Italia miraton një tjetër paketë kursimesh

Ndërkohë që vendi vazhdon të shënojë rënie dhe recesion

Kryeministri italian, Monti ka marrë miratimin nga Parlamenti për një tjetër paketë kursimesh prej 4.5 miliardë eurosh, duke u përpjekur që të qetësojë tregjet dhe investitorët ndërkombëtarë, në lidhje me situatën e financave të vendit. E ndërsa s’është aprovuar kjo paketë e re kursimesh, të dhënat e fundit tregojnë një përkeqësim të recesionit në vend dhe rritje të kostos së huamarrjes. Paketa është miratuar nga shumica e parlamentarëve dhe kjo paketë do të fillojë të zbatohet në fund të këtij viti dhe do të shtrihet edhe në vitet në vijim. Si pasojë, parashikohet që të ketë shkurtime në postet e administratës publike me 20%, si dhe në fushën e shëndetësisë. Ndërkohë, me gjithë përpjekjet e bëra nga qeveria Monti, që nga formimi i saj për të qetësuar investitorët e huaj, shumë pak është arritur në këtë drejtim dhe përqindja e huamarrjes është gjithmonë e lartë, çka e bën Italinë një vend shumë të besueshëm për investitorët, për shkak të krizës së borxheve financiare. Por vota e fundit, e dhënë në favor të Montit, është e rëndësishme për të, pasi ai ka pasur vështirësi që të bindë deputetët për rëndësinë, sipas tij, të nevojës për të kursyer. Probleme ai ka pasur edhe nga partia e ish-Kryeministrit të vendit, Berluskoni, i cili është duke testuar situatën, për të ndërmarrë një rikthim në pushtet. Në një intervistë të fundit, dhënë për Wall Street Journal, Monti tha se kostoja e huamarrjes do të kishte qenë për Italinë më e lartë, nëse Berluskoni do të ishte ende në pushtet. E pikërisht partia e Berluskonit ka vendosur që të votojë kundër paketës së masave shtrënguese me një deputet të kësaj partie, që e ka cilësuar vendimin e Montit një budallallëk dhe se partia e tij nuk do të votonte një budallallëk të tillë. Ai kritikoi edhe një deklaratë të dhënë nga Monti, sipas së cilës, qeveria nuk duhet të ketë shumë pavarësi nga Parlamenti në kohë të tilla krize. Deputeti tha se vënia në diskutim e një fakti të tillë nuk duhet të ndodhë.

Autor te 9 Gusht 2012. Botë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry