Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi ka deklaruar se shkarkimi i kreut të SHISH, Bahri Shaqiri, nga presidenti i Republikës është shumë shqetësues.
Në një intervistë telefonike për VOA, Klosi ka komentuar edhe zgjedhjen e drejtorit të ri të shërbimeve sekrete, zgjedhje që sipas tij është bazuar në eksperiencën e kaluar të Visho Ajaz Likës.
“Unë e quaj të ngutur deklaratën e kryeministrit që thoshte se do ta hiqte kreun e SHISH dhe tani e hoqi. Këtu ka vend për një shqetësim të madh. Eksperienca e drejtorit të sotëm në SHIK-un e Gazidedes është një nga parametrat që ka shërbyer për ta zgjedhur. Prandaj them se është për t’u shqetësuar”, ka thënë Klosi.
Ish-shefi i shërbimeve të inteligjencës vlerëson faktin që Lika ka punuar në SHIK, që sipas tij u anatemua me zgjedhjet e vitit 1996 e komplikon tej mase situatën.
“Unë nuk bëj paragjykime, por shoh eksperiencën që ai ka kaluar. Atëherë SHIK-u ishte anatemuar pas zgjedhjeve të 96-ës. Është një eksperiencë që nuk duhet ta harrojmë”, ka nënvizuar Klosi.
Më tej ai e ka cilësuar si të rëndë faktin se kryeministri Berisha ka shpërfillur apelet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar, për pavarësi të shërbimeve sekrete. Sipas tij, sot me shumë se kurrë Shqipëria duhet të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë.
“Sot jemi anëtarë të NATO-s dhe konsolidimi me partnerët duhet të ishte i nevojshëm. Më duket se kjo ngutje e bërë në këtë periudhë vere tregon që ata mund të mos ndërhyjnë dot më. Kjo ngjarje nuk është e mirë, sepse jemi në pozita të tjera. Them se duhet të jemi më seriozë”, ka deklaruar Klosi.
9 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)