Partia Demokratike ka ripërsëritur edhe ditën e sotme akuzat ndaj PS dhe kreut të saj, Edi Rama se, bllokimi që po i bëjnë referendumit popullor lidhur me heqjen e imunitetit synon vetëm mbrojtjen e interesave të ‘klubit të miliarderëve’ brenda partisë dhe se ata ndihen të tmerruar nga verdikti i popullit.
Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi lëshoi akuza të drejtpërdrejta ndaj liderit të PS, Edi Rama, i cili sipas saj, për të mbrojtur interesat e deputetëve miliarderë brenda PS, si Sadri Abazi, të cilët kanë miliona dollarë të fituar në mënyrë korruptive është gati të shkelë mbi Kushtetutën dhe vendimet e gjykatës kushtetuese.
“Ky qëndrim kërcënues ndaj mbajtjes së referendumit popullor për heqjen e imunitetit arriti kulmin, pasi në përputhje me ligjin, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive publikoi pasuritë e deputetëve, nga ku rezulton se vetëm njëri nga anëtarët e kupolës së miliarderëve të Partisë Socialiste, deputeti Sadri Abazi ka deklaruar një pasuri me mbi 50 milion dollarë. Ky person ka edhe 11 veprimtari të tjera në ndërtim e sipër. Ato që janë deklaruar janë vetëm maja e ajsbergut të pasurisë së tij”, deklaroi Bardhi.
Në mbyllje të fjalës së saj zëdhënësja e PD siguroi edhe një herë se referendumi popullor do të mbahet, pavarësisht kërcënimeve të PS dhe kreut të saj, Edi Rama.
“Partia Demokratike deklaron edhe një herë se, asnjë kërcënim i zotit Rama dhe miliarderëve të Partisë Socialiste nuk do të mund të pengojë verdiktin e qytetarëve për një Shqipëri pa imunitet dhe pa zyrtarë që e përdorin atë si mburojë për pasurim të paligjshëm si dhe për të fshehur origjinën e këtyre pasurive nga trafiqet kriminale, fshehja e taksave, kontrabanda, lejet e paligjshme të ndërtimit dhe grabitja e trojeve dhe tokave publike”, – u shpreh zëdhënësja e PD.
11 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)