Gjykata e Beratit ka vendosur masën “arrest në burg” për Kushtrim Gurin
Gjykata e Beratit ka vendosur të lërë në burg pa afat 52-vjeçarin Kushtrim Guri, i cili katër ditë më parë dëmtoi kufomën e Shpëtim Dervishit, vrasësit të të vëllait.
Guri është ndaluar nga uniformat blu një ditë pas ngjarjes makabre, të ndodhur në ambientet e Kombinatit Mekanik të Poliçanit. Mëngjesin e sotëm ai është paraqitur përpara togave të zeza, për vlerësimin e masës së sigurisë të marrë ndaj tij. Avokati mbrojtës i Gurit është përpjekur të shpjegojë se klienti i tij e ka kryer veprën, në kushtet e një tronditjeje të fortë psikike, por kjo nuk ka mjaftuar për të bindur gjykatën për ta lënë atë të lirë deri në përfundim të hetimeve. Ndaj Gurit rëndon akuza e dhunimit të varreve, neni 118 i Kodit Penal, i cili thotë se “Dhunimi i varrezave, varreve, nxjerrja e kufomës, vjedhja e sendeve që mund të ndodhen në to, si dhe çdo veprim tjetër që ul respektin ndaj ët vdekurve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet burg”.
Mëngjesin e 6 gushtit, roja i Kombinatit Mekanik të Poliçanit, Shpëtim Dervishi qëlloi për vdekje me armë zjarri, shefin e sigurimit teknik Vladimir Gurin e më pas vrau edhe veten. Pas vrasjes, vëllai i shefit të sigurimit teknik ka dhunuar kufomën e rojës, duke tentuar ti presë kokën në shenjë hakmarrje.
10 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)