Nouriel Roubini

Ekonomisti amerikan është i njohur në të gjithë botën për parashikimet e tij katastrofike. Ishte i pari që foli për krizën në vitin 2006, gjatë një konference të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Nostradamusi i kolapseve ekonomike parashikon…

Që kur profecitë e tij për katastrofat ekonomike u bënë realitet, Nouriel Roubini e gjeti veten në një pozicion shumë të vështirë, me lloj-lloj “emrash” që i ngjitën: mes të cilave edhe “doktor katastrofa”. Ishte pikërisht ky doktor që kishte parashikuar katastrofën e ekonomisë globale, ndërsa për të tjerët kjo nuk ishte aspak e drejtë. Për ta ekonomia lulëzonte dhe asnjë problem serioz nuk shfaqej në horizont. Në vitin 2006, ekonomisti i famshëm, i lindur në Turqi dhe i diplomuar në Boconi dhe i mësuar me katedrat më prestigjioze të ekonomisë në botë (tani jep mësim në New York University) u vu në krye të tregut imobiliar dhe si një mjek kishte gjetur shenjat e një sëmundjeje botërore ekonomike. Një sëmundje që, e nisur nga një tullë, do të infektonte gjithë sistemin ekonomik. Pseudonimet, që i kanë vënë të tjerët, nuk e shqetësojnë aspak. “Nëse dikush kërkon të më quajë kështu, është punë për të. Nuk i kam dhënë kurrë rëndësi këtyre gjërave. Është e vërtetë që prirem të nënvizoj aspektet negative, por i bazoj konsideratat e mia në analizën e të dhënave, duke i marrë seriozisht në konsideratë rreziqet. Pasi bëhet analiza, duhen bërë edhe propozime konstruktive”.

Çfarë mendon se mund ta shpëtojë një Europë të zhytur në krizë?

Para së gjithash, dua të kujtoj se kriza është globale. Eurozona përfaqëson vetëm pjesën më kritike të një skenari, që përfshin SHBA-në, por edhe ekonomitë në zhvillim në krizë, dhe për shembull, kërcënimet gjeopolitike të rëndësishme, si prodhimi nuklear i Iranit. Unë mendoj se për Europën ka vetëm një rrugë: të krijojë një union solid, një union bankar që lejon të ndajë borxhet dhe të mbrojë monedhën e përbashkët. Por për ta bërë këtë duhet një union i fortë politik, pikërisht kjo që nuk është bërë kurrë.

Alternativa të tjera?

Shpërbëja e eurozonës, me pak fjalë, një katastrofë. Nëse dalja e kontrolluar e një ekonomie të vogël, si ajo e Greqisë mund të shkaktojë dëme të mëdha, imagjinoni ç’mund të ndodhë me ekonomi të tilla si ajo e Italisë.

Si e gjykoni punën e presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, që në një intervistë të fundit ka folur për mundësinë e forcimit të BE-së. Si ju duket puna e tij në Frankfurt?

E respektoj shumë Draghi-n dhe e konsideroj një president të mirë të BQE-së. Sigurisht që është më mirë se Jean-Claude Trischet-i. Mendoj se është i vetmi që mund ta bindë Gjermaninë, që të ndihmojë ekonomitë e vendeve në krizë dhe ta bëjë këtë institucion një urë drejt diçkaje, dhe jo një urë drejt asgjëje, siç ka qenë deri tani.

Drejt çfarë gjejë më saktësisht?

Ndarjes së borxhit. Fakti është që politikisht nuk mund të pretendohen menjëherë eurobondet dhe aq më tepër të mendosh që Gjermania të pranojë në njëfarë mënyre të reformojë BQE-në, për ta bërë më të ngjashme me FED-in. Ajo që mund të bëhet është ta ndihmojmë Draghi-n të veprojë me kujdes në krye të BQE-së.

Edhe Italia është një vend i zhytur në krizë dhe recesion. Ka shpresa për t’ia dalë mbanë?

Edhe situata e Italisë është shumë e komplikuar. Duhen vendime të forta të politikës ekonomike të orientuara ekskluzivisht drejt rritjes ekonomike. Disiplina fiskale është një masë e nevojshme, por rritja ekonomike është urgjente për të mos përfunduar në duart e trojkës: FNMN-BQE-BE.

Është Mario Monti njeriu i duhur për këtë?

Monti është i vetmi në Itali që mund ta bëjë këtë, edhe pse më duket se nuk ka mbështetjen e nevojshme politike. Pastaj duhet që Gjermania të pranojë një kompromis për disiplinën fiskale.

Europa, e dominuar nga Angela Merkel, ka inauguruar paradigmën e njohur të kursimit, në një kohë kur Amerika ka investuar me miliarda në sistemin ekonomik për ta stimuluar, duke ndjekur doktrinën kejnesiane. Por edhe Amerika nuk ka dalë nga depresioni. Si i gjykon këto vendime?

Amerikanët kanë vënë në qarkullim 800 miliardë dollarë dhe tani gjenden përpara një rritjeje ekonomike 2 për qind, ndërsa në Europë shenjat janë ende negative. Është absurde ta gjykosh si dështim nismën amerikane.

 

1959 - Nouriel Roubini është një ekonomist amerikan me prejardhje hebreje. Është profesor ekonomie në Universitetin e Nju Jorkut dhe president i RGE Monitor, shoqëria e analizave financiare. Lindi në Stamboll, 53 vjet më parë

1983 - Ka jetuar mes Teheranit, Tel Avivit dhe Milanos, ku frekuentoi shkollën hebreje dhe Boconi-n. Pas diplomimit në 1983, u transferua në SHBA, ku mori një doktoraturë në Harvard. Ka qenë një nga konsulentët e Klintonit

2006 - Gjatë një konference të Fondit Monetar Ndërkombëtar ekonomisti parashikoi se SHBA-ja do të përballej me shpërthimin e “flluskës” imobiliare, duke nisur kështu një fazë recesioni

2010 – Ekonomisti parashikoi për ekonomitë amerikane, japoneze dhe europiane, një recesion të dytë, shumë herë më të keq se i pari.

Autor te 9 Gusht 2012. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry