Bahri Shaqiri


Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) Bahri Shaqiri u shkarkua sot nga detyra nga presidenti Bujar Nishani me propozim të kryeministrit Sali Berisha. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e presidencës. Merr kështu fund një betejë shumëvjeçare mes kreut të SHISH dhe kryeministrit Berisha, ku diplomatët e huaj si dhe ish-presidenti Topi patën refuzuar kërkesën e Berishës për shkarkimin e tij me argumentin se SHISH duhet të mbetet një institucion i pavarur nga qeveria.


“Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në mbështetje të nenit 92, germa “f”, dhe nenit 93 të Kushtetutës si dhe nenit 5, paragrafit 2 të Ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998 “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar, me propozim të Kryeministrit dekretoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, zotit Bahri Shaqiri dhe emërimin në detyrën e Drejtorit të Shërbimit


Zëvendësuesi Visho Ajazi Lika ka punuar më herët në Këshillin e Ministrave ku ka drejtuar Këshillin Teknik për Qeverisjen Elektronike. Biografia e tij e publikuar në faqen zyrtare të qeverisë tregon se është profesionist i teknologjisë së informacionit.


Informativ të Shtetit, zotit Visho Ajazi Lika,” thuhet në njoftimin e Presidencës.


Pavarësia e SHISH ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm i ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i shprehur në shumë raste zyrtarisht dhe i raportuar në mënyrë të hollësishme nga ish-ambasadori Withers. Tentativat e Berishës për ta shkarkuar Shaqirin fillimisht u penguan nga refuzimi i ish-presidentit Bamir Topi. Një tentativë tjetër për ndryshimin e ligjit themeltar të SHISH dhe për t’i dhënë mundësi kryeministrit për shkarkim, dështoi kur disa deputetë të maxhorancës dezertuan pas ndërhyrjeve shumë të forta diplomatike.


Presidenti i ri Bujar Nishani ka duruar më pak se dy javë për të plotësuar dëshirën e vjetër të kryeministrit për të marrë nën kontroll shërbimin informativ.


Në një raport diplomatik me kodin 10TIRANA65 dhe me klasifikimin “Konfidencial”, flitet për një takim mes Presidentit Bamir Topi dhe ambasadorit Withers në vitin 2010, në kohën kur po diskutohej mbi një projektligj të përgatitur nga qeveria për Shërbimin Informativ Shtetëror. Projektligji nuk u miratua pas protestave të ashpra nga ambasada e SHBA-së, NATO e BE. Kabllogramat hedhin dritë mbi seriozitetin e problemit.


Lajmi përkatës mund të lexohet këtu: Topi: “Ligji i Berishës për SHISH më kujton Sigurimin e Shtetit”.


Në një kabllogramë tjetër, ambasada e SHBA pati raportuar se SHISH qe infiltruar sakaq nga militantët e partisë Demokratike ndërsa hidheshin hije dyshimi për infiltrim të mundshëm edhe nga krimi i organizuar. Lajmi mund të lexohet këtu: “SHISH ndoshta i infiltruar nga krimi”.


Pas publikimit të dekretit ka reaguar Aleanca Kuq e Zi, e cila ka akuzuar se ‘pas shkarkimit të kreut të SHISH-it me kërkesë të Kryeministrit dhe emërimit në këtë post të Visho Likës, Berisha përfundimisht pushtoi çdo institucion. U bëjmë apel qytetarëve të kenë kujdes sepse përgjohen nga Partia Demokratike. Në Shqipëri nuk ka më institucione, por seksione të Partisë Demokratike. Tani Shërbimi Informativ transformohet në shërbim të Partisë dhe me emërimin politik të Visho Likës, Berisha nis gjuetinë e përgjimeve dhe ndjekjeve”, thuhet në deklaratën e AK-së.


9 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)