Lëvizja
Banka franceze merr kontroll të drejtpërdrejtë mbi filialet dhe degët në Shqipëri e gjetkë
Banka franceze “Credit Agricole”, e cila është pronare e bankës greke “Emporiqi”, vendosi së fundmi të ndajë nga “Emporiqi” e Greqisë filialet e saj në Shqipëri, Bullgari e Rumani dhe të marrë drejtpërsëdrejti kontrollin e këtyre degëve, ndërsa nxori në shitje “Emporiqi”-në e Greqisë. Lajmi bëhet i ditur nga agjencitë ndërkombëtare të informacionit ekonomik.
Banka franceze pritet të shesë për një çmim fare të ulët aktivitetet e “Emporiqi”-së në Greqi, ndërsa do të mbajë asetet e shëndosha të saj në Ballkan, ku përfshihet edhe banka në Shqipëri. “Credit Agricole” vendos në këtë mënyrë të dalë nga tregu bankar i Greqisë, por do të mbetet e pranishme në vendet e tjera të Ballkanit, të cilat konsiderohen si më të mira për të bërë biznes bankar sesa Greqia. Numri i bankave me kontroll nga Greqia në Shqipëri do të ulet në këtë mënyrë nga katër në tre, ndërsa kapitali bankar me origjinë nga Greqia në tregun tonë do të reduktohet më tej.
Bankat greke krijuan një treg të fuqishëm krediti në Shqipëri, veçanërisht në segmentin e kredive për shtëpi, duke marrë financime me interes të ulët nga mëmat në Greqi për ta kredituar me interesa të larta në vendin tonë. Por kjo formë financimi u dobësua në çastin që Greqia hyri në krizën e borxheve sovrane.
Një efekt pozitiv nga ky ndryshim pritet të jetë që filiali shqiptar, bullgar e rumun, do të kenë tashmë akses te fondet e “Credit Agricole”.