MACJA DHE MIU

FATOS BAXHAKU

Këtu e shumë vjet më parë, mbase andej nga fillimi i 1996-s, shumë prej nesh të shtypit të pavarur, por edhe më shumë të shtypit të djathtë, desh e kryqëzuam profesorin e nderuar, Servet Pëllumbi, sepse diku mbi një raft të zyrës së tij, në selinë e PS, mbante ende një statuetë të vogël të Karl Marksit. Tashti, që kanë kaluar jo pak vjet, e vëmë buzën në gaz me trishtim për ato ç’ka kishim menduar me naivitet asokohe. Të dalë nga diktatura më e thellë dhe më primitive, ne mendonim se fajet na i kishte jo vetëm Enver Hoxha, Lenini, Stalini, e Mao Ce Duni, por edhe Marksi dhe Engelsi. Mbase ngaqë na ishte dashur aq shumë t’i jepnim provim pa i kuptuar aspak, mbase ngaqë portretet e tyre dilnin në përvjetorë bajatë e të sajuar, mbase ngaqë – dhe kjo ka më shumë mundësi të jetë e vërtetë – ishim ende të paditur, ne i rreshtuam edhe këta dy kolosë të mëdhenj të mendjes njerëzore në bandën e të akuzuarve nga historia.

Sot, të paktën për autorin e këtyre radhëve, ka ardhur koha t’i kërkojmë ndjesë profesorit të nderuar, Pëllumbi. T’i kërkojmë ndjesë, sepse ndryshe nga shumë kolegë e miq të tij nuk u bë njeri me dy faqe, t’i kërkojmë ndjesë, sepse i mbajti deri në fund bindjet e tij, por edhe t’i kërkojmë ndjesë edhe për një fakt shumë më domethënës: thuhet se është larguar komunizmi nga skena politike shqiptare, porse parimet që e lindën, pra materializmi historik vazhdon dita me ditë të zbatohet nga të majtët po se po, por çfarë është më interesantja edhe nga ata që e quajnë veten të djathtë.

Materializmi historik ose shikimi materialist i historisë dhe i zhvillimit të shoqërisë – në gjermanisht në mënyrë “të shkurtuar” thuhet materialistische Geschichtsauffassung – është një mënyrë të shpjeguari të zhvillimit shoqëror mbi bazën e së cilës zhvillimi ekonomik dhe teknologjik është thelbi i të gjitha ngjarjeve të mëdha. Prodhimi dhe shpërndarja e tij janë mekanizmat mbi të cilat njerëzimi në periudha të caktuara ka ngritur më pas sistemet politike. Në këtë sistem nuk ka fjalë për ndjenja, fe, ideale, dhemshuri, solidaritet, gabime njerëzore, prova që kanë për bazë zemrën dhe jo interesin material, jo. Kjo nuk lejohet. Çdo gjë shpjegohet me interesin, me prodhimin dhe me shpërndarjen e më pas me rishpërndarjen e tij, pra me idenë se ku shkojnë paratë dhe përse përdoren ato. Mbase nuk është nevoja dhe as vendi të themi se kjo teori, e cila ende diskutohet, studiohet, aplikohet, analizohet, kritikohet, por edhe lëvdohet në shumë nga vendet më të zhvilluara të botës, u dha udhë ëndërrimeve që çuan më pas në teori dhe praktika gjakatare, gjenocidiste, zhgënjyese, si çdo ëndërr njerëzore e përdorur keq. Që ta mbyllim me materializmin historik: Në rastin tonë është njësoj sikur çdo gjë ta shpjegojmë me udhët ku shkon paraja, as të mos merremi me atë çka liderët tanë përfaqësojnë, as nga na vijnë deputetët tanë të nderuar, as se çfarë shkollimi kanë, madje as mos t’ua vëmë fare veshin se çfarë debatojnë në Parlament.

