Pas fitores 1-0 me Iranin, Kombëtarja ngjit një vend në klasifikim, por me të njëjtat pikë
Shqipëria ka ngjitur edhe një vend në renditjen mujore të FIFA-s, duke qenë në vendin e 74, me 448 pikë. Një muaj më parë ajo ishte në vendin e 75-të (me të njëjtën kuotë pikësh) mes 208 kombeve që aderojnë në qeverinë botërore të futbollit. Ndërsa në muajin maj renditja ka qenë në vendin e 79-të, me 451 pikë. Edhe pse nuk ka luajtur asnjë ndeshje, kjo është renditja zyrtare e FIFA-s. Ndeshja e fundit e kombëtares ka qenë ajo kundër Iranit, në Stamboll, në fund të muajit maj. Kuqezinjtë fituan me rezultatin 1 me 0. Kombëtarja, e drejtuar nga italiani Xhani De Biazi, ndodhet në kuotën e 448 pikëve. Në renditjen botërore ndodhemi midis Bolivisë (vendi i 73-të, 449 pikë) dhe Guinesë (75, 448 pikë). Në renditjen specifike europiane, pra, të zonës UEFA, Shqipëria ka fituar një pozicion dhe tani ndodhet në vendin e 35-të nga 53 shtete. Moldavia, kundërshtarja e Shqipërisë, në miqësoren e 15 gushtit (në “Qemal Stafa”) ka ngjitur dy vendet dhe tani renditet në vendin e 137-të (213 pikë), duke ngjitur një vend. Qipro, kundërshtari i parë në eliminatoret e Botërorit 2010, ka humbur një pozicion, dhe tani klasifikohet në vendin e 123-të (266 pikë). Spanja vazhdon të ruajë vendin e parë në renditje botërore të kombëtareve për këtë muaj, në kuotën e 1605 pikëve, e ndjekur nga Gjermania, që numëron 1474 pikë, ndërsa Anglia vazhdon të ngjitet në renditje, duke u pozicionuar në vendin e tretë, një vend më lart se një muaj më parë, me 1294 pikë. Top pesëshen më të mirë të renditjes e mbyllin Uruguaji dhe Portugalia.