Gjykata e Lartë, anëtarët me aksione në biznese dhe përfitime nga qiratë e apartamenteve

Evelina Qirjako përfiton 54 mijë euro dhe 1 milion lekë vetëm nga 5 apartamente

Fatjona Mejdini

Anëtarët e Gjykatës së Lartë nuk humbin asnjë rast për të shumëfishuar të ardhurat e tyre. Në deklaratat e pasurisë për vitin 2011, një pjesë e mirë e këtyre anëtarëve deklarojnë të ardhurat të konsiderueshme nga qiratë dhe po kështu nga aksionet në firma të ndryshme. Gjykata e cila njihet si organi i vetëm gjyqësor në vend që mund të gjykojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, tregon se ka në përbërje të saj gjyqtarë të cilët nuk mjaftohen vetëm me pagën 1.6 milionë lekë që marrin në vit nga ushtrimi i detyrës së tyre. Gjetja e formave për të shtuar pasurinë duket se u siguron mundësinë për të blerë pasuri të paluajtshme, siç janë trojet dhe apartamentet.

Shpresa Beçaj

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Beçaj, deklaron se gjatë vitit të shkuar ka përfituar një pagë 2 milionë lekë si pasojë e pozicionit të saj dhe po kështu pagën e bashkëshortit si inxhinier mekanik pranë Postës së Shqipërisë. Gjithashtu, ajo deklaron se vijon të shlyejë kredinë e marrë për blerjen e apartamentit.

Mirela Fana

Anëtarja e Gjykatës së Lartë, njëkohësisht bashkëshortja e Neshat Fanës, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, deklaron të ardhura të konsiderueshme jo vetëm nga pagat personale të saj, por edhe ato të bashkëshortit. Bashkëshorti i saj anëtar i KLD-së, thekson se përfiton 18 milionë lekë nga të ardhurat nga zyra avokatore dhe 9 milionë lekë nga aksionet në shoqërinë “2F Grup”. Kjo u ka mundësuar dhe blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 103 m2 me një vlerë prej 150.000 eurosh. Nga ana tjetër, familja Fana vetëm për vitin e shkuar ka përfituar 30.000 euro të ardhura nga dhënia e një apartamenti me qira në Tiranë.

Majlinda Andrea

Gjyqtarja deklaron se ajo ka përfituar një pjesë shtesë aksionesh pranë shoqërisë “Ganti Import” sh.p.k, pasi ka shlyer me 400 mijë lekë ortakun që ka pasur në këtë kompani. Po kështu ajo deklaron se ka marrë një kredi bankare me vlerë 20.000 euro për të blerë një apartament në Sarandë dhe nga ana tjetër ka përfituar si interesa 600 mijë lekë nga një hua që ka dhënë disa kohë më parë.

Evelina Qirjako

Ka deklaruar se vetëm nga qiratë brenda vitit 2011 ka përfituar rreth 54 mijë euro dhe 1 milion lekë. Gjyqtarja e kësaj gjykate thekson se disponon 5 apartamente, të cilat i jep me qira me shifra të konsiderueshme dhe merr të ardhura të kënaqshme nga qiramarrësit. Ajo deklaron se ka blerë për vitin e shkuar një garazh me vlerë 20.000 euro.

Ariana Fullani

Gjyqtarja Fullani, e cila është njëkohësisht bashkëshortja e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaron se vitin e shkuar familja e saj ka hipotekuar një apartament në kryeqytet të cilin e kishte blerë vite më parë. Arjana Fullani thekson se vijon të ketë një borxh prej 6 milionë lekësh si pasojë e blerjes së një toke are me sipërfaqe 840 m2. Familja Fullani ka deklaruar për çdo vit të ardhura të konsiderueshme si rezultat i fitimeve të mëdha që përfiton. Aktualisht, kjo familje vijon të shlyejë dhe një kredi të butë të marrë nga Banka e Shqipërisë, institucion që bashkëshorti i gjyqtares drejton.

 

Përfitimi

Familja Fullani vijon të shlyejë dhe një kredi të butë të marrë nga Banka e Shqipërisë, institucioni që bashkëshorti i gjyqtares  drejton

 

Blerja

Familja Fana ka blerë vitin e shkuar një apartament me sipërfaqe 103 m2 me një vlerë prej 150.000 euro.

 

Gjyqtarët

Medi Bici

Deklaron se për vitin 2011 familja e tij ka përfituar 27 mijë lekë nga i biri, si pasojë e një shpërblimi që atij i kanë dhënë si nxënës i shkëlqyer.

 

Guxim Zenelaj

Thekson në deklaratën e tij të pasurive se ka blerë gjatë vitit 2011 një sipërfaqe 1000 m2 tokë pyll në një mal afër Shëngjinit të Lezhës me vlerën e ulët prej 158 mijë lekësh.

 

Shkëlzen Selimi

Deklaron së për vitin që kaloi ka blerë dy makina, një “Fiat” me vlerë 5 mijë euro dhe një automjet tip “Mercedez Benz” me vlerë 900 mijë lekësh.

 

Ardian Nuni

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë ka deklaruar se për vitin 2011 e ka shtuar gjendjen e tij bankare me 40 mijë USD, për të cilat deklaron se janë rezultat i pagave në disa institucione në vend.

 

Gani Dizdari

Deklaron se ka pasur një shtim pasurie prej 1.5 milionë lekësh dhe vijon shlyerjen e një apartamenti me vlerë 3.6 milionë lekësh te Gjiri i Lalëzit në Durrës.

 

Kryeprokurorja vijon të shlyejë dy kredi me afate të gjata

Ina Rama, 23 mijë euro, si pasojë e një shitjeje dhe 1.5 milionë lekë nga kursimet

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në deklaratën e saj të pasurisë për vitin 2011 deklaron se ka arritur të rrisë të ardhurat si pasojë e kursimeve, nisur dhe nga një shitje pasurie e bashkëshortit të saj. Në deklaratën e radhës, Rama deklaron se në depozitat e saj bankare janë shtuar 1.5 milionë lekë si pasojë e kursimeve nga pagat familjare. Po kështu, një shifër prej 23 mijë eurosh, Ina Rama e ka përfituar si pasojë e: “Likuiditeteve, për premtim shitje në dobi të bashkëshortit Agron Nuredini”. Po kështu, Ina Rama deklaron se nga pagat dhe shpërblimet për vitin e shkuar paga e saj ka kapur vlerën e 2.3 milionë eurosh. Nga ana tjetër, një shumë prej 54 mijë lekësh ajo e ka përfituar nga Shkolla e Magjistraturës si udhëheqëse teme dhe anëtare e Këshillit Drejtues. Por kryeprokurorja gjithashtu deklaron se ajo vijon shlyerjen e dy kredive, të cilat i ka marrë gjatë viteve të shkuara me afate të gjata, prej 15 dhe 25 vitesh. Kryeprokurorja Ina Rama pritet të mbyllë këtë nëntor mandatin e saj pesëvjeçar, pas shumë akuzash që mazhoranca e vendit ka kryer në adresë të saj. Rama ka qenë tepër e sulmuar dhe kulmi i akuzave kundër saj arriti pas ngjarjeve të 21 janarit të vitit të shkuar, ku kryeprokurorja u akuza nga Kryeministri Berisha për organizimin e një puçi shteti me bashkëpunimin e kreut të opozitës, Edi Rama. Marrëdhëniet e mazhorancës me Ina Ramën ka nisur të jenë të trazuara vetëm pak muaj pas zgjedhjes së saj në postin e drejtuesit së organit qendror të hetimit.

 

Kreu i KLSH-së, 4 apartamente dhe 3 autovetura

Prona të paluajtshme dhe 400 piktura, koleksion në një vlerë prej 60 mijë eurosh

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, zotëron në pronësi katër apartamente banimi, troje, si dhe tre autovetura. Në deklaratën e paraqitur të plotë ndër vite, për herë të parë si kryetar i KLSH-së, Leskaj ka një apartament në Tiranë me sipërfaqe 190 metra katrorë, të blerë nga prindërit e bashkëshortes në shumën 500 mijë lekë dhe në vitin 2000 i është dhuruar ½ e pronës. Gjithashtu në vitin 2005, ish-ministri i Kulturës ka blerë një apartament në një vlerë 58 mijë USD, me një sipërfaqe banimi 130 metra katrorë. Nga shitja e apartamentit në Vlorë me sipërfaqen 150 m2, Leskaj ka blerë një truall në Tiranë me sipërfaqe 686 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 1000 metra katrorë. Vlera e kësaj pasurie është 110 mijë euro. Gjithashtu, kreu i KLSH-së ka edhe një apartament banimi, në proces ndërtimi, i porositur në 07.11.2011 me sipërfaqe të përgjithshme ndërtimore 356 metra katrorë me një çmim prej 300 euro/m2. Vlera e saj shkon në 106.926 euro. Ai zotëron dhe një shtëpi banimi me sip 150 metra katrorë, në fshatin Tragjas, Vlorë. Leskaj, sipas deklarimit të bërë në ILDKP zotëron një koleksion prej 400 pikturash, vlera e së cilave shkon në 60 mijë euro. Kreu i KLSH-së zotëron dhe tri autovetura. Ai ka 8 depozita bankare dhe llogari rrjedhëse. Ndërsa ka preferuar në gjendje cash të mbajë 150 mijë euro dhe 150 mijë dollarë amerikanë.

 

Tabela

247.396 euro llogari&cash

197.691 USD  llogari&cash

400 piktura me 60.000 euro

3 autovetura vlera 40 mijë euro

4 apartamente

 

Autor te 9 Gusht 2012. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Artan Bejtja

    Mire qerate e apartamenteve,por si ikane blere apartamentet,me cfare te ardhurash e a kane paguar detyrimet ne ato vite?Shume lire i blejne e shume shtrejte i shesin?Pse nuk i tregojne edhe popullit ku i gjejne keta ” budadhenj”?Sa ngehet njeri ne detyre bashkeshortja ese bashkeshorti behet inteligjent,bisnesmen,antar bordi etj

  • kosta

    Thjeshte sa per krahasim, pa ju bezdisur…….kam patur detyra shteterore dhe jam paguar me rroge mujore prej 97000 lekesh te reja …….mbi kete baze page qe besoi se nuk eshte e vogel, dola ne pension……..dhe deri sa u be e mundur qe ta terheq pensionin, qe u deshen gjashte muaj per te ma dhene nga sigurimet shoqerore, u futa ne borxhe, pothuajse aq sa mora pensoinin per gjashte muaj……. kam nje shtepi prej 103 m katrore dhe nje makine qe po e shita nuk i marre me shume se 3000 E……..kete fare pasurie te ketyre nenpunesve……nuk e kuptoi, se si munde te vihet me te ardhurat e rroges!!!!!!!!!