Të shpjeguarit e historisë sonë politike të kohëve të fundit vetëm e vetëm me afera politike që kanë në thelb paranë është në fakt aplikimi më modern i materializmit historik në kushtet e një vendi europian në dekadën e dytë të mijëvjeçarit të tretë. Askush nuk po kritikon. Vetëm po konstaton. Pa ta vrasim një herë mendjen bashkë. Në të gjitha debatet që janë zhvilluar në Parlament nga janë nisur deputetët? Nga idetë, nga opinioni, nga fryma për të pasur një vend të mbarë, apo nga akuza dhe kundërakuza që kanë në thelb një dhe vetëm një fjalë: paranë, pra prodhimin e dikurshëm të Marksit dhe të Engelsit. Një palë mbrohet se është në rregull me tenderët, me letrat, me procedurat, me firmat me vulat, një tjetër palë akuzon se është vjedhur kaq e kaq e lekë se janë shpërdoruar shumë të tjera, se janë zhdukur shumë të tjera. Rrallë, shumë rrallë, për të mos thënë asnjëherë, është mbajtur ndonjë diskutim idealist, ndonjë diskutim ku paraja s’është zënë fare me gojë dhe ku u është bërë thirrje shqiptarëve të jenë një pavarësisht bindjeve e interesave partiake. Rrallë, shumë rrallë ka dalë ndonjë burrë a grua që të mos merret me paranë, apo me hijet e saj, në të gjitha fushat e jetës, por t’u hapë sytë të tjerëve me ide, shpresa, bindje. Në vend të këtyre kemi pasur akuza e kundërakuza nganjëherë edhe shumë gallatë e paranojake sikurse ishte ajo e “skandalit shqiptar Watergate”. Autori i këtyre radhëve, për fatin e tij të mirë a të keq, nuk është me asnjë parti, porse skandali sipas të cilit shërbimi sekret i ushtrisë na paska blerë një pajisje speciale për të përgjuar telefonat e opozitës është një nga shembujt më tipikë të aplikimit të materializmit historik në propagandë, nuk po themi në politikë. E para, që një shërbim sekret i yni do të përgjojë, këtë e ka për detyrë. Duhet ta dënonim nëse bënte të kundërtën, e dyta Berisha nuk është aq pa përvojë sa t’u hyjë aventurave të tilla të kota. E treta ato që thuhen në mbledhjet e PS nuk janë ndonjë sekret i madh përderisa i merr vesh edhe reporteri më me pak përvojë. Le që ato që thuhen në secilën mbledhje raportohen sakaq tek ambasadorët e huaj. Ku është sekreti, nëse këtij vendi i ka mbetur ndonjë sekret? Një foto e një laptopi me një antenë ishte prova e “skandalit” që u fshi shumë shpejt nga vapa e gushtit. Ky është një nga rastet tipike të aplikimit të materializmit në politikë. Të tilla ka plot. Politikanët tanë mund të brohorasin sa të duan e si të duan kundër komunizmit, rrënjën që atë e polli, materializmin historik, e kanë ende në subkoshiencën e tyre, mbase pa e ditur as vetë. Po kjo është punë e tyre dhe e historive të tyre personale.

Meqë është kohë pushimesh dhe mbase pakkush e ka mendjen te filozofimet tona politike le të provojmë të luajmë së bashku një lodër politike plazhi. Një filozof i njohur, Elias Canetti, një idealist e aspak materialist, këtu e ca dekada më parë e pat përshkruar kështu marrëdhënien mes pushtetit dhe të tjerëve: “…Miu, me t’u kapur është nën pushtetin e maces. Macja e ka zënë, e mban mbërthyer dhe do ta mbysë. Por, kur ajo nis të lozë me të, ndodh befas diçka e re. Macja e lëshon miun dhe e le të vrapojë një çikë. Sapo i kthen kurrizin maces dhe nis të vrapojë, ai s’është më nën pushtetin e saj. Por ndërkaq, macja ka në dorë pushtetin për ta kapur sërish miun. Nëse macja e lë krejtësisht të lirë, atëherë miu del plotësisht nga sfera e pushtetit të saj. Mirëpo përderisa macja është e sigurt se mund ta kapë prapë, miu vazhdon të mbetet nën pushtetin e saj. Hapësira ku macja hedh hijen e vet, çastet e shpresës që i lejon miut, duke e mbikëqyrur me vëmendjen më të madhe, pa e humbur interesin ndaj miut dhe dërrmimit të tij, të gjitha këto së bashku – hapësira, shpresa, mbikëqyrja dhe interesi për ta dërrmuar – mund të quheshin si trupi i mirëfilltë i pushtetit, ose thjesht vetë pushteti”. (Elias Cannetti, Masa dhe pushteti, Vëllimi II, përktheu Aristidh Ristani, “Elena Gjika”, Tiranë 2007).

Mbase nuk është fjalëkryq tipik nga ata të plazheve, por sidoqoftë, për ata që mundën t’i shkojnë deri në fund këtij shkrimi: Ju vetë ku e shini më shumë veten, te macja apo te miu?

Autor te 10 Gusht 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Nasho

    Ky po eshte tamam gazetar dhe e pelqej jo si Gazetaruci ” opozitar pordhe ” si Andrea Stefani

  • Zigur

    Ke shume te drejte Fatos edhe une si demokrat do t’i kerkoja falje Servet Pellumbit dhe shkrimit tend nuk i heq asnje presje . Por ama sa e peshtire me duket tjetra qe Kryetari i P Socialiste flet kundra Komunizmit

  • Bardhyl Qirjaku

    I dashur Fatos ! NUk dua te te bej kompliment, por shkrimet e tua i lexoj me kenaqesi. Sidomos shkrimet per krahina te ndryshme te vendit tone do t’ia rekomandoja Ministrit te aresimit qe te ishin per nxenesit lexime jashte klase me temen “Te njohim vendin tone”.
    Me qe, ne kete shkrim, ti na fton te diskutojme nga plazhi, me
    lejo te them dy fjale prej ketej, nga bregu I Tamizit.

    Nder
    te tjera ti thua per Marksin dhe Engelsin se …. “…ne i rreshtuam edhe këta dy
    kolosë të mëdhenj të mendjes njerëzore në bandën e të akuzuarve nga historia.”.
    Me vjen keq por une nuk e ndaj me ty kete mendim. Me lejo te te kujtoj socialistet
    utopike. Nje nga veprat e tyre “Utopia”, prej nga vjen edhe epiteti “utopik”,
    flet per nje qytet te quajtur Utopi, ne te cilin gjithcka shkonte ne harmoni;
    te gjithe punonin, jetonin te lumtur, me shtepine e tyre e pa zili per njeri
    tjetrin. Vete emri Utopi, vjen nga nje gjuhe e lashte, qe do te thote (u-topos),
    ne asnje vend. Ne analogji me te mund te thonim dhe u-kronos, ne asnje kohe.
    Pra ata socialiste utopike I thane njerezimit me sinqeritet se kjo gje nuk ekziston ne asnje
    vend dhe ne asnje kohe. Ata ishin me te vertete kolose te mendimit. Por ja qe
    dolen ata qe ti I quan kolose te mendimit dhe … “e transformuan socializmin nga
    utopi ne shkence !!…”. Keshtu na e kane thene ne fakltet kur degjonim leksione
    mbi materializmin historik. Por ky i dashur Fatos, ishte mashtrimi me I madh,
    me dashje apo pa dashje, qe I eshte bere ndonjehere njerezimit. Nuk e kam
    fjalen per veprat filozofike te Engelsit e ato ekonomike te Marksit, por per
    pamfletin e tyre mashtrues “Manifesti I Partise Komuniste”. Per afro nje
    shekull te tere, me qindra milione njerez eksperimentuan kete ide “kolosale ”
    te tyre, sidomos luften e klasave ne te cilen u dermuan dhe u bluan deri ne
    dhembje dhe perfunduan si mos me keq, ne deshperim, ne skamje, ne ujq per njeri
    tjetrin.

    Sa per profesorin e nderuar z.Servet, ne fillim te viteve
    90-te edhe une e kam pare si anetaret e tjere te birose, por shume shpejt
    ndrova mejtim sidomos kur e pashe te merrte pjese ne menyre shume te thjeshte e
    njerezore ne ceremonine funerale te nje profesorit tim te matematikes. Une nuk
    jam i majte, por do te deshiroja qe te majtet te ishin si profesor Serveti.

    Ju faleminderit

  • genci

    Z.Baxhaku eshte me te vertet nje gazetar fantastik. Ashtu si dhe komentueset e tjere edhe une i lexoj te gjithe artikujt qe ai shkruan. Me pelqen shume se eshte shume i kuptueshem…e kjo sepse eshte nder te paket gazetare shqiptare qe shkruan Shqip! pastaj i jam shume mirenjohes se me reportazhet qe shkruan mbi krahina te ndryshme te shqiperise kam mesuar shume gjera. pastaj sa zili e kam per kulturen e tij!!!!
    Z.Baxhaku mendoj qe ju jeni gazetari me i mire ne Shqiperi. Sukse te metejshme