutim të votohen si pjesë e një projekti të përbashkët edhe amendamentet për kufizimin e imunitetit”, tha Xhafaj. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve theksoi më tej: “Jam i shqetësuar se ai guxoi dhe spekuloi mbi amendamentet tona. Ai (Berisha) tha se ne paskemi propozuar amendamente për zgjedhjen me 3/5 të Presidentit të Republikës, të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, të kryetarit të Gjykatës së Lartë, të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit etj. Një spekulim i pastër. Në projektin tonë nuk gjendet asnjë amendament i tillë. E ftojmë Kryeministrin t’i lexojë me qetësi, të reagojë me argumente dhe t’i hapë rrugë një procesi publik, transparent e gjithëpërfshirës”. “Sfidës” për përballje për referendumin, opozita duket se nuk i trembet, porse i ka kërkuar mazhorancës të mos e zhvillojë atë vetëm për një çështje. “Ka një rrugë për referendum! Rruga kushtetuese në respektim të nenit 177 të Kushtetutës. Kjo është një çështje për të cilën ka një qëndrim të qartë të Gjykatës Kushtetuese, vendimi 25/2009. Ka edhe një opinion të Komisionit të Venecias për këtë çështje. Kryeministrit tonë nuk i interesojnë këto, se ai i jep vetes atribute mbi Kushtetutën, mbi Gjykatën Kushtetuese dhe mbi Komisionin e Venecias. Kushtetuta kërkon qartazi 2/3 për të shkuar një amendament kushtetues në referendum popullor. Duhen edhe votat e opozitës domosdo. Ka një zgjidhje. Ne jemi dakord të shkojmë në një referendum popullor, ku të trajtohen 4 çështje madhore: imuniteti, reforma në drejtësi, ndalimi i importit të plehrave dhe ndalimi i marrëveshjes për cenimin e kufirit detar. Këto janë çështje reale që preokupojnë shqiptarët dhe për të cilat duhet të kërkohet shprehja e vullnetit të tyre. Ne jemi shumë dakord për një referendum popullor jo për tekat e Kryeministrit, por për problemet madhore që preokupojnë realisht shqiptarët, siç janë: drejtësia, mjedisi dhe territori i vendit. Ne jemi të gatshëm të përballemi me Kryeministrin për këtë sfidë, duke i vendosur alternativat tona në gjykimin e qytetarit shqiptar”, theksoi Xhafaj.
Propozimet
Imuniteti – PS-ja, pranon që të shkohet në referendum, por thekson se për çështjen e imunitetit mund të vendosë Kuvendi në shtator
Reforma në drejtësi – PS-ja kërkon që paketa për reformën në drejtësi të realizohet me referendum, duke kërkuar mendim për votimin me 3/5 e votave
Mbetjet – Socialistët kanë mbështetur mbajtjen e referendumit për mbetjet, duke e përfshirë në paketën e ndryshimit të Kushtetutës
Pakti detar – Xhafaj theksoi se duhet të bëhet referendum edhe për paktin detar kufitar me Greqinë, për të cilën kanë nisur bisedimet e fshehta
LSI: Dy partitë të gjejnë konsensus gjatë muajit shtator
FRD-ja, Oketa: PD dhe PS, lojë për imunitetin, shashkë për të tërhequr vëmendjen
Fryma e Re Demokratike, nëpërmjet kreut nismëtar të saj, Gazmend Oketa, deklaroi se seanca e 6 gushtit për heqjen e imunitetit ishte një lojë e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
“Në çdo rast që Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet dhe do të votojë kufizimin e imuniteteve, vota e FRD-së do të jetë pro. Nga ana tjetër, do të theksoja se, fatkeqësisht për afro tetë orë, qytetarët shqiptarë ndoqën një shfaqje tjetër të shëmtuar të radhës në Kuvend, panë një lojë tjetër midis dy forcave të vjetra, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, të cilat bënë një debat pa asnjë lloj rezultati, çuan seancën në një shou tjetër të radhës, kur vetëm jo më larg se sa dy javë më parë, po këto dy forca, gjetën konsensusin për të votuar Kodin Zgjedhor, duke shkelur hapur parimin kushtetues, atë të barazisë së votës. Unë nuk besoj se ky referendum do të mbahet, ishte një blof i radhës, për të shtyrë debatin politik dhe për t’i bërë palët të nisin një sherr të ri, lidhur me statusin e vendit kandidat, duke hequr vëmendjen nga problemet e përditshme të qytetarëve shqiptarë”, tha deputeti Oketa. Për çështjen e dështimit të seancës ka reaguar edhe LSI-ja. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Luan Rama, u shpreh se është pro idesë së referendumit dhe ftoi palët të gjejnë një konsensus gjatë muajit shtator. “Nëse këtë nuk e bën politika, atë e bëjnë qytetarët dhe referendumi popullor për të gjykuar e për të vendosur mbi kufizimet e imunitetit. Kjo është një mundësi reale kushtetuese. Por nuk ka arsye se përse të mos gjejmë mënyra të tjera që të shfaqim përgjegjshmëri”, tha Luan Rama.
FRD-ja
E cilëson si një blof të radhës idenë e mbajtjes së referendumit për Kushtetutën. Oketa e cilësoi si lojën e dy partive të mëdha
Socialisti
Majko: Seanca e djeshme, komedi shekspiriane
Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, e cilësoi seancën e 6 gushtit si një komedi shekspiriane. “Seanca e djeshme në Kuvendin e Shqipërisë për ‘imunitetet’ ishte një komedi thuajse shekspiriane. Nga gjithë zhurma e saj mbeti veç hiri i pamundësisë për të ndryshuar të sotmen dhe për të krijuar shpresën për të nesërmen. Një politikë që krijon kaq pak, për një Shqipëri që do më shumë. Në shoqërinë shqiptare po krijohet një shtresë sociale, si pasojë e kohës që jetojmë, me profesion ‘i pakënaqur’… Urrejnë politikën dhe përbuzin kohën që jetojnë. Dje politika u dha të drejtë. Shoqëria jonë ka mbetur peng i një komedie me aktorë tragjikë! Të tjerat janë fjalë, veç arsyes më të vjetër të historisë sonë, atë të betejës me të keqen. E keqja që fillon nga vetvetja dhe raportet me memorien kolektive. Nga 1913-a, historinë e kemi trajtuar si komedi dhe mungesë respekti! Gabimet i kemi nënvleftësuar si pjesë e ‘zgjuarsisë së maskarenjve’… Dhe historia na ka kthyer ‘reston’, duke na trajtuar me të njëjtën ‘monedhë’! Një shoqëri që di vetëm çfarë nuk do, ‘komedinë’ do ta ketë përpara syve. Padyshim!”, shkruan Majko në “Facebook”. Ndërsa këtë shënim e ka shoqëruar me foton e mësipërme.