Me 78 milionë dollarë fitime në një vit, çifti i këngëtarëve të famshëm, Jay-Z e Beyoncé Knowles pushtojnë kreun e klasifikimit si çifti i VIP-ave më të paguar në botë, sipas revistës prestigjioze ‘Forbes’, duke zbritur nga froni Gisele Bundchen dhe Tom Brady, të cilët mbanin vendin e parë për vitin që shkoi.


Sipas klasifikimit që merr parasysh fitimet e mbyllura deri në maj të këtij viti, Beyoncé për këtë vit ka fituar më shumë më se bashkëshorti i saj Jay-Z, duke arkëtuar 40 milionë dollarë në 12 muaj, përfshirë këtu kontratat me sponsorë të ndryshëm, arkëtimet nga shitjet e albumit dhe të drejtat e autorit për këngë të së shkuarës. Ndërkohë, 38 milionët e Jay Z kanë ardhur nga shitjet e albumit të tij “Watch the Throne”, arkëtimet nga libri “Decoded” dhe nga bizneset e shumta që ai posedon. Një trashëgimi e bukur kjo për vajzën e tyre të vetme, Blue Ivy e cila erdhi në jetë një vit më parë.


Ndërkohë, Gisele Bundchen dhe bashkëshorti i saj kanë zbritur në vend të dytë të klasifikimit të ‘Forbes’, me 72 milionë dollarë fitime në vit, të cilat vijnë kryesisht si rezultat i kontratave të majme të modeles, ndërsa çifti britanik, David dhe Victoria Beckham me 54 milionë dollarë fitime në një vit renditen në vend të tretë.


11 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)