Skënderbeu
Kongolezi pritet të provohet sot në miqësoren ndaj Kastriotit
Altin Manallari
Është shpallur kampion në dy sezonet e fundit radhazi, por në 2012-2013 Skënderbeu nuk e ka ndryshuar objektivin, që do të jetë mbrojtja e kurorës së kampionit. Për këtë arsye, drejtuesit e skuadrës korçare po tregohen shumë aktivë në merkato gjatë javëve të fundit për ndërtimin e ekipit, që duhet të jetë në gjendje të realizojë objektivat sezonale. Largimi i Agim Zeqos nga posti i presidentit të skuadrës juglindore duket se u ka demoralizuar disi ambientin mes korçarëve, por, megjithatë, Presidenti i ri Ardian Take këmbëngul se klubi e ka të gjithë potencialin e nevojshëm për të formuar një ekip të denjë për të luftuar për titull, edhe në edicionin që pritet të nisë në ditët e fundit të muajit gusht. Futbollistët Pero Pejiç dhe Sabjen Lilaj janë lojtarë të Skënderbeut, që janë afruar së fundmi. Ndërkohë, Takaj nuk ka ndërmend të ndalet, madje citohet të ketë thënë se brenda pak ditësh do të sjellë në skuadër edhe lojtarë të tjerë, për t’u provuar fillimisht dhe, nëse do të pranohen nga tekniku, do të ndikojnë edhe për të rritur konkurrencën. Numri 1 i klubit nuk jep emra konkretë, duke deklaruar se është ende në fazën e tratativave. Skënderbeu është në kërkim të të paktëve dy futbollistëve të krahut në mesfushë, pas largimit të Muzakës dhe Allmuçës, lojtarë titullarë të formacionit që u shpall kampion. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme mësohet se ka mbërritur sulmuesi kongolez Jean Paolo Kielo-Lezi, 28 vjeç, nga Kinshasa, i cili në sezonin e fundit ka luajtur në kampionatin belg. Sipas drejtuesve të klubit, të dhënat e lojtarit janë të mira dhe gjasat janë që ai do të nënshkruajë me Skënderbeu. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme mendohet që ai të ketë zbarkuar në aeroportin “Nënë Tereza” dhe, së bashku me menaxherin e tij shqiptar, më pas t’i jetë bashkuar skuadrës së Skënderbeut në rezidencën e fazës përgatitore në Durrës. Kampionët në fuqi të vendit do të luajnë sot në orën 18:00 një ndeshje miqësore ndaj Kastriotit, takim në të cilën pritet kongolezi të zbresë në fushë që në minutën e parë. Po ashtu, te Skënderbeu pritet të zbarkojë edhe një brazilian, Bruno Mataveli, mbrojtës, 24 vjeç, i cili do të testohet nga trajneri Mirel Josa. Ky i fundit gjithashtu ka njoftuar dje se ka ndërmend të testojë edhe disa nga futbollistët e ekipit të të rinjve, me qëllimin për të evidentuar talentet, që do të mund t’i shërbejnë skuadrës në sezonin që pritet të fillojë. Tekniku tiranas shpreson të ndërtojë një ekip, i cili të jetë komptetitiv në sezonin e ardhshëm. Vetë presidenti Ardian Takaj ka theksuar dje se “nuk na duhen më shumë se dy tre futbollistë për të kompletuar skuadrën, që do të mund të na garantojë titullin kampion”.
Trajneri Josa ka njoftuar se do të testojë edhe disa nga lojtarët e ekipit të të rinjve në kërkim të talenteve