Bankat rrisin fitimet, kreditë e këqija 21 për qind

Fitimet rriten me 71 për qind, kreditë e këqija, më të lartat që nga viti 2001

Gjergj Erebara

Bankat në Shqipëri realizuan fitime prej 3 miliardë lekësh (22.5 milionë euro) gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti me rritje 71 për qind kundrejt vitit 2011, pavarësisht ftohjes së përgjithshme të aktivitetit financiar në vend, si dhe rritjes së kredive të këqija. Lajmi bëhet i ditur nga raporti statistikor i Bankës së Shqipërisë.

Fitimet e konsiderueshme tregojnë aftësi të bankave për t’u përshtatur me kushtet e vështira të krijuara nga kriza që tashmë po hyn në vitin e pestë, si dhe nga aftësia për të rritur tarifat për kontratat e vazhdueshme, një spekulim ligjor ky që në shumë vende europiane nuk është kaq i lehtë sa në Shqipëri.

Gjatë të gjithë vitit 2011, bankat patën realizuar fitime neto prej 16.5 milionë eurosh, pasi u detyruan të kalojnë shumicën dërrmuese të fitimeve bruto në fondin e provigjoneve, një fond i veçantë që përdoret për humbjet që mund të krijohen nga kreditë e këqija.

Kreditë e këqija në fund të qershorit arritën në 21.2 për qind të totalit të portofolit të kredive, me një rritje prej 27 për qind në krahasim me qershorin 2011. Ky është niveli më i lartë i kredive të këqija që janë parë në Shqipëri që nga viti 2001, koha kur bankat qenë ende nën pronësi shtetërore. Në fund të qershorit, rreth 71 për qind e kredive të dhëna në Shqipëri vijuan të shlyhen në mënyrë të rregullt, ndërsa 7.7 për qind shfaqin vonesa afatshkurtra dhe mbahen nën monitorim nga bankat.

Kreditë e këqija u përkasin në masë të gjerë kredive të dhëna për biznes, gjë që reflekton nga njëra anë vështirësitë e përgjithshme ekonomike dhe, nga ana tjetër, cilësinë e dobët të bizneseve të financuara nga bankat gjatë viteve të bumit të kreditit, 2004-2008.

Fitimet e gjashtëmujorit të parë u dhanë aksionerëve të bankave një normë kthimi prej 5 për qind kundrejt kapitalit aksioner (ROE), si dhe një normë fitimi neto prej 0.4 për qind në raport me totalin e aseteve (ROA).

Pavarësisht problemeve të krijuara nga kriza, sistemi bankar në Shqipëri mbetet i shëndoshë dhe kapitali i investuar në 16 bankat që operojnë në treg është aktualisht 100 miliardë lekë, gjë që nënkupton që edhe në rast se kreditë e këqija vijojnë të rriten, sërish aksionerët e bankave kanë kapital të mjaftueshëm për të përballuar humbjet e mundshme.

 

Treg në rënie

Bankat aktualisht po përballen nga njëra anë me rritjen e kredive të këqija dhe, nga ana tjetër, me rënie të ritmeve të zgjerimit të aktivitetit kreditues apo shërbimeve të tjera bankare. Të ardhurat nga interesat u rritën me afro 7 për qind, ndërsa shpenzimet për interesa u rritën me 12 për qind, tregues ky i rritjes së shpejtë të depozitave dhe rritjes së ngadaltë të kreditimit. Ndërkohë, të ardhurat nga veprimtaritë e tjera, ku përfshihen të ardhurat nga shërbimet e ndryshme bankare, ranë me 4 për qind, reflektim ky i rritjes së kostos së shërbimeve bankare gjatë viteve të fundit.

 

E ardhmja sfiduese

Kriza duket se i ka bërë shqiptarët më të përgjegjshëm në marrjen e kredive bankare dhe financimin e shpenzimeve të tyre, gjë që mund të sjellë sfida të konsiderueshme për sistemin bankar. Kredia e re e kërkuar dhe e dhënë nga bankat për individët dhe familjet ka zbritur në minimum, ndërsa portofoli total i kredisë për individët ka dhënë shenja të qarta stanjacioni dhe tkurrjeje.

Gjithnjë e më pak shqiptarë po interesohen të blejnë kredi për shtëpi apo të financojnë shpenzimet e tyre përmes bankave. Tregu i shërbimeve bankare, i cili u krijua falë ligjeve të imponuara nga qeveria dhe jo nga nevoja e tregut, duket se ka arritur maturimin. Kërkesa për kredi për prona të patundshme mund të tkurret më tej gjatë viteve të ardhshme, për shkak të rënies së popullsisë dhe ngopjes së tregut të banesave.

Autor te 11 Gusht 2012. Ekonomi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry