Është një nga gratë më të pushtetshme të botës së modës. Me një fizik prej adoleshenteje dhe pasion të jashtëzakonshëm për punën, 20 vjet pas vdekjes së të vëllait, Gianni-t, ka arritur ta çojë kompaninë në majat e suksesit. E gjitha falë një ekipi të mrekullueshëm
Përse jam kaq në formë?
Fle gjithmonë në të ftohtë
Me Donatella Versacen bota e modës është më e bukur. Elegante, e thjeshtë, e veshur bukur dhe me një lëkurë të shëndetshme. Edhe pse është 57 vjeç, ka një fizik të mrekullueshëm. “Si arrij të jem kaq në formë? Nuk e keni dëgjuar? Unë darkave fle në ‘frigorifer”, thotë duke qeshur. Njerëzit që e njohin Donatella Versace-n vetëm përmes fotove që publikohen nëpër gazeta, zhvillojnë një antipati të madhe për stilin saj. Por mjafton ta njohësh shumë pak, për të kuptuar që 70 për qind e trupit të saj (flokët biond, qerpikët fallco dhe botox) është e njëjtë që atëherë kur, në moshën 11-vjeçare, i vëllai, Gainni, e bindi që t’i lyente flokët me të verdhë. Jo më kot është një mikeshë e Miuçia Pradas, ikonë intelektuale në botën e modës. Të shumtë janë ata që habiten nga kjo miqësi: “Edhe unë vetë jam e habitur”, tregon. Të dyja janë takuar për herë të parë në Milano. “Ishte një event mode, diçka e tillë, sepse nuk e mbaj mend mirë. Po bëja shaka me disa nga të ftuarit dhe ajo, duke qeshur, m’u përgjigj: “Shkojmë të marrim nga një panine, se po vdesim urie” Kështu që atëherë nisi miqësia jonë”. Donatella tregon se “kur jemi bashkë, vetëm flasim pa pushim me njëra-tjetrën . Bëjmë shaka dhe mësojmë shumë gjëra. Ajo më thotë që nuk do të arrij kurrë të krijoj fustane kaq shumë seksi si ti, ndërsa unë i përgjigjem se unë i adhuroj gjërat që bën ti”. Të jesh në lartësinë dhe trashëguese e asaj që la pas Gianni, sigurisht që nuk është e lehtë. Ishte viti 1997 kur Gianni u vra para vilës së tij në Majami. Ndoshta për këtë arsye ajo kaloi tek përdorimi i drogave, një periudhë e errët në jetën e saj. “Gjithmonë kam qenë e ashpër me veten time dhe jam akoma. Për të qenë e përgjegjshme, duhet të kesh një disiplinë të caktuar në jetën tënde. Humba për një farë kohe, por tani kam fituar prapë. Kam qenë shumë korrekte dhe e përpiktë me gjërat. Ç’të më ketë ndodhur vallë?”. Për Donatella-n disiplinë do të thotë të shkosh në palestër katër herë në javë dhe të reduktosh numrin e cigareve, vetëm një paketë në ditë. Dhe për këtë, sa herë që ndez një cigare, i vjen në celular një mesazh që e informon se sa shumë dëme i shkakton shëndetit. Për më tepër, tregon se ka një pasion të madh për biografitë historike: “Për momentin jam duke lexuar një libër për mbretëreshën Viktoria. Më tërheqin shumë libra të këtij lloji. Romanet artistike me përmbajtje rozë nuk kam më qejf t’i lexoj”. Të befason fakti që, në realitet, është pak me të vjetrën, për sa i përket edukimit të fëmijëve. “Për një farë periudhe mendoj se kam qenë shumë e ashpër dhe autoritare. Kisha një sjellje mbytëse ndaj tyre”, pranon. Por gjithsesi, rezultatet kanë qenë pozitive. E bija Allegra, 26 vjeçe, që ka trashëguar 50 për qind të kompanisë, merret me kërkimin e pëlhurave, pas përpjekjeve të saj të dështuara për t’u bërë aktore. “Përqendrimi dhe vendosmëria e saj më kanë befasuar”, thotë stilistja. Daniel, është 23 vjeç, merret me muzikën rok dhe jeton në Londër. “Mbyllet në studion e tij të regjistrimit për orë të tëra, por nuk më lejon kurrë të dëgjoj ato që ai bën. I pëlqen shumë privatësia dhe nuk dëshiron që të prezantohet si im bir. Jo se vajza më dëgjon se çfarë i them. Asnjëri prej tyre nuk më dëgjon”, thotë me zë të qetë. Pas viteve të tmerrshme që pasuan vrasjen e Gianni-t, familja, me Doantell-ën në krye, u bashkua. Madje ajo ka arritur të ndërtojë edhe një raport miqësor me babain e fëmijëve të saj, Paul Beck-in, që jeton në Londër. Gjithsesi, me vëllain tjetër, Santo, bëhet shumë pak. “Merret me politikë. Kemi mendime të ndryshme”. Donatella tregon se i është dashur shumë punë për ta çuar kompaninë në majat ku gjendet sot. Disa bashkëpunime të mira dhe disa shkurtime të dhimbshme i dhanë mundësinë që ta ngrejë kompaninë në nivelet e Gianni-t. “E vërteta është se Gianni ishte gjeni dhe për të ndjekur rrugën e tij duhet shumë punë. Bashkëpunime me artistë të mëdhenj, si Lady Gaga apo me firma si “H&M” më kanë dhënë shumë besim për veten dhe për të ardhmen e kompanisë”. Tani ajo ndodhet në krye, siç tregoi linja e “modës së rëndë” së Versace-s në sfilatën e mbajtur në hotel “Ritz” në Paris. Kjo ishte një provë më shumë për “rilindjen” e Doantell-ës. “Pas vdekjes së Gainni-t, të gjithë ata që kisha përreth më thoshin se çfarë duhet apo nuk duhet bërë. Pas pak kohe e kuptova se askush nuk e di. Gianni thoshte gjithmonë se duhet të ndjekësh instinktin tënd. Me të asgjë nuk ishte e sigurt. Vazhdimisht më thoshte se nuk duhet të kem frikë nga asgjë. Po nuk guxove, asnjëherë nuk mund të dalësh i fituar”. Kur e pyet se çfarë është gjëja më e rëndësishme tani, që i ka arritur të gjitha, përgjigjet: “Familja, për të duhet bërë sa më shumë të jetë e mundur. Ajo që dua t’u them njerëzve të dashur është se gjërat më të rëndësishme në jetë janë forca, vendosmëria, besnikëria dhe aftësia për të mos u dorëzuar kurrë. Duhet të luftosh për të pasur çdo lloj gjëje në jetë”.
Biografia
Donatella Versace është 57 vjeç. Ajo ka hyrë në botën e modës që në vitet 80-të, kur i vëllai Gianni i besoi drejtimin e linjës “Versus”. Në korrik të vitit 1998, një vit pas vdekjes së të vëllait, Donatella Versace krijoi koleksionin e saj të parë për Versace-n. Sot është zëvendëspresidente e kompanisë dhe zotëron rreth 20 për qind të aksioneve. Ka qenë e martuar me Paul Beck-in dhe ka dy fëmijë: Allegra 26 vjeçe dhe Daniel 23.