Ndërtimet prishin tregun e gabit

Tregu i rrobave të përdorura te spitali dhe te treni do të zhvendosen në Allias

Lorina Mixha

Brenda një viti dy tregjet më të mëdha, ku shiten rroba të përdorura, do të zhvendosen në një zonë të re. Romët, që tregtojnë mallra të dorës së dytë, të përdorura apo të mbetura stoqe, do të zhvendosen në zonën e Alliasit, për shkak të ndërtimeve dhe ndryshimeve që do të pësojë qyteti i Tiranës.

Tregjet

Romëve, që tregtojnë në zonën e spitalit, në fushën përballë godinës së Shërbimit Informativ në kryeqytet, u është thënë se gjysma e kësaj hapësire do të përdoret për ndërtime dhe se ata do të zhvendosen në gjysmën tjetër të hapësirës, deri në një vendim të dytë. Më pas, të gjithë së bashku, brenda harkut kohor të një viti do të spostohen në zonën e Alliasit.

Sipas planit urbanistik, diskutimeve dhe planifikimeve paraprake në ambientet ku romët sot shesin rroba të përdorura, është parashikuar të bëhen ndërtime, por të ketë edhe sipërfaqe të gjelbra për qytetarët.

Po ashtu, pjesë e shpërnguljes janë edhe anëtarët e komunitetit rom që shesin në zonën e trenit. Për shkak të zgjerimit të bulevardit, por edhe të projekteve për ndërtim në këtë zonë, romët duhet të zhvendosen. Mendohet se edhe këta, sipas planeve të Bashkisë të spostohen në zonën e Alliasit.

Romët tanimë e kanë mbledhur mendjen, do të shfrytëzojnë sa kanë mundësi këto hapësira, e më pas do të mendojnë për të gjetur dyqane me qira apo edhe për të dalë në rrugë, në sheshpushimet e pallateve e gjithkund, ku të hapin dengjet dhe plaçkat që shesin tani në tregjet e mëdha, të njohura si gabi. Punësimi i tyre në aktivitetin e shitjes së rrobave është e vetmja mënyrë për të krijuar të ardhura në familje. Komuniteti vetëpunësohet familjarisht në sipërmarrjen e tregtimit të produkteve të “dorës së dytë”, ku përfshihen rroba, lodra, këpucë, çanta, por edhe sende të tjera zbukurimi e argëtimi.

Ndërtimet

Sipas grupit strategjik, që diskuton planin urbanistik, rezulton: Vetë qyteti në këto kufij që është sot, apo në ato kufij që ne po projektojmë ndien të nevojshme krijimin e atyre qendrave që janë tipike për një qendër, shërbime administrative, institucionale administrative, shërbime komerciale, shërbime të biznesit, rekreacionale, shërbime pse jo edhe të gjelbërimit, paçka se mund t’i konsiderojmë brenda rekreacionit, shërbime social-kulturore dhe në fakt shërbime që nuk po i përballon dot qendra ekzistuese e Tiranës.

Është artikuluar disa herë në grupin strategjik nevoja për hapjen e këtyre qendrave të reja. “Ne gjatë kësaj kohe kemi identifikuar, pjesa veriore, e gjithë pjesa poshtë Stacionit të Trenit deri në lumë, ofron mundësi të mira për të krijuar një pol të tillë zhvillimi”, sqaruan ekspertët pak kohë më parë.

Sipas grupit teknik, një pellg i mirë ndryshimesh dhe investimesh është edhe pjesa e spitalit “Nënë Tereza”. “Në sugjerimin tonë do të duhej edhe pak terren, pra nëse arrijmë të spostojmë shkollën e Bashkuar si dhe SHIK-un, fitojmë një terren shumë të mirë për të ofruar shtesë dhe për të krijuar një pol të ri zhvillimi, që mbledh një pjesë të mirë të zonës lindore të qytetit”, referoi grupi teknik, si pjesë e propozimeve për planin urbanistik të qytetit të Tiranës.

 

Grupi strategjik për zonën e trenit

Kemi identifikuar, pjesa veriore, e gjithë pjesa poshtë Stacionit të Trenit deri në lumë, ofron mundësi të mira për të krijuar një pol zhvillimi

 

Autor te 9 Gusht 2012. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry