HAJDAR MUNEKA
Para disa ditësh në një të përditshme ishte shkrim i z. Bugajski për lidhjen kineze të Shqipërisë. E lexova me interes, pasi Kinës i kam kushtuar më shumë se 15 vite të jetës sime, si student, diplomat i gavetës, e deri ambasador i vendit tim në Pekin. Nuk mund të mos them qysh në krye të herës, se ndaj mendime të ndryshme me pjesën më të madhe të çka shkruan z. Bugajski. Në vazhdim nuk dua ta polemizoj, por do shpreh pikëpamjen time për disa çështje që preken në atë artikull.
Historia e marrëdhënieve shqiptaro-kineze ka kaluar tri etapa të rëndësishme. Etapa e parë ishte e miqësisë mbi bazat e internacionalizmit proletar. E dyta, prishja dhe ngrirja pothuajse totale. Dhe, etapa e tretë, ajo e marrëdhënieve normale shtetërore në nivel bashkëkohor. Dëshira për t’u dhënë ngjyrim ideologjik raporteve aktuale shqiptaro – kineze, siç thuhet shpesh kohët e fundit, është minimalisht nga padija. “Vëllazërore” është term që nuk ekziston më në fjalorin diplomatik të Pekinit. Sa për shembull: Kina sot nuk ka marrëdhënie vëllazërore as me Korenë e qeverisur nga nipi i Kim Ir Senit dhe as me kamboxhian e djalit të Sihanukut.
Nuk ka dyshim se qeveria kineze ka plan strategjik afatgjatë lidhur me investimet e saj jashtë vendit. Kështu ndodh me gjithë vendet e fuqishme ekonomike. Do ishte çudi të ndodhte ndryshe. Pjesë e këtij plani është edhe rajoni i Ballkanit, ku ne bëjmë pjesë e ku Kina ka bërë të gjitha llogaritë në interes të saj. Sa i takon palës tjetër, përpara se të gjejë çfarë e sa fiton qeveria kineze nga realizimi i këtij plani, duhet të bëhet pjesë e tij, duke llogaritur përfitimet tona. Për ilustrim, përmendim se në pesë vitet e ardhshme, qeveria kineze ka planifikuar të investojë në vendet e të quajturës Europë Lindore, ku përfshihemi edhe ne, rreth 1 miliard dollarë. Sa para nga kjo shumë do hyjnë në Shqipëri?
Duhet të kemi parasysh se kinezët, kur i vënë detyra vetes, përdorin të gjitha format derisa e realizojnë atë që duan. Konkretisht, shumë vite më parë ata propozuan të merrnin me koncesion thellimin dhe konstruksionin e Portit të Durrësit. Për njëmijë arsye, apo një arsye të vetme, pala shqiptare e refuzoi. Vëmendja kineze u shpërngul pa humbur kohë vetëm disa qindra kilometra në jug të Shqipërisë, në Selanik, i shndërruar sot në port konkurrues të Mesdheut. Në qoftë se ne do ishim treguar më të hapur, sot do kishim një port modern bashkëkohor që do shërbente si nyje lidhëse për të gjitha vendet e rajonit, dhe qendër e rëndësishme zhvillimi për ekonominë e vendit, përveçse burim i madh të ardhurash. Ndërsa aktualisht kromi apo mineralet e tjera shqiptare nga porti i Durrësit eksportohen akoma në kontejner 30 tonësh, më keq se 30 vite më parë.
Ajo për çfarë duhet të shqetësohemi seriozisht është fakti se përse kapitali kinez po depërton kaq ngadalë e me kaq vështirësi në Shqipëri? Nuk dihet sa prej 16 mijë kompanive kineze që operojnë aktualisht nëpër botë kanë hyrë në Shqipëri, por në faqen elektronike të ambasadës kineze në Tiranë figurojnë vetëm emrat e tri kompanive të fuqishme midis të cilave “Huawei” e “Zhongxin”. Edhe ato kryesisht operojnë si furnizues me makineri e pajisje për kompani të treta. Imazhi i Kinës në Tiranë përgjithësisht identifikohet me tre – katër restorante, me një pjesë të tregut të Çamëve apo me një rruge te Medreseja. Një miku im diplomat në ambasadën kineze më thoshte këto ditë se numri i tregtarëve shqiptarë që operojnë me Kinën sa vjen e po ulet. Kjo ndoshta për shkak të ndikimit të krizës globale financiare, por edhe për faktin se vihet re një tejngopje e tregut, për më tepër kur qytetarët shqiptarë po kërkojnë gjithnjë e më shumë mallra cilësore perëndimore. Edhe Kina prodhon mallra të standardit të lartë, por çmimit të lartë të origjinës i shtohet edhe tarifa e transportit. Edhe sikur kjo lloj tregtie të vazhdojë ajo nuk mund të jetë pjesë e planeve afatgjata, pasi është e paqëndrueshme. Ndaj është koha për të kaluar nga tregtia e mallrave të përdorimit të përditshëm në inkurajimin dhe thithjen e investimeve direkte kineze në Shqipëri. Kjo realizohet duke vënë në lëvizje e sensibilizuar strukturat vendimmarrëse kineze, të cilat në të shumtën e rasteve janë pjesë e qeverisë. Kohët e fundit vihet re një përmirësim në këtë drejtim. Burime nga ambasada kineze thonë se vetëm gjatë muajit korrik e kanë vizituar Tiranën gjashtë grupe biznesmenësh të interesuar për investime direkte në energji, industrinë minerare etj. Është inkurajues fakti që Ambasada Kineze, përfshirë vetë ambasadorin, janë mjaft të interesuar jo vetëm për të gjetur lidhjet, por edhe për t’u krijuar njerëzve të tyre një ambient sa më të përshtatshëm, çfarë e bën diplomacinë kineze gjithnjë e më të orientuar drejt ekonomisë. Shpresojmë të gjejnë të njëjtën dëshirë dhe impenjim edhe nga pala shqiptare. Futja e kompanive kineze në Shqipëri nuk duhet parë si “përqasje grabitqari” dhe as si kërcënim për rritjen e papunësisë në vend. Rregullat për investitorët e huaj përcaktohen nga vendi pritës, në rastin tonë nga “Ligji për investimet e huaja”. Normalisht jemi ne ata që përcaktojmë edhe raportin e numrit midis punonjësve të huaj dhe atyre lokalë. Këto rregulla e ligje janë të njëjta si për investitorët kinezë ashtu edhe për ata që vijnë nga Europa, SHBA apo pjesë të tjera të globit.
Bumi ekonomik në Kinë ka ardhur edhe si rezultat i investimeve direkte që ka thithur ajo nga fuqitë e mëdha botërore. Madje duhet thënë se Kina është një model nga mënyra si ka arritur t’i vërë në dobi të saj burimet e mëdha financiare e teknologjike nga vendet më të zhvilluara të botës. Prezenca në Kinë është bërë kusht i suksesit për kompanitë më të mëdha. Një pjesë kanë transferuar edhe selitë atje. Kina është partneri i dytë më i madh tregtar i SHBA me një shkëmbim vjetor prej më shumë se 400 miliardë dollarësh. Në kushtet e krizës financiare botërore ajo është kthyer në gjeneratorin kryesor që ruan balancat, si ato monetare, ashtu edhe ato prodhuese e tregtare. Lidhur me përpjekjet për të thithur investimet kineze në Shqipëri, duhet të shfrytëzojmë edhe një faktor pozitiv të trashëguar nga e kaluara kur dy vendet tanë e konsideronin njëri – tjetrin si “mëngë të së njëjtës xhaketë”. Brezi kinez që ka përjetuar përpjekjet e Shqipërisë për pranimin e Kinës në OKB, dalëngadalë po dorëzon stafetën një te brezi më i ri që nuk është i familjarizuar me vendin tonë. Mjafton një shtegtim në forumet rinore kineze në internet për të kuptuar se për ta tema shqiptare është pothuajse inekzistente. Në të kundërt, në udhëheqjen e lartë kineze, përfshirë vetë Presidentin Hu Jintao, për Shqipërinë e shqiptarët flitet me respekt e konsideratë të lartë. Ky moment duhet shfrytëzuar. Të përfitojmë nga fakti që kinezët janë komb që nuk harrojnë e që dinë ta shpërblejnë atë pak nder që u kemi bërë. Kësaj radhe me investime serioze me përfitim të dyanshëm.
Treni kinez po ecën me shpejtësi. Të përpiqemi që shinat e tij të kalojnë edhe nga Tirana.