Pasdite priten të bëhen vlerësimet e para të mjekëve. Nuk dihet nëse do të transportohet jashtë shtetit


Gjendja shëndetësore e ish-kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare Arben Xhaferi vijon të mbetet kritike. Ai nuk ka reaguar dhe që prej dy ditësh ndodhet në gjendje kome. Lajmi është bëtrë i ditur nga mediat shqiptare në Maqedoni, të cilat i referohen burimeve nga PDSH-ja. Sipas tyre, në orët e pasdites priten vlerësimet e para të mjekëve se cilat do të jenë pasojat afatgjata për shëndetin e Xhaferit, nga hemorragjia cerebrale që pësoi mbrëmjen e së mërkurës.


Ndërkohë as familjarët e zotit Xhaferi, e as përfaqësuesit e partisë së tij nuk dëshirojnë të prononcohen për mediat lidhur me gjendjen e tij. Ata janë stacionuar në Klinikën Neurologjike të Shkupit ku është shtruar Xhaferi, në pritje të informatave nga mjekët dhe me shpresë për përmirësim të gjendjes së tij. Për momentin nuk ka ndonjë informatë nëse ekziston nevoja për transferimin e tij për kurim në ndonjë spital jashtë Maqedonisë. Arbën Xhaferi, ish-kryetari i PDSH-së vuan prej shumë vitesh nga sëmundja e Parkinsonit. Arbën Xhaferi është deputet aktual i PDSH-së dhe kryetar i parë i kësaj partie. Për 12 vite me radhë, Xhaferi ka qenë në krye të PDSH-së deri në vitin 2007, kur në krye të partisë erdhi zëvendësi i tij, Menduh Thaçi.


10 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)