Një sherr banal në lokal, për pak ka përfunduar tragjikisht për dy të rinj nga Vlora. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në kompleksin “Kristal” në ambientet e disko “MJU MJU”, në Vlorë. Burimet policore saktësojnë se 2 të rinj janë grindur me dy persona, e më pas janë plagosur me mjete prerëse.
“Menjëherë në vend kanë shkuar shërbimet e patrullës së përgjithshme të policisë të cilat kanë ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar personat dhe kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe shoqërimin për në Komisariat të shtetasve: Adiseldo Rrapaj, 25 vjeç, banues në Vlorë, dhe Albes Lazaj, 22 vjeç, banues në Vlorë.
Nga hetimet e kryera në lidhje me këtë rast ka rezultuar se shtetasit e mësipërm për motive të dobëta kanë qëlluar me mjete prerëse (grykë shishe të thyer) duke plagosur në pjesë të ndryshme të trupit dhe kokës shtetasit me iniciale A. I., dhe R. A., të cilët ndodhen në Spitalin Rajonal Vlorë nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë, e cila ka ngritur ndaj dy të rinjve akuzat për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim. Materialet iu përcollën prokurorisë së rrethit për hetime të mëtejshme.
10 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